TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Maj 2023, 09:55

Erdogan Akti III: Sulltani i kohëve moderne

Shkruar nga Pamfleti

Erdogan Akti III: Sulltani i kohëve moderne

Duke braktisur pallatin Ankaya të pushtuar dikur nga Mustafa Kemal Atatürk, Erdogan synonte të shënonte një ndarje me trashëgiminë kemaliste dhe të riparonte kështu zhgënjimet historike të shkaktuara nga elitat laike në dëm të islamistëve, të cilët, sipas tij, përfaqësonin humbësit e mëdhenj të historisë.

Si u bë Recep Tayyip Erdogan, një islamist i moderuar që respektonte funksionimin demokratik të vendit, alergjik ndaj çdo forme proteste, duke përdorur manovra shumë të diskutueshme për t’u kapur pas karriges së tij?

Një pikë kthese ishte vitit 2013, gjatë kryengritjes popullore në parkun Gezi.

Brenda vendit dhe në sytë e botës, fillon të vihen në dukje akseset autoritare të një lideri që vazhdon, përmes zgjedhjeve, të rifitojë besimin e turqve, duke e bërë pak nga pak vendin një nga burgjet e para në botë për gazetarët dhe kundërshtarët politikë.

Gjatë kësaj dekade të fundit, gjithsesi mbretërimi i tij është lëkundur disa herë.

Ngjarjet që do vijojnë do të shënjojnë thellë reïs-in, duke nxitur një paranojë me ngjyrime konspirative dhe duke i dhënë atij mundësinë për të ashpërsuar represionin e tij kundër kundërshtarëve të regjimit.

Pas një ndërhyrjeje të policisë, një protestë e banorëve vendas dhe aktivistëve mjedisorë për të mbrojtur parkun Gezi në qendër të Stambollit, kthehet në një lëvizje të madhe proteste kundër Erdoganit, atëherë Kryeministër.

Mijëra demonstrues ishin duke kampuar në këtë park pranë sheshit Taksim për të kundërshtuar ndërtimin e një kompleksi ndërtesash të stilit neo-otoman, në vend të hapësirës së gjelbër.

Për javë të tëra, qyteti ishte në zjarr.

Demonstruesit ngritën barrikada, ndezën zjarre, brohorisnin “Tayyip, dorëhiqu” përpara policisë, e cila u urdhërua t’i largonin ata me buldozerë dhe gaz lotsjellës.

Më shumë se gjashtëdhjetë persona u arrestuan, qindra të tjerë u plagosën.

Nga ana e saj, qeveria, e cila po përballej me sfidën e parë reale ndaj pushtetit të saj që nga shenjtërimi elektoral i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në 2002, akuzoi protestuesit se qenë të manipuluar nga organizata të huaja të etur për t’i ndihmuar ata.

Në ballë të protestës ishte Osman Kavala, një biznesmen dhe filantrop i respektuar në qarqet intelektuale në Evropë, i arrestuar në 2017 dhe i dënuar me burgim të përjetshëm vitin e kaluar për “përpjekje për të rrëzuar qeverinë” duke financuar lëvizjen e Gezi.

Lëvizja Gezi

Përdorimi i tepruar i forcës nga policia gjatë trazirave tërheq vëmendjen e të gjithë botës tek njeriu në kontrollin e pushtetit, por që disa e konsiderojnë si model demokracie.

I përshkruar si një “diktator” nga kundërshtarët e tij, i kritikuar nga udhëheqësit perëndimorë, simpatitë e të cilëve ai kërkonte të tërhiqte, veçanërisht në lidhje me dosjen evropiane, Erdogan u përpoq me mënyrën e tij, të diskreditojë protestën.

“Si një politikan populist, Erdogan beson se vullneti i popullit është gjëja më e shenjtë në politikë”, thotë Ezgi Elçi, studiues në shkencat politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin Özyeğin.

“Por në vend që të interpretonte protestat si pakënaqësi të qytetarëve, Erdogan i shihte ato si një kërcënim për vullnetin e popullit dhe autoritetin e tij”.

Në të njëjtën kohë që drejtonte shpërndarjen me forcë të protestuesve antiqeveritar, kryeministri organizoi mitingje të quajtura “Respekt për vullnetin e popullit” ku grumbulloheshin mijëra mbështetës të tij.

I marrë që në fillim nga elitat politike dhe ushtarake të vendit, që përbëjnë establishmentin sekularist, Erdogan e paraqiste veten si një njeri autentik të popullit, duke përfaqësuar shumicën e heshtur të myslimanëve të devotshëm që nuk kanë pasur zë gjatë pushtetit të kemalistëve dhe nën laicizmin e tyre të imponuar.

Por ish-kryebashkiaku i Stambollit, i cili shkoi në burg në vitin 1999, pasi recitoi publikisht një poezi islamike që mbronte dhunën në shërbim të fesë, ende kishte frikën se një grusht shteti do të mund ta rrëzonte atë, siç kishte ndodhur disa herë në shekullin e kaluar në Turqi.

