
Pikërisht në momentin kur ekonomia botërore po shfaqte shenja stabilizimi, po rriten ndjeshëm shanset për një recesion global të shkaktuar nga politikat e fundit të Donald Trump.
Edhe pse është e parakohshme të bëhet një pretendim i tillë, rënia e tregtisë globale dhe pasiguria e nxitur nga politikat e Trump, do ta frenojnë rritjen ekonomike në muajt në vijim.
Koha e mbërritjes së kësaj krizës, nuk mund të ishte më pak e përshtatshme. Pikërisht në momentin kur ekonomia botërore po shfaqte shenja stabilizimi, po rriten ndjeshëm shanset për një recesion global të shkaktuar nga politikat e fundit të Donald Trump.
Përditësimi i fundit i indeksit Brookings-FT Tiger (Indekset e Gjurmimit të Rimëkëmbjes Ekonomike Globale) zbulojnë një panoramë të përzier, me një rënie të indekseve financiare por edhe të besimit të sektorit privat, edhe pse të dhënat makroekonomike sugjerojnë një skenar më optimist.
Natyrisht, faktori më i madh në këtë parashikim, është politika tarifore e presidentit amerikan Donald Trump, e cila e ka tronditur tregtinë botërore dhe ka nxitur trazira në tregjet financiare, duke i dëmtuar seriozisht perspektivat e rritjes ekonomike, që dukeshin premtuese në fillim të këtij viti.
Ekonomia amerikane, pati një ecuri të mirë në 3-mujorin e parë të këtij viti. Prodhimi dhe punësimi u rritën fuqishëm deri në mars, dhe inflacioni ra ndjeshëm. Por gjithçka ndryshoi në fillim të këtij muaji me njoftimin nga Trump të tarifave “reciproke” ndaj të gjithë partnerëve tregtarë të SHBA-së.
Që nga ajo ditë, tregjet financiare janë ende duke u rimëkëmbur dhe një pauzë e mëvonshme e tarifave (përveç importeve nga Kina) dhe ndryshimet që janë kryer, kanë pasur pak ndikim në amortizimin e goditjes së fortë që erdhi nga Shtëpia e Bardhë. Pasiguria e ka dëmtuar rëndë besimin e konsumatorëve.
Ka shumë të ngjarë që ajo të ndikojë jo pak tek investimet e biznesit dhe rritjen e punësimit. Si për t’i përkeqësuar më tej gjërat, në kushtet kur kostot e tarifave kalojnë tek konsumatorët amerikanë dhe nxisin inflacionin, do të kufizohet dhe aftësia e Rezervës Federale të SHBA për të mbështetur ekonominë dhe për të parandaluar trazirat financiare.
Efektiv goditës i tarifave, e ka rritur tashmë mundësinë e ngecjes në vend të ekonomisë amerikane, dhe politikëbërja e saj do të mbetet e paparashikueshme dhe pa ndonjë logjikë të qartë ekonomike. Ndërkohë, ekonomia e eurozonës vijon të operojë në dy shina.
Vendet kryesore si Austria, Franca dhe Gjermania kanë një ecuri ekonomike të dobët, dhe po përballen me presione të mëdha fiskale, sidomos tani që trazirat politike po rritin kostot e huamarrjes. Nga ana tjetër, Greqia, Italia, Portugalia dhe Spanja po shfaqen më mirë.
Në perspektivë, përshkallëzimi i tensioneve tregtare ka të ngjarë të dëmtojë burimet kryesore të prodhimit. Ndërkohë ekonomitë japoneze dhe britanike kishin përjetuar një rritje modeste, por kjo mund të përfundojë së shpejti, duke pasur parasysh brishtësinë e tyre bazë, mungesën e hapësirës për manovra politike dhe ekspozimin ndaj tensioneve tregtare globale.
Ekonomia e Kinës, e cila kishte shfaqur shenja stabilizimi, përballet tani me një sfidë të madhe. Kapaciteti i saj industrial në zgjerim, nuk është përshtatur me kërkesën e brendshme (siç reflektohet në presionet e vazhdueshme deflacioniste), dhe tani ajo po përballet me një luftë tregtare të gjithanshme me Shtetet e Bashkuara.
