TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Qershor 2024, 22:10

Evropa duhet të shpikë një gjeopolitikë të re sociale, ekonomike dhe klimatike!

Shkruar nga Thomas Piketty

Evropa duhet të shpikë një gjeopolitikë të re sociale,

Evropa është duke i kthyer shpinën historisë së saj, duke e dëmtuar besueshmërinë e saj morale ndërkombëtare, dhe duke e dënuar veten të jetë një miniaturë gjeopolitike.

Siç edhe mund të pritej, debatet që çuan në zgjedhjet evropiane u karakterizuan nga çështje gjeopolitike:luftërat në Ukrainë dhe Gaza, tensionet në rritje midis Perëndimit dhe bllokut Kinë-Rusi, që synon të rrisë ndikimin e tij në Jug dhe të rrisë anëtarët e grupit BRICS+ (Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Etiopia dhe Irani).

Disa thonë se shkaku është më se i qartë:tani e tutje, e ardhmja e Evropës do të jetë më e orientuar nga mbrojtja. Përballë kërcënimit rus, Bashkimi Evropian, nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të tregojë muskujt e tij ushtarakë, dhe të rrisë ndjeshëm buxhetin për ushtritë e tij, të cilin disa do të donin ta shihnin të rritet nga 1.5-2 për qind e PBB-së aktualisht, në 3 apo edhe 4 për qind.

Megjithatë, s’ka asgjë shenjë që të sugjerojë se një perspektivë e tillë është realiste apo edhe e dëshirueshme. Së pari, sepse buxhetet ushtarake perëndimore, janë tashmë të mëdha, dhe do të përfitonin nga një mobilizim më i mirë i tyre.

Së dyti, sepse do të ishte më mirë që Evropa ta vinte pasurinë dhe fuqinë e saj në shërbim të objektivave sociale, arsimore, shkencore dhe klimatike. Së fundi, dhe mbi të gjitha, sepse Evropa duhet të përpiqet të ndikojë tek vendet e tjera përmes sanksioneve ekonomike dhe financiare, ligjit dhe drejtësisë sociale, dhe jo mjeteve ushtarake.

Por në vend se të bjerë pre e tundimeve të gjeopolitikës së fokusuar tek mbrojtja, Evropa duhet të shpikë një gjeopolitikë sociale, ekonomike dhe klimatike. Le ta fillojmë përshkrimin e saj, duke kujtuar se vendet e NATO-s, janë kolektivisht shumë më të fuqishme ekonomikisht dhe ushtarakisht se sa Rusia.

PBB-ja e kombinuar, është 10 herë më i madhe dhe aftësitë e tyre ajrore 5 herë më të mëdha sesa të Moskës. Problemi është se aleanca ka vendosur ta lejojë Rusinë të bombardojë territorin ukrainas sa herë të dojë, përfshirë masakrimin e civilëve dhe shkatërrimin e shtëpive dhe infrastrukturës energjetike.

Një zonë e ndalim-fluturimit

Duke pasur aftësitë e duhura ajrore, NATO mund të vendosë të vendosë një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë. Për sa kohë që qëllimi është mbrojtja e territorit ukrainas, dhe në asnjë mënyrë sulmi ndaj territorit rus, një mobilizim i tillë i burimeve njerëzore dhe materiale të NATO-s do të ishte legjitim.

Huazimi i disa avionëve ose baterive kundërajrore në Ukrainë nuk do të jetë i mjaftueshëm, pasi duhen vite për të trajnuar pilotët dhe personelin e kualifikuar. Në çdo rast, Ukraina do të mbetet në një disavantazh të madh demografik në krahasim me Rusinë.

Vendimi strategjik për të ndërhyrë drejtpërdrejt në luftë, është padyshim shumë i vështirë:ai nuk do të thoshte asgjë më pak sesa mbrojtja e Ukrainës, siç do të duhej të bënte NATO në rastin e një sulmi ndaj njërit prej anëtarëve të saj. Por fakti është se do të ishte po aq e vështirë, edhe nëse NATO do të kishte 10 herë më shumë avionë se Rusia.

