TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Shtator 2025, 11:35

Eksod biblik në Gaza, 700 mijë njerëz braktisin qytetin brenda një dite

Shkruar nga Pamfleti
Eksod biblik në Gaza, 700 mijë njerëz braktisin qytetin brenda
Gaza

Ofensiva tokësore izraelite në qytetin e Gazës ka detyruar qindra mijëra palestinezë të largohen, me dhjetëra mijë të ikur vetëm brenda një dite, thanë mbrëmë burime të sigurisë izraelite.

Sipas këtyre burimeve, numri i përgjithshëm i të zhvendosurve në qytet ka arritur rreth 700 mijë, nga afërsisht 640 mijë që ishte një ditë më parë.

Shifrat nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, por dëshmitarë okularë raportojnë se turma njerëzish vazhdojnë të largohen çdo ditë nga qyteti i goditur rëndë.

Aktualisht nuk ka vlerësime të reja palestineze për ata që po zhvendosen drejt jugut të Rripit të Gazës.

Para ofensivës, në Qytetin e Gazës jetonin rreth 1 milion palestinezë.

Shefi i ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, u bëri thirrje banorëve të shkëpusin lidhjet me Hamasin, duke deklaruar se konflikti dhe vuajtjet do të përfundonin nëse grupi islamik militant do të lironte pengjet dhe do të dorëzonte armët.

Sipas burimeve ushtarake, Zamir tha se ofensiva në Qytetin e Gazës po krijon kushtet për lirimin e pengjeve dhe për mposhtjen e Hamasit.

Ndërkohë, të afërmit e pengjeve të marrë nga Izraeli shprehën shqetësim gjithnjë e më të madh për sigurinë e tyre, teksa ofensiva ushtarake po ashpërsohet.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u nis gjatë natës për në Shtetet e Bashkuara për t'iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork dhe për t'u takuar me Presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Para se të largohej, Netanyahu theksoi se "nuk do të ketë shtet në tokën e Izraelit". Ai deklaroi se do të diskutonte me presidentin Trump "nevojën për të përmbushur objektivat e luftës, kthimin e të gjithë pengjeve, mposhtjen e Hamasit dhe zgjerimin e rrethit të paqes që sipas tij “është hapur para nesh pas fitores historike në Operacionin Rising Lion dhe fitoreve të tjera që kemi arritur", duke iu referuar luftës 12-ditore të Izraelit me Iranin.

Netanyahu shtoi se në fjalimin e tij në OKB, ai synon "të denoncojë udhëheqësit të cilët, në vend që të dënojnë vrasësit, duan t'u japin atyre një shtet në zemër të Tokës së Izraelit. Kjo nuk do të ndodhë".

eksod biblik në gaza 700 mijë njerëz braktisin qytetin

Lini një Përgjigje