Kina është përballur me guxim ndaj rritjes së tarifave të Trump, duke vendosur tarifa hakmarrëse dhe masa të tjera që synojnë t’i shkaktojnë probleme ekonomisë amerikane. Por ajo ka një kufizim në këtë strategji, duke pasur parasysh kërkesën e dobët të konsumatorit kinez dhe nxitimin e vendeve të tjera për të parandaluar një vërshim të eksporteve kineze.
Ndërsa Kina ka hapësirë për t’i përdorur politikat fiskale dhe monetare për forcimin e konsumit të brendshëm, kjo do të funksionojë vetëm nëse plotësohet me reforma më të gjera të ndërtimit të besimit. Ekonomia e Indisë, vazhdon të ketë një ecuri të mirë, për shkak të konsumit të fortë në zonat rurale dhe një sektori të fuqishëm të shërbimeve.
Ajo ka qenë e izoluar nga efektet më të këqija të tarifave të vendosura nga SHBA-ja për shkak të zgjerimit të kërkesës së saj të brendshme, tregjeve financiare elastike, dhe rolit që luan si një bazë alternative e zinxhirit të furnizimit për korporatat amerikane që po zhvendosen nga Kina.
Në Brazil, një rritje e shpenzimeve konsumatore ndihmoi në kompensimin e rënies së eksporteve në vitin 2024. Por politika fiskale më e lirshme solli inflacion dhe një rritje më të dobët. Me rënien e besimit të konsumatorëve dhe të biznesit, ky mund të jetë një vit mjaft sfidues.
Po ashtu, Afrika e Jugut do të vazhdojë të hasë vështirësi, për shkak të mungesave të vazhdueshme të energjisë, rritjes së ngadaltë dhe dobësimit të monedhës. Së fundi, goditjet e dyfishta të tarifave të SHBA-së dhe rritja e kapacitetit të tepërt në Kinë, do kufizojnë ndjeshëm rritjen në vendet e tregjeve të zhvilluara dhe ato në zhvillim, veçanërisht ato që varen shumë nga eksportet (si në Azinë Juglindore).
Njëherazi, ndërprerjet e tregtisë, ngarkesat në rritje të shërbimit të borxhit dhe flukset e zvogëluara të ndihmës së huaj, do të kenë një ndikim negativ të madh për vendet me të ardhura të ulëta në Afrikë dhe gjetkë. Teksa tarifat e Trump po shkaktojnë një rritje të masave proteksioniste në të gjithë botën, ka marrë fund epoka e tregtisë gjithnjë e më të lirë dhe të papenguar.
Ndërsa nuk ka shumë gjasa të shohim një tërheqje në shkallë të plotë nga tregtia e lirë, modelet e tregtisë globale do të vazhdojnë të ndryshojnë, pavarësisht se si do të funksionojnë tarifat e vendosura nga Trump ndaj thuajse gjithë vendeve të botës.
Edhe përpara se presidenti Trump të shpallte këto masa, tregtia ndërkombëtare po bëhej më e fragmentuar si rezultat i ndarjeve gjeopolitike gjithnjë e në rritje. Dhe meqenëse financat priren të ndjekin tregtinë, fragmentimi i tregtisë globale do të sjellë në përgjithësi lidhje më të dobëta ekonomike ndërkufitare.
Edhe nëse luftërat tarifore do të zbehen dhe pasojat ekonomike do të zbuten disi, korporatat në mbarë botën do të veprojnë në një peizazh global shumë më të pasigurt dhe të paqëndrueshëm. Ndonëse është e parakohshme të pohohet se është shumë pranë një recesion ekonomik global, rënia e volumit të tregtisë globale dhe pasiguria e ngritur për shkak të politikave më të fundit të SHBA-së, do ta ngadalësojnë pa asnjë diskutim rritjen ekonomike.
Në këto kushte, çdo vend duhet të ruajë çfarëdolloj hapësire që ka në fushën e politikave ekonomike, në mënyrë që t’i përdorë këto mjete me një efekt maksimal nëse rritja ekonomike kombëtare do të ngadalësohet ndjeshëm. Reformat për të nxitur fleksibilitetin dhe qëndrueshmërinë ekonomike, së bashku me masat për të nxitur kërkesën e brendshme, do të bëhen vendimtare për të përballuar sfidat që po shihen në horizont./Përshtati “Pamfleti” nga “Project Syndicate”
Lini një Përgjigje