Sepse pasi të jetë tërhequr kjo vijë e kuqe, vendet perëndimore mund t’i hapin derën proceseve politike legjitime dhe demokratike në territoret e diskutueshme të Krimesë dhe Donbasit. Për ta përmbledhur:sfida nuk është të rriten masivisht buxhetet ushtarake perëndimore, pasi ato janë tashmë janë të konsiderueshme, por të dimë se si t'i mobilizojmë ato.

Sfida nuk është financiare, por e vendimmarrjes. Sa i përket burimeve financiare, do të ishte në interesin e BE-së që të investonte burime shtesë në shëndetësi, trajnime në të gjitha nivelet, kërkime shkencore, infrastrukturën e transportit dhe energjisë, strehimin, rinovimin e ndërtesave për një efikasitet energjetik më të madh, bujqësinë e qëndrueshme dhe de-karbonizimin, dhe me një drejtësi sociale që duhet të jenë në dobi të shtresave të mesme dhe atyre punëtore.

Për shkak të betejave sociale të shekullit XX-të, Evropa ka tashmë sistemin më të mirë të kujdesit shëndetësor dhe arsimor parësor dhe të mesëm në botë, shumë më të përparuar se Shtetet e Bashkuara. Në shekullin XXI-të, Evropa duhet të ketë edhe universitetet më të mira në planet.

Franca, Gjermania dhe aleatët e tyre evropianë, kanë burimet financiare të nevojshme për ta bërë më në fund një zgjedhje të tillë. Megjithatë deri tani nuk po bëjnë asgjë, për shkak të ideologjisë dhe padijes. Situata është veçanërisht absurde në Francë, ku shpenzimet për çdo student kanë rënë me 15 për qind gjatë 10 viteve të fundit, në kundërshtim me të gjitha tendencat historike.

Një regjistër financiar global

Për të zgjeruar ndikimin e saj në botë, Evropa duhet para së gjithash të promovojë dhe të përsosë modelin e saj social, ekonomik dhe demokratik. Për të ndikuar tek vendet e tjera, ajo nuk duhet të mbështetet tek diplomacia e anijeve luftarake (e cila u përdor dhe u keqpërdor gjerësisht nga vitit 1492 deri në 1962-shin) dhe epërsia e mjeteve të saj ushtarake (përveç qëllimeve rreptësisht mbrojtëse), por edhe tek mjetet në përputhje me modelin e saj social.

Sigurisht, ka sanksione klasike tregtare, të cilat duhet të rifuten urgjentisht në repertorin e politikës. Sepse nuk ka kuptim të këmbëngulësh për tregtinë e lirë absolute me Kinën, në një kohë që importon masivisht emetimet e saj të karbonit (edhe taksa e vogël e karbonit e BE-së që merret në kufi, nuk do të ndryshojë asgjë), apo të shohësh regjimin kinez teksa shkatërron para syve tanë demokracinë në Hong Kong.

Po ashtu, ne gjithashtu duhet të zhvillojmë lloje të reja sanksionesh financiare që të godasin elitat e vendeve të caktuara, dhe kjo falë krijimit të një regjistri financiar global të vërtetë dhe masave përjashtuese nga sistemi i pagesave, siç praktikohet tashmë në SHBA në lidhje me masat e saj kundër pastrimit të parave.

Nga ana tjetër, Evropa duhet urgjentisht të sekuestrojë 200 miliardë euro asete publike ruse të vendosura në territorin e saj, dhe të bëjë të njëjtën gjë me asetet private ruse (500 miliardë deri në 1 trilion euro, në varësi të vlerësimeve).

Duke këmbëngulur me kokëfortësi tek rregullat e veta financiare dhe pronësia oligarkike (sado e paligjshme që është, tolerohet për sa kohë që është fitimprurëse), një qëndrim që nuk e shpëtoi Epokën e Artë  të viteve 1870-1914 nga fatkeqësia që pasoi, Evropa është duke i kthyer shpinën historisë së saj, duke e dëmtuar besueshmërinë e saj morale ndërkombëtare, dhe duke e dënuar veten të jetë një miniaturë gjeopolitike./Përshtati "Pamfleti" nga “Le Monde”

*Shënim:Thomas Piketty, është profesor në Shkollën Ekonomike të Parisit.

Lini një Përgjigje