Kështu që lëvizja Gezi, e interpretuar nga regjimi si një “kryengritje laike e mbështetur nga ish-fuqitë tutelare” sipas Ezgi Elçit, përbënte në sytë e tij një kërcënim serioz.

Aq më tepër që kryeministrin e shqetësonte edhe një aspekt tjetër.

Rastet e supozuara të korrupsionit, përvetësimit dhe pastrimit të parave që kishin vënë në shënjestër anëtarët e AKP-së po tërhiqnin zvarrë partinë e shumicës dhe po kërcënonin të minonin imazhin e tij si një njeri i ndershëm i popullit.

Edhe këtu, Erdogan sheh në këtë ndërmarrje një përpjekje të orkestruar për të minuar pushtetin e tij.

“Asnjë forcë e errët, qoftë nga brenda apo jashtë, nuk do të na tregojë vijën që duhet të ndjekim”, nisi fjalën e tij gjatë një takimi, ndërsa 56 drejtues të AKP-së, përfshirë roja e tij e ngushtë, ishin vënë në mbajtjen e policisë.

Më konkretisht, kryeministri akuzon ish-aleatin e tij, Fethullah Gylen, i larguar në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1999, si burim i këtij skandali.

Në krye të një vëllazërie me ndikim në Turqi dhe një rrjeti të gjerë shkollash dhe biznesesh fetare, predikuesi u ka shërbyer prej kohësh interesave të pushtetit, veçanërisht duke forcuar fuqinë e butë të politikës së tij të jashtme, përpara se të merrte distancën prej saj.

Iluzione madhështie dhe një kthesë konservatore

I kontestuar brenda vetë partisë që ai bashkëthemeloi në 2001, Erdogan filloi të dyfishonte përpjekjet e tij për të joshur fibrën nacionaliste dhe konservatore të bazës së tij elektorale.

I vendosur për ta pozicionuar veten si një Mustafa Kemal Ataturk i ri, babai i Turqisë moderne, Erdogani synonte të linte një gjurmë të qëndrueshme në peizazh.

Në Stamboll, i pushtuar nga ethet e ndërtimit, ai ndërmori vepra të mëdha të frymëzuara nga e kaluara e lavdishme e epokës osmane.

Në pak muaj, ai përuroi tunelin e parë nën Bosfor, nisi ndërtimin e xhamisë gjigante të Camlicës, e cila mund të strehonte 60 mijë besimtarë dhe madje kishte një ashensor për imamin.

Ai zgjeroi gjithashtu vendin e aeroportit të ardhshëm të shpallur si më i madhi në botë, si dhe Kanal Stambollin, një kanal 40 kilometra midis Detit të Zi dhe Detit Marmara, me qëllim lehtësimin e mbipopullimit në Bosfor.

Projekte të mëdha të cilët çdo herë ngjallnin indinjatën e një pjese të popullsisë që shihte tek ato paraqitjen e një shkatërrimi turpërues financiar dhe mjedisor. Fëmija nga lagjet e varfra të Kasimpashës ëndërronte të bëhej një sulltan i kohëve moderne.

Në Ankara, ai ndërtoi një pallat të ri presidencial, “Pallatin e Bardhë”, i përbërë nga një mijë dhoma në një park të vendosur në një zonë të mbrojtur dhe inauguruar më 29 tetor 2014.

Gjesti ishte i mbushur me simbologji.

Duke braktisur pallatin Ankaya të pushtuar dikur nga Mustafa Kemal Atatürk, Erdogan synonte të shënonte një ndarje me trashëgiminë kemaliste dhe të riparonte kështu zhgënjimet historike të shkaktuara nga elitat laike në dëm të islamistëve, të cilët, sipas tij, përfaqësonin humbësit e mëdhenj të historisë.

“Për AKP-në, njerëzit e vërtetë në Turqi janë pasardhësit e Perandorisë Osmane, të shkatërruar sipas tij nga elitat e korruptuara laike ndaj të cilave ai kërkon hakmarrje. Duke iu kthyer nostalgjisë osmane, Erdogan përfaqëson atdheun e humbur në sytë e islamistëve”, analizon Ezgi Elçi.

Në të njëjtën kohë, toni i Erdoganit ngurtësohet.

Më 10 gusht 2014, ai u zgjodh President i Republikës së Turqisë në raundin e parë me 51.8% të votave dhe shpalli synimin e tij për të zgjeruar kompetencat e zyrës presidenciale duke modifikuar Kushtetutën.

Një masë e miratuar me një shumicë të ngushtë me referendum tre vjet më vonë, në 2017.

“Goditja më e rëndë për demokracinë turke”, thotë Ezgi Elçi.

Falë këtij rishikimi kushtetues, sistemi parlamentar bëhet presidencial dhe tashmë kreu i shtetit mund të ndërhyjë në emërimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve (HSYK), përgjegjës për emërimin e magjistratëve.

