Udhëheqësit evropianë do të mblidhen javën e ardhme në Uashington, për një samit që do të kremtojë 75-vjetorin e NATO-s, aleancës më të madhe ushtarake në botë. Atmosfera do të jetë e tensionuar duke pasur parasysh paraqitjen e dobët të presidentit Joe Biden në një debat televiziv përballë rivalit të tij, ish-presidentit Donald Trump.
Trump ka deklaruar shpesh se ai mund të tërheqë Shtetet e Bashkuara nga NATO, një skenar që do të sillte zhdukjen e “ombrellës së sigurisë” që Evropa ka gëzuar për më shumë se 7 dekada.
Çështja se si Evropa mund të përballet vetë me sfidat e sigurisë, është trajtuar në një botim special të Foreign Policy.
Një nga kontributorët është edhe Ministri i Jashtëm i Polonisë Radoslaw Sikorski. Në një intervistë për FP, Sikorski thotë se ndërsa parandalimi ushtarak është një përpjekje e kushtueshme, ai mbetet shumë më i lirë sesa vetë lufta. Varshava e di shumë mirë këtë, pasi Polonia ndan më shumë se 480 km kufi me Ukrainën, dhe është një nga vendet kryesore sa i përket shpenzimeve për mbrojtjen në raport me PBB-në.
Cilat janë gjërat kryesore që shpresoni të arrini në samitin e NATO-s javën e ardhshme?
NATO ekziston për 75 vjetësh, ndërsa Polonia është pjesë e saj prej 25 vjetësh. Tani kemi edhe Sekretar të ri të Përgjithshëm, kryeministri holandez në largim Mark Rutte, i cili na pëlqen. Polonia do ta vërë theksin tek shpenzimet e saj të mbrojtjes në përpjesëtim me PBB-në, që janë më të larta edhe se ato të SHBA në aleancë, 4 për qind. Po ashtu do të tregojmë marrëveshjen e re me Ukrainën mbi bashkëpunimin afatgjatë në fushën e sigurisë. Unë shpresoj të tregojmë unitet dhe t’i japim mesazhin kundërshtarëve të mundshëm, kryesisht Rusisë së Vladimir Putinit, se jemi rigjallëruar dhe që ai nuk duhet të ngatërrohet me ne.
Thuhet se Ukraina do të marrë vetëm një mbështetje retorike për anëtarësimin në NATO, pa ndonjë rrugëtim të vërtetë. A do të zhgënjehet Kievi?
Le të përpiqemi të bëjmë më të mirën në kushtet që jemi. Ne po e ndihmojmë Ukrainën me 250 miliardë ndihmë, që nuk është pak. Dhe Ukraina po merr mjetet për t’i shkaktuar Rusisë kosto reale. Nëse Rusia heq dorë nga lufta, Ukraina do të bëhej një aleate shumë e vlefshme për ne.
Më ka bërë përshtypje një deklaratë e juaja në fillim të këtij viti. Ju thatë se ajo në Ukrainë do të jetë një luftë e gjatë. “Luftërat koloniale zgjasin zakonisht një dekadë!”- theksuat. Duke supozuar se sa kohë do të duhet në këtë rast, çfarë në pret në 7 vitet e ardhshme?
Arsyeja pse zgjasin luftërat koloniale, është se agresori duhet të arrijë në përfundimin se sulmi ishte i gabuar. Ndoshta, rusët kanë mbërritur tashmë në këtë përfundim. Por po ashtu, ata duhet të arrijnë në përfundimin se kostoja në njerëz dhe para është aq e madhe, saqë nuk ia vlen në raport me objektivin.
Por është e qartë se për momentin, rusët nuk janë ende në atë pikë. Zakonisht duhet edhe një ndryshim i lidershipit. Dhe ne s’kemi asnjë shenjë indikacion për këtë, prandaj po vazhdon lufta. Mendoj se duhet të kemi një skenar bazë për disa vite të tjera. Nëse do të kemi një zgjidhje më herët, do të ishte një bonus.
