TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota26 Janar 2024, 19:46

Çfarë do të thotë për NATO-n një presidencë tjetër e Donald Trump

Shkruar nga Ivo Daalder
Çfarë do të thotë për NATO-n një presidencë
Trump në NATO /

NATO mund të mos marrë fund me rizgjedhjen e Trumpit president, por aleanca do të ishte shumë më e dobët pa një partner të besueshëm amerikan, duke e bërë shumë më të pasigurt se sa është e nevojshme ose e dëshirueshme sigurinë e Evropës...

Duke qenë ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara në NATO, më pyesin shpesh nëse mendoj  se rizgjedhja në nëntor për një mandat tjetër e ish-presidentit Donald Trump do të nënkuptonte fundin e NATO-s. Përgjigja që u jap është: Po edhe jo.

Po, sepse zgjedhja e Trump do të nënkuptonte një ndryshim thelbësor për NATO-n, pavarësisht nëse ai do të vendosë apo jo ta tërheqë SHBA-në. Dhe jo, sepse aleanca nuk do të shpërbëhej  domosdoshmërisht nga një zgjedhje e tillë e amerikanëve.

Armiqësia e Trump ndaj NATO-s, dhe në fakt ndaj të gjitha aleancave të sigurisë së Amerikës në mbarë botën, është e mirë-njohur. Kur garoi për herë të parë për president, ai deklaronte shpesh se NATO “është një instrument i vjetëruar”. Ndërsa pasi mori detyrën, ai kërcënoi vazhdimisht se do të tërhiqej prej saj.

“Mua nuk ma ndjen fare për NATO-n”- i bërtiti ai këshilltarit të tij të atëhershëm të Sigurisë Kombëtare John Bolton gjatë një debati të nxehtë. Më vonë, Trump i tha presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen: “Ju duhet të kuptoni se nëse do të sulmohet Evropa, ne nuk do të vijmë në asnjë rast t’ju ndihmojmë dhe mbështesim”, sipas një një zyrtari të BE-së të pranishëm në atë takim.

Më pas Trump shtoi: “Meqë ra fjala, NATO ka marrë fund dhe ne do të largohemi, do të dalim nga aleanca”. Dhe teksa sulmi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, u kujtoi shumë njerëzve vlerën dhe rëndësinë e NATO-s - si dhe atë të bashkëpunimit të SHBA-së për sigurinë e Evropës - Trump mësoi një leksion tjetër.

Duke e quajtur “të zgjuar”, “të ditur” dhe një “gjeni” presidentin rus Vladimir Putin, ai pretendoi se nëse i jepej mundësia, mund t’i japë fund luftës brenda “një dite”, duke e ndërprerë të gjithë ndihmën e SHBA-së për Ukrainën dhe duke i thënë Kievit të lëshonte terren ndaj Moskës duke ia plotësuar shumicën e kërkesave.

Edhe sot antipatia e Trump ndaj NATO-s mbetet e njëjtë, dhe nëse ai do të rikthehej në Zyrën Ovale, nuk ka dyshim se do të vazhdonte të njëjtën qasje. Për më tepër, askush nuk duhet të mbështetet shumë tek dekreti i miratuar së fundmi në Kongres, që synon ta pengojë presidentin të tërhiqet nga aleanca pa pëlqimin e tij.

Askush, madje as Kongresi, nuk mund ta detyrojë një president amerikan të mbrojë një vend tjetër me të gjithë forcën që zotëron ushtria amerikane. Ligjërisht, Shtetet e Bashkuara (ose çdo anëtar tjetër i NATO-s në lidhje me këtë çështje), është i detyruar të ndërmarrë “veprime të tilla të cilat i sheh të nevojshme, përfshirë përdorimin e forcës së armatosur, për të rivendosur dhe ruajtur sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut”.

Pra, çdo anëtar lihet që të vendosë vetë nëse dhe si do të veprojë në rastin e një sulmi të armatosur ndaj një aleati. Madje edhe kjo dispozitë, në nenin 5, është e detyrueshme vetëm  pasi të gjithë anëtarët e NATO-s të bien dakord për ta evokuar atë.

