TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Shtator 2024, 14:14

Sulmet e Izraelit në dy fronte, në 24 orë rreth 50 viktima në Gaza dhe Liban; ekzekutohen 16 ushtarë të Hezbollah

Shkruar nga Pamfleti

Sulmet e Izraelit në dy fronte, në 24 orë rreth 50 viktima

Numri i të vdekurve nga sulmet e kryera ditën e djeshme nga forcat izraelite në Bejrut vazhdon të rritet.

Izraeli po lufton në dy fronte, duke hedhur raketa dhe bomba nga Gaza në veri të Libanit, deri në Bejrut.

Sulmet ajrore të IDF-së gjatë 24 orëve të fundit raportohet se kanë lënë në total të paktën 50 të vrarë në të dy frontet, mes të cilëve edhe 3 fëmijë, 16 oficerë të Hezbollahut, ku 5 prej tyre janë komandantë të lartë.

18 prej viktimave u regjistruan në Gaza, ku objektiv i hedhjes në erë nga izraelitët ishte edhe një shkollë, që ata thanë se shërbente si bazë e Hamasit.

Një shkollë u godit nga një sulm ajror izraelit në lindje të qytetit të Gazës. IDF konfirmoi lajmin dhe deklaroi se instituti ishte shndërruar në një qendër komanduese të Hamasit.

Sipas ushtrisë izraelite, Hamasi po përdorte shkollën al-Falah për të planifikuar dhe nisur sulme kundër IDF dhe Izraelit.

IDF konfirmoi se kreu një sulm ajror kundër një grupi militantësh të Hamasit në një dhomë komandimi të vendosur në një ish shkollë në qytetin e Gazës. Sipas ushtrisë, cituar nga Times of Israel, Hamasi po përdorte institutin al-Falah në lagjen Zeitoun për të planifikuar dhe kryer sulme kundër trupave IDF dhe Izraelit.

Shkolla përdoret si strehë për personat e zhvendosur nga Gaza dhe sipas mediave palestineze bastisja la të paktën 18 persona të vdekur.

Të paktën 119 persona janë vrarë dhe 209 janë plagosur në sulmet izraelite në Rripin e Gazës në 72 orët e fundit.

Kjo është shifra e raportuar nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, duke përditësuar numrin e viktimave që nga fillimi i luftës më 7 tetor në 41,391. Të paktën 95,760 njerëz kanë mbetur të plagosur. 18 nga viktimat u regjistruan vetëm gjatë orëve të fundit, nga mesnata e së premtes dhe ditën e sotme.

IDF: Oficeri më i lartë i inteligjencës së Hamasit u vra në Gaza

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se vranë oficerin e inteligjencës së Hamasit, Muhammad Mansour në një sulm ajror në Gaza.

Ishte një "burim i rëndësishëm i njohurive teknologjike", tha IDF, duke shtuar se në hapësirën e një dite rreth 20 objektiva u goditën nga forcat ajrore në të gjithë Rripin, duke përfshirë ndërtesat e përdorura nga grupi.

Ndërkohë, divizioni 162 i IDF-së vazhdon të veprojë në Rafah, në pjesën jugore të Gazës, ku ditët e fundit trupat kanë gjetur armë, kanë vrarë persona të armatosur dhe kanë shkatërruar vende të përdorura nga Hamasi.

Autoritetet libaneze: 31 të vdekur në bastisjen në Bejrut, përfshirë 3 fëmijë

Numri i të vdekurve nga sulmet e kryera ditën e djeshme nga forcat izraelite në Bejrut vazhdon të rritet. Sipas përditësimit të fundit nga Ministri libanez i Shëndetësisë, Firass Abiad, bombardimi shkaktoi 31 vdekje, duke përfshirë tre fëmijë dhe shtatë gra. Ndërsa të plagosur kanë mbetur 68 persona.

Hezbollahu raportoi një rritje të numrit të anëtarëve të saj të vrarë në një sulm izraelit të ndodhur ditën e djeshme në periferi jugore të Bejrutit. Al Jazeera raporton se Hezbollah pohoi se dy komandantë ushtarakë dhe 14 luftëtarë u vranë në sulmin izraelit.

Midis viktimave, Hezbollah renditi kreun e njësisë elitare Radwan, Ibrahim Aqil dhe një komandant të lartë të së njëjtës forcë speciale, Ahmed Wahbi. Sipas Haaretz, emrat përfshijnë edhe dy liderë të tjerë të forcave Radvan, Abu Yasser Attar dhe Al-Hajj Nineveh.

Izraeli mbyll hapësirën ajrore në veri për 24 orë

Hapësira ajrore nga Hadera dhe drejt veriut u mbyll nga autoritetet izraelite për 24 orë. Vendimi lidhet me situatën e sigurisë në zonë dhe nevojën e përdorimit të hapësirës ajrore vetëm për aktivitetet e Forcave Ajrore. Pista ajrore Megiddo është e hapur vetëm për fluturime komerciale që ngrihen në drejtim të Jugut./ “La Repubblica”.

Lini një Përgjigje