Por ishte shumë e vështirë të bindnit Shtetet e Bashkuara për të dhënë paketën e fundit të ndihmës. Si do ta nxisni të vazhdojë të ofrojë ndihmë edhe për 7 vjet të tjera?
Ne në Evropë mendojmë për periudha afatgjata. Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për çështjet e jashtme dhe politikën e sigurisë, ka ofruar një propozim për të rritur buxhetin e mbrojtjes të Evropës për 5 vitet e ardhshme. Mendoj se sa më shpejt ta bindim Putinin se nuk mund të fitojë, aq më shpejt do të përfundojë kjo luftë.
Në rregull, por si mund ta bindni për shembull Donald Trump, se NATO është edhe e dobishme për Amerikën? Në SHBA mosbesimi ekziston prej të paktën 20 vitesh...
E kam dëgjuar këtë që në fillimet e karrierës time diplomatike. Por Amerika ka një prani të madhe ushtarake jashtë vendit, në rreth 100 vende. Dhe s’ka dyshim që ne duam të kemi marrëdhëniet më të mira të mundshme me cilindo që është në krye të SHBA-së. Ne jemi në bisedime edhe me republikanët që po hartojnë strategji për administratën e ardhshme. Dhe dëgjojmë prej tyre se Trumpit nuk i pëlqen të jetë një humbës. Ai dëshiron të jetë fitues. Por humbja e Ukrainës ndaj Putinit, nuk do të ishte një fitore, apo jo?
Jo, por nga ana tjetër, ai ka një marrëdhënie të mirë me Putinin. A ju shqetëson kur e dëgjoni të thotë se nëse Evropa nuk rrit kontributin e saj, do t’i kërkojë Rusisë të bëjë ç’të dojë me vende të ndryshme evropiane? Kjo duhet të jetë e frikshme...
Çdo administratë e re në SHBA, përpiqet të ripërtërijë raportet me Rusinë. Por zakonisht gjërat përfundojnë njëlloj, sepse Rusia ndërmerr hapa kaq ekstremë sa që e bën të pamundur bashkëpunimin. Dhe disa administrata mësojnë më shpejt se të tjerat. Trump flet edhe për vendet e punës që zhvendosen nga SHBA nëpër botë. Ai është hapur transaksional, dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Ndaj unë shpresoj që ai të vlerësojë faktin që si Polonia dhe Evropa, kemi mësuar shumë nga industria e mbrojtjes e Amerikës. Dhe kjo ndihmon shumë tek siguria në të dy anët e Atlantikut.
Kur bisedoni me politikanë republikanë mbi rastin e një mandati të dytë të Trump, çfarë u thoni. Pse ata duhet të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën dhe pse NATO ka rëndësi?
NATO ka rëndësi për të gjithë ne për të njëjtën arsye. Ka rëndësi për mbrojtjen tonë të përbashkët. Të mos harrojmë se deri më sot, vetëm një herë është evokuar Neni 5, që garanton mbrojtjen e ndërsjellë, dhe kjo ka ndodhur nga SHBA-ja pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001. Aleatët mund të jenë të bezdisshëm, por në rast urgjence ke nevojë për ta. Nuk do t’i drejtohesh Kinës.
A do të zvogëlohet mbështetja evropiane për Ukrainën, duke pasur parasysh suksesin e partive të ekstremit të djathtë në Parlamentin Evropian dhe ngjitjen e mundshme në pushtet në Francë apo Austri?
Ky shqetësim është i bazuar, por e kishim edhe më parë, me zgjedhjet në Itali. Dhe kryeministrja Giorgia Meloni ka qenë në fakt shumë pranë Ukrainës. Ndaj unë shpresoj që edhe të tjerët të rivlerësojnë pozicionet e tyre./Përshtati Pamfleti nga “Foreign Policy”
Lini një Përgjigje