
Merz kërkoi një kthesë të politikës gjermane përkundrejt çështjes së migracionit. Dhe ai e ka sfiduar Scholz, duke thënë është gati të punojë me të për ta realizuar ndryshimin. Oferta për të bashkëpunuar me opozitën mbi çështjen shumë të ndjeshme siç është migracioni, e ka vendosur Scholz në një pozicion shumë të vështirë.
Tronditja e madhe u kthye me shpejtësi në zemërim në Gjermani, kur një azilkërkues sirian u arrestua për sulmin brutal me thikë në qytetin e Solingenit fundjavën e kaluar. Tre persona humbën jetën dhe tetë të tjerë u plagosën nga një burrë që nuk kishte të drejtë të qëndronte në Gjermani.
Politikanët nga qeveria e koalicionit reaguan përmes një morie deklaratash, duke kërkuar çdo gjë, nga ligjet më të ashpra për mbajtjen e thikave, deri tek dëbimet më të shpejta të emigrantëve të paligjshëm. Por shumë votues duan të shohin më shumë se sa vetëm disa ndryshime në sistemin e migracionit, përpara se të nisin të ndihen sërish të sigurt në rrugët e Gjermanisë.
Duke parë gjendjen e tensionuar në mbarë vendin, lideri i opozitës Friedrich Merz i ka bërë thirrje kancelarit Olaf Scholz për një reagim që shkon përtej “ritualeve boshe” të pikëllimit.
“Mjaft... Në këtë aspekt s’duhet të ketë më tabu!”- deklaroi kristiandemokrati në një konferencë shtypi të martën pasdite.
Merz kërkoi një kthesë të politikës gjermane përkundrejt çështjes së migracionit. Dhe ai e ka sfiduar Scholz, duke thënë është gati të punojë me të për ta realizuar ndryshimin. Oferta për të bashkëpunuar me opozitën mbi çështjen shumë të ndjeshme siç është migracioni, e ka vendosur Scholz në një pozicion shumë të vështirë.
Nëse refuzon ofertën e Merz, do t’i ketë duart e lidhura. Muajt e fundit, koalicioni i tij i brishtë 3-partiak ka qenë në prag të shpërbërjes. Me partinë e Gjelbër pro-migracionit si një pjesë integrale e shumicës së tij, Scholz nuk ka gjasa të ndërmarrë ndonjë masë për të kufizuar numrin e njerëzve që hyjnë në vend.
Ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock, që vjen nga radhët e të Gjelbërve, nuk po tregon asnjë shenjë të ndryshimit të qëndrimit ndaj migracionit edhe pas ngjarjes në Solingen. Gjatë një takimi elektoral në landin lindor të Saksonisë, ku të dielën mbahen zgjedhjet rajonale, ajo tha:”Edhe nëse shumë njerëz flasin me urrejtje për emigrantët, ne s’do të ndryshojmë qasje ndaj tyre”.
Fjalët e saj i bëjnë jehonë sloganin e famshëm të Angela Merkel “Ne mund ta bëjmë këtë!”, me të cilin ajo u përpoq të grumbullonte mbështetje për politikën e saj kufitare në vitin 2015, kur lejoi mbi 1 milion azilkërkues të hyjnë në vend. Baerbock shkoi edhe më tej të mërkurën, duke deklaruar “Ne mund ta bëjmë këtë sërish!”.
Pra mesazhi për Scholz është i qartë:nëse do që ta ashpërsojë politikën ndaj migracionit, duhet ta bëjë këtë pa të Gjelbrit. Një opsion për kancelarin, është të mos bëjë asgjë, duke shpresuar se kjo valë zemërimi do të kalojë. Një strategji e rrezikshme, që mund ta ulë më tej nivelin e tij të popullaritetit tashmë shumë të ulët.
Social Demokratët janë prej kohësh prapa në sondazhe ndaj AfD-së së ekstremit të djathtë dhe po shkojnë drejt rezultatit të tyre më të keq zgjedhor në historinë moderne. Ose mund të bashkëpunojë me opozitën, konkretisht me Kristian Demokratët (CDU) të Merz, me të cilët do të kishte edhe shumicën e vendeve në parlament.
Por kjo do ta detyrojë të pranojë udhëheqjen e tyre, në një çështje që është tepër e rëndësishme për votuesit. Merz është treguar shumë i kujdesshëm, duke e pozicionuar lëvizjen e tij të guximshme si të motivuar nga zemërimi dhe shqetësimi i vërtetë, dhe jo nga konsideratat partiake-politike. Në konferencën për shtyp, ai theksoi se nuk është thjesht udhëheqësi i opozitës, por edhe “qytetar i shtetit”.
Ai përsëriti 6 herë se në kërkesat e tij nuk ka “asnjë taktikë politike”, por vetëm shqetësim për gjendjen e kombit gjerman. Megjithatë, fakti është se ai po përdor ngjarjen e Solingenit për qëllimet e tij politike. Sepse ishte partia e tij, në atë kohë nën drejtimin e Angela Merkel, që hapi kufijtë e Gjermanisë për një numër rekord azilantësh dhe emigrantësh të paligjshëm.
