
Nga këndvështrimi i Netanyahut, pranimi i një armëpushimi që përfshin tërheqjen e të gjitha trupave izraelite, në një kohë që Sinwar dhe Deif janë ende liderë të Hamasit, dhe teksa kanë nën komandën e tyre ndoshta 10.000-12.000 luftëtarë, do të ishte e pamundur që të pranohej.
Marrëveshjet e armëpushimit për t’i dhënë fund luftës në Gaza kanë ardhur dhe ikur. Njoftimi i papritur i presidentit amerikan Joe Biden mbi formulën e fundit për një zgjidhje të konfliktit, që supozohet se është propozuar nga Izraeli, është rrëzuar tashmë.
Në fakt, marrëveshja e armëpushimit me 3 faza e Biden, dukej shumë e ngjashme me të mëparshmet:ndalim 6-javor i luftimeve, tërheqje e trupave izraelite nga zonat e populluara, lirimi i disa pengjeve në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë; një zgjidhje e negociuar Izrael/Hamas për një fund të përhershëm të luftës; dhe së fundmi rindërtimi i plotë i Gazës.
Megjithatë, sulmi i Izraelit në qytetin jugor të Gazës, Rafah, armiqësia në rritje në mbarë botën ndaj vendosmërisë së Benjamin Netanyahut për ta shkatërruar organizatën që etiketohet si terroriste, dhe dështimi i perceptuar për të frenuar vdekjet e civilëve palestinezë, shtuan një ndjenjë të re urgjence.
Lëvizja e Biden ishte e pazakontë. Së pari, ai pretendoi se propozimet e fundit për armëpushim vinin nga Tel Avivi, dhe jo nga Uashingtoni. Së dyti, duket se Shtëpia e Bardhë nuk e kishte paralajmëruar qeverinë e Netanyahu, se Biden po planifikonte t’i tregonte botës mbi marrëveshjen e re të propozuar.
Së treti, dukej se kishte një element të goditjes psikologjike, duke e vendosur Tel Avinin para faktit të kryer. Por strategjia nuk funksionoi. Dhe arsyeja është se ekziston një e metë thelbësore në negociatat në prapaskenë midis Uashingtonit dhe Tel Avivit, por edhe në bisedimet më të gjera mbi armëpushimin, që përfshijnë SHBA-në, Egjiptin dhe Katarin:vetëm Izraeli, dhe veçanërisht Netanyahu, është vërtetë i përkushtuar ndaj shkatërrimi total të Hamasit si organizatë terroriste, dhe si organ qeverisës i Rripit të Gazës.
Biden ishte në fillim dakord me këtë objektiv, por tani është i lëkundur. Ai ka deklaruar publikisht se Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) i kanë shkaktuar Hamasit një dëm të tillë, sa që si grup ushtarak nuk do të jetë më në gjendje të kryejë një sulm tjetër si ai i 7 tetorit 2023, kur u vranë 1200 izraelitë, u përdhunuan brutalisht gratë dhe kur u morën më shumë se 250 pengje.
Është e qartë se Netanyahu nuk e ndan këtë vlerësim. Pavarësisht se Hamasi ka pësuar një numër të madh humbjesh, me gati 15.000 luftëtarë të vdekur, grupi mbetet i qëndrueshëm. IDF-së i është dashur të kthehet në zonat e Gazës, për të cilat mendonte se ishin pastruar nga luftëtarët e Hamasit.
Dhe për shkak të kufizimeve në operacionet ushtarake në Rafah, të vendosura nga Uashingtoni, ka ende mjaft batalione luftarake të mbijetuara për ta vazhduar luftën me Izraelin. Më e rëndësishmja:2 liderët kryesorë të Hamasit në Gaza, Yahya Sinwar, udhëheqësi i përgjithshëm në Rripin e Gazës, dhe Mohammed Deif, komandanti i Brigadave Izz ad-Din al-Qassam, besohet se janë ende gjallë dhe po drejtojnë betejën kundër IDF nga një labirint bunkerësh nëntokësorë.
Netanyahu thotë se ata ishin arkitektët e masakrave të 7 tetorit. Izraeli ka një reputacion të famshëm për ndjekjen e armiqve të tij, pavarësisht kohës që mund të duhet. Pas vrasjes së 11 atletëve izraelitë në Lojërat Olimpike të Mynihut në vitin 1972 nga grupi terrorist palestinez “Shtatori i Zi”, Mossad, agjencia sekrete e inteligjencës, shpenzoi vite në përpjekje për të gjetur dhe vrarë përgjegjësit.
