
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavror duke komentuar sulmet e fundit izraelite në Liban, deklaroi se Hezbollahu sillet me përmbajtje në krahasim me potencialin që ka.
Sipas tij, Izraeli po provokon qëllimisht një luftë të gjerë me qëllim që të përfshijë në konflikt edhe SHBA-në, teksa shtoi se Rusia nuk do përshkallëzim të situatës.
“Ata duan të provokojnë Hezbollahun me qëllim që të bëjnë të pashmangshme përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në luftë. Më duket se administrata e kupton se çfarë rreziku është. Natyrisht, ne duam që të mos ketë konflikt të madh”, tha Lavrov për televizionin “Sky News Arabia”.
Ministri rus përsëriti se gjëja më e rëndësishme është vendosja e një armëpushimi në Rripin e Gazës dhe territoret palestineze, për të zgjidhur çështjet humanitare dhe për të filluar një diskutim serioz për formimin e një shteti palestinez. Pa këtë, theksoi Lavrov, përshkallëzimi i dhunës në Lindjen e Mesme nuk do të ndalet.
Kujtojmë se më 17 dhe 18 shtator, në Liban ndodhën një sërë shpërthimesh të pajisjeve të komunikimit, duke përfshirë pager-at dhe telekomandat. Sipas të dhënave zyrtare, 37 persona humbën jetën dhe mbi 3000 u plagosën.
Hezbollahu dhe autoritetet libaneze kanë fajësuar Izraelin për atë që ndodhi, i cili as nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar se qëndron pas sulmit. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e cilësoi atë që ndodhi si një akt terrorist dhe një përpjekje për të ndezur një konflikt të madh.
Lini një Përgjigje