Që nga kriza e 2015-ës, në Gjermani kanë mbërritur refugjatë të tjerë, shumica nga Siria dhe Afganistani. Në fund të vitit të kaluar, në Gjermani regjistroheshin mbi 3 milionë azilkërkues, ose sa 4 për qind të popullsisë së vendit. Dhe në vend se të marrë përsipër trashëgiminë e koleges së tij Merkel, Merz po e kritikon tani politikën e saj, duke e zhvendosur CDU sërish në bazamentin konservator mbi të cilën u themelua pas Luftës së Dytë Botërore.
Shumë analistë, thonë se plani i Merz për një ndryshim radikal të politikën aktuale ndaj migracionit, mund të jetë jorealist. Një nga kërkesat e tij të menjëhershme, ishte mospranimi i azilkërkuesve të rinj nga Siria dhe Afganistani, gjë që do të kërkonte një ndryshim të parimeve themelore ligjore siç janë ligjet kundër diskriminimit.
Ministri i Drejtësisë Marco Buschmann nga Partia Liberal Demokrate (FDP), tha se “nuk mund të themi si pa të keq që tani e tutje askush nuk lejohet të vijë më tek ne”. Gjithsesi Merz nuk ka gjasa të shqetësohet nga vështirësitë ligjore që paraqesin kërkesat e tij. Ofrimi i një rrugëdalje për Scholz nga kaosi i koalicionit të tij jopopullor, synohet si një mesazh për votuesit për rrugën që do të ndiqte vetë Merz nëse do të ishte kancelar.
Teksa zgjedhjet federale janë planifikuar të mbahen vitin e ardhshëm, Merz dëshiron të kandidojë për postin e kancelarit, dhe ai është duke u përgatitur që tani. Kjo skemë e tij ka të ngjarë të funksionojë. CDU kryesonte në sondazhe me një diferencë të madhe edhe përpara ngjarjes së Solingenit.
Ndërsa sondazhi i parë pas sulmit, tregoi një rritje me 1 për qind për partinë e tij, e cila tani ka 31.5 për qind të votave. SPD e Scholz humbi gjysmë për qind dhe tani renditet me vetëm 15 për qind. Interesant është fakti që edhe AfD humbi gjysmë për qind, gjë që tregon se lëvizja e Merz mund të tërheqë votuesit nga skajet politike drejt qendrës së djathtë.
Një tjetër sondazh në internet, tregoi se gati 80 për qind e njerëzve, nuk i besojnë më koalicionit të Scholz në përballje me ekstremizmin. Strategjia e Merz, mund të funksionojë mirë edhe nëse nuk do të realizohen masat e veçanta që synon. Scholz i është përgjigjur kërkesës, duke rënë dakord për krijimin e një task-force të përbërë nga përfaqësues të opozitës dhe 16 landeve gjermane.
Shumë gjermanë, e pranojnë se një ndryshim domethënës ndaj kësaj çështje do të marrë kohë. Një sondazh i kryer pas masakrës së Solingenit, tregoi se shumica kërkojnë më mirë një përgjigje të menduar mirë, sesa një përgjigje të shpejtë. Pra, Merz nuk ka nevojë të ofrojë për momentin asgjë specifike.
Dhe kjo i jep kohë udhëheqësit të opozitës për t’u paraqitur si dikush që është i prirur të veprojë për kufizimin e migracionit të paligjshëm dhe të numrit të azilkërkuesve, pa anuar aq shumë në të djathtë sa AfD-ja. Më herët Merz ka pasur një qëndrim më të paqartë ndaj refugjatëve.
Po ashtu ai ka një problem me popullaritetin. Në një sondazh të kohëve të fundit, vetëm 8 për qind e njerëzve mendonin se ai ishte kandidati më i mirë për postin e kancelarit. Kolegu i tij Marcus Söder nga partia simotër bavareze e CDU-së, Unioni Kristian Social (CSU) ishte përpara tij në sondazhe.
Nëse Gjermania do ta ndryshojë vërtet politikën e saj mbi migracionin në të ardhmen e parashikueshme kjo është ende e dyshimtë, pasi koalicionit qeverisës i mungon vullneti dhe uniteti për të zbatuar masat, dhe opozita nuk mund të veprojë vetë. Por teksa të gjitha partitë tradicionale i frikësohen rritjes së AfD-së, ato kanë tani shansin ta privojnë të djathtën ekstreme nga oksigjeni politik./Përshtati "Pamfleti", nga “The Spectator”
Shënim: Katja Hoyer, historiane anglo-gjermane. Libri i saj i fundit titullohet “Përtej Murit:Gjermania Lindore në vitet 1949-1990”.
Lini një Përgjigje