Por ajo që e bën efektive një aleancë sigurie nuk është ndonjë diktat ligjor, por besimi që aleatët kanë se do të dalin në mbrojtje të njëri-tjetrit, si dhe besueshmëria e këtij angazhimi në sytë e kundërshtarëve të tyre. Angazhimet ligjërisht të detyrueshme mund ta forcojnë atë besim, por ato nuk mund ta mbajnë atë vetë.

Megjithatë nëse Trump do të tërhiqet vërtetë nga NATO, siç kanë frikë shumë zyrtarë - gjë që mund ta bëjë çdo aleat i traktatit sipas nenit 13 - kjo nuk do të kishte shumë rëndësi. Rizgjedhja e tij do të shihej si një mohim themelor i besimit që kanë vendosur aleatët e NATO-s tek SHBA për t'u mbrojtur në rast të një sulmi të armatosur.

Aq më tepër, tani që mundësia e një sulmi të tillë duket e madhe në Evropë pas luftës brutale që po zhvillon Rusia kundër Ukrainës. As udhëheqësit aleatë dhe as publiku i tyre nuk do të kishin besim se një Amerikë e udhëhequr nga Trump do t'u vinte në ndihmë.

Ky realitet, nuk do të nënkuptonte domosdoshmërisht fundin e NATO-s, edhe pse do ta kthente atë në një aleancë në thelb shumë të ndryshme nga ajo që ekziston prej 75 vitesh. NATO nuk do të shpërbëhej edhe nëse Trump do ta tërheqë zyrtarisht vendin prej saj.

Ajo do të kishte vetëm një anëtar më pak. Sigurisht, SHBA-ja nuk është si çdo anëtar tjetër i NATO-s. Ajo është shtylla e vërtetë kurrizore e aleancës. Duke filluar me gjeneralin Dwight D. Eisenhower, komandanti suprem i saj ka qenë gjithmonë një amerikan.

Po ashtu, ushtria amerikane përbën një pjesë të mirë të aftësisë së përgjithshme të NATO-s, dhe forcat e armatosura të SHBA-së përbëjnë bërthamën rreth së cilës kanë ndërtuar ushtritë e tyre shumica e aleatëve të NATO-s.

Më shumë se 100.000 forca tokësore, ajrore dhe detare të SHBA-së janë aktualisht të dislokuara në të gjithë Evropën në mbështetje të drejtpërdrejtë të NATO-s. Për më tepër, arsenali bërthamor i SHBA-së, përfshirë armët e vendosura në Evropë për t`u përdorur nga forcat ajrore aleate “janë garancia supreme e sigurisë së aleancës”.

Dhe ndërsa Franca dhe Britania zotërojnë vetë armë bërthamore, vullneti dhe aftësia e tyre për ta shtrirë këtë ombrellë sigurie për të gjithë aleatët e tyre është e pasigurt dhe e paprovuar.

Megjithatë, NATO do të mbetej një aleancë ushtarake potencialisht e frikshme edhe pa SHBA-në.

Sepse anëtarët e saj përfshijnë shumicën e vendeve të Evropë, plus Kanadanë. Dhe ajo zotëron procese, procedura dhe programe për mbrojtjen kolektive, që janë shumë të zhvilluara dhe potencialisht shumë efektive. Natyrisht, në se ky potencial do të përkthehej në realitet, kjo do të varej kryesisht nga anëtarët që do të mbeteshin.

Dhe një NATO pa SHBA-në, nuk do të ishte aq efektive sa është sot me të. Po ashtu, do të ishte një pengesë më pak e besueshme për Rusinë dhe kundërshtarët e tjerë. NATO mund të mos marrë fund me rizgjedhjen e Trumpit president, por aleanca do të ishte shumë më e dobët pa një partner të besueshëm amerikan, duke e bërë shumë më të pasigurt se sa është e nevojshme ose e dëshirueshme sigurinë e Evropës. Dhe ata që do të duhej të përballeshin me kostot nuk janë vetëm evropianët por edhe vetë amerikanët./ Përshtati Pamfleti nga “Politico.eu”

Shënim: Ivo Daalder, ish-ambasador i SHBA-së në NATO, është drejtues i Këshillit të Çikagos për Çështjet Globale.

ivo daalder nato donald trump

Lini një Përgjigje