Një mënyrë për të vënë sistemin gjyqësor në kontrollin e regjimit, në një kohë kur spastrimet politike po merrnin një dimension të ri. Sepse disa muaj më parë, në natën e 15-16 korrikut 2016, një ngjarje e madhe do të konfirmonte frikën e reis-it.

Puçi

Duke pretenduar se dëshironte të “rivendos lirinë dhe demokracinë”, një pjesë e ushtrisë turke u përpoq të organizonte një grusht shteti.

Deri në orën dy të mëngjesit, puçistët arritën të merrnin valët e televizionit publik dhe shpallën shtetrrethim në të gjithë territorin.

Dukshëm i tronditur, Recep Tayyip Erdogan, u shfaq në kanalin televiziv CNN-Türk në një intervistë të shkurtër të realizuar nëpërmjet videokonferencës nga smartfoni i prezantuesit. Presidenti turk i bëri thirrje popullatës që “të zbresë masivisht në sheshe dhe aeroporte” për t’iu kundërvënë ushtrisë, duke shkaktuar skena të paprecedentë dhune në rrugët e kryeqytetit dhe Stambollit.

Do të humbasin jetën 265 viktima, do të lëndohen 1 mijë e 440 persona të tjerë. Ndër viktimat, 104 puçistë u vranë dhe më shumë se 2 mijë e 800 ushtarë u arrestuan sipas shifrave të dhëna nga Shefi i Shtabit të Mbrojtjes.

“Grushti i shtetit është një hap i madh në paradigmën e sigurisë së Turqisë”, thotë Batu Coskun, analist i politikave mbi rreziqet për institutin e mendimit MASA Strategies me qendër në Ankara.

Grushti i shtetit iu atribuua nga autoritetet turke Fethullah Gylenit dhe më pas shërbeu si pretekst për të spastruar nga aparati shtetëror të gjitha reletë e lëvizjes gyleniste.

2 mijë e 745 gjyqtarë do të shkarkohen nga postet e tyre në javët pas tentativës për grusht shteti.

Në media, gazetarët e akuzuar se janë pro Gylenit detyrohen të japin dorëheqjen ose arrestohen menjëherë.

Rikthimi i dënimit me vdekje parashikohet gjithashtu më pak se 48 orë pas puçit. Në emër të vullnetit të popullit, edhe një herë në rrezik, Erdogan po centralizonte gradualisht të gjitha levat e influencës.

“Duke ushqyer një retorikë ne kundër tyre, institucionet e demokracisë liberale si shteti i së drejtës, ndarja dhe balanca e pushteteve si dhe liria e shtypit, vendosen si pengesa për vullnetin e popullit, përfaqësues i të cilit Erdogani bën vetëm veten”, shpjegon Ezgi Elçi.

Politikisht, grushti i dështuar përshpejtoi ultranacionalizimin e partisë presidenciale.

Në shkurt 2018, AKP formoi një aleancë me Partinë e Veprimit Nacionalist të ekstremit të djathtë (MHP) dhe theu përfundimisht politikën e saj të tolerancës me gjeometri të ndryshueshme ndaj komunitetit kurd, të akuzuar për mbështetjen e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), një organizatë e klasifikuar si terroriste nga Ankaraja, Brukseli dhe Uashingtoni.

Në vitin 2019, formacioni politik pro-kurd i Partisë Demokratike të Popullit (HDP) i ofroi kështu mbështetjen e tij partisë së parë opozitare, Partisë Popullore Republikane (CHP), gjatë zgjedhjeve komunale duke privuar AKP-në nga pozicionet kyçe në qytetet kryesore në vend.

Si përgjigje, qeveria nisi një procedurë ligjore, gjerësisht të denoncuar, kundër HDP-së, të cilën ajo kërcënoi ta ndalonte dhe rinovoi zgjedhjet bashkiake dy muaj më vonë, duke thënë se ishte bërë fjalë për vjedhje votash.

Ata do të vazhdojnë me një tjetër dështim të AKP-së.

Skenari po rivizatohej me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme të 14 majit.

HDP, fati i të cilit ende nuk ishte vendosur, inkurajoi votuesit e saj të votojnë për kandidatin e opozitës Kemal Kiliçdaroglu (CHP), i vendosur pothuaj në të njëjtin nivel në sondazhet me presidentin turk.

Mbështetje që i lejon Erdoganit të diskreditojë në masë të madhe kundërshtarin e tij.

“Kombi im nuk do t’ia dorëzojë vendin e tij kujtdo që bëhet president me mbështetjen e Kandilit”, deklaroi së fundmi reis-i gjatë një takimi të fushatës elektorale, duke iu referuar maleve të Kandilit, në kufi midis Irakut dhe Iranit dhe që përbëjnë bazën kryesore të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Pak ditë para zgjedhjeve, zërat për rrezikun e vënies në pikëpyetje të tranzicionit demokratik në rast të fitores së opozitës, po bëheshin gjithnjë e më të fortë./Marrë nga “L’Orient le Jour”

erdogan sulltan kohe moderne

Lini një Përgjigje