Nga këndvështrimi i Netanyahut, pranimi i një armëpushimi që përfshin tërheqjen e të gjitha trupave izraelite, në një kohë që Sinwar dhe Deif janë ende liderë të Hamasit, dhe teksa kanë nën komandën e tyre ndoshta 10.000-12.000 luftëtarë, do të ishte e pamundur që të pranohej.
Për më tepër, kjo do të çonte edhe në rënien politike të Netanyahut, pasi 2 anëtarët më konservatorë të kabinetit të tij të koalicionit, Ministri i Financave Bezalel Smotrich, dhe ai i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir, janë zotuar të japin dorëheqjen dhe ta rrëzojnë qeverinë e tij, nëse ai i dorëzohet presionit nga Uashingtoni dhe bie dakord me marrëveshjen e armëpushimit.
Pastaj, ka edhe një problem tjetër të rëndësishëm, që po shkakton një divergjencë në dukje të pazgjidhshme pikëpamjesh midis Uashingtonit dhe Tel Avivit. Biden, që ka arsyet e veta për t’i dhënë fund luftës në Gaza - antipatia në rritje ndaj tij në mesin e votuesve të rinj pro-palestinezë në SHBA, që kundërshtojnë shitjet e armëve tek Izraeli - ka në mendje një skemë të madhe për riorganizimin dhe rimodelimin e marrëdhënieve në Lindja e Mesme, për të krijuar një stabilitet më të madh dhe një aleancë më efektive kundër Iranit.
Në qendër të kësaj ideje të madhe, është që Arabia Saudite dhe Izraeli të krijojnë marrëdhënie diplomatike të ngushta, një zhvillim potencialisht historik, i cili do të përfshinte edhe një partneritet strategjik jashtëzakonisht të zgjeruar midis Uashingtonit dhe Riadit, me shtimin e shitjes të armëve të përparuara dhe ndihmës për ndërtimin e një industrie bërthamore civile.
Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, marrëveshja e mundshme ishte shumë pranë finalizimit, kur Hamasi nisi sulmin e tij më 7 tetor 2023 ndaj Izraelit. Për pasojë, u anuluan të gjitha hapat e mëtejshëm, ose të paktën u pezulluan për të ardhmen e parashikueshme, gjë që ishte një goditje për Joe Biden, pasi ai do ta kishte llogaritur këtë arritje diplomatike si një pikë të fortë në fushatën e tij për rizgjedhjen në detyrë.
Megjithatë, asnjë marrëveshje e tillë nuk do të ishte e mundur nëse Netanyahu nuk do të pranonte formimin e një shteti palestinez, si pjesë e një pazari të madh. Ky do të ishte gjithmonë elementi më i ndërlikuar, sepse udhëheqësi izraelit ishte kundër tij, dhe tani pas sulmeve të 7 tetorit, nuk do të ndodhë.
Ose të paktën jo sa të jetë në krye të Izraelit Netanyahu. Pra në përgjithësi, shpresat e Uashingtonit për t’i bërë presion Tel Avivit që të bjerë dakord për një armëpushim, dhe për një fund të përhershëm të luftës në Gaza, do të dukeshin të parakohshme, apo edhe jo realiste. Ndërkohë, Netanyahu e ka bërë absolutisht të qartë, se synon të përmbushë objektivat e tij ushtarake, përpara se të mund të mendohet për një armëpushim, e lëre më pastaj që të diskutojë për çdo lloj të ardhmeje kuptimplotë për popullin palestinez.
Tragjikisht, kjo do të thotë se do të ketë në mënyrë të pashmangshme më shumë vdekje civilësh palestinezë, më shumë shkatërrim të pronave dhe lënie në sirtar të shpresave të Biden për riformatimin e Lindjes së Mesme. Nëse Netanyahu do të ketë ndonjëherë sukses në eliminimin e Hamasit, kjo është shumë e diskutueshme.
Ndoshta disa nga elementët e tij do të mbijetojnë. Për më tepër, udhëheqja politike e organizatës banon në një bazë të sigurt në Katar, përtej mundësive të Mossad-it për t’i goditur, ose të paktën derisa po vazhdojnë negociatat për armëpushim, dhe teksa shpresohet që ato të kenë sukses./Përshtati "Pamfleti" nga “The Spectator”
Lini një Përgjigje