
Bosi holandez i drogës Ridouan Taghi, cilësohet aq i rrezikshëm saqë u gjykua në një magazinë të kthyer në bunker në Amsterdam, i ruajtur nga qindra forca speciale të maskuara, dhe dronë që qarkullonin sipër godinës për të parandaluar një arratisje apo sulm të mundshëm.
Amsterdam - Krimi i organizuar është konsideruar deri vonë si një kërcënim i largët në pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore. Por tani dhuna e pamëshirshme e bandave kriminale, po trondit paqen në disa prej shoqërive më të sigurta në botë. Suedia ka aktualisht shkallën më të lartë të vrasjeve me armë në Evropë, ndërsa ushtria suedeze po e ndihmon policinë të luftojë bandat e rrugës.
Në Danimarkë, banorët e komunës Christiania e mbyllën tregun e tyre të famshëm të kanabisit në ambient të hapur, pasi ai u pushtua nga bandat e dhunshme. Në Belgjikë, ushtria ka nisur të ruajë kamionët që bartin kokainën e sekuestruar, për të parandaluar vjedhjen e saj nga kriminelët.
Një nga ngjarjet më alarmante, që tregon se çfarë po shkakton trafiku i drogës mbi shoqëritë evropiane prej kohësh paqësore në fillim të shekullit XXI, ndodhi në fillim të këtij viti në Holandë, një vend i njohur prej kohësh për qëndrimin tolerant ndaj drogave rekreative.
Bosi holandez i drogës Ridouan Taghi, cilësohet aq i rrezikshëm saqë u gjykua në një magazinë të kthyer në bunker në Amsterdam, i ruajtur nga qindra forca speciale të maskuara, dhe dronë që qarkullonin sipër godinës për të parandaluar një arratisje apo sulm të mundshëm. Kur gjyqtarët e shpallën fajtor për përfshirje në 5 vrasje dhe 2 tentativa për vrasje, fytyrat e tyre u fshehën dhe emrat e tyre nuk u zbuluan për mediat.
“Ai ka arritur të nxisë frikë në mendjet e njerëzve”, tha deputeti holandez Ulysse Ellian për Taghin, i cili u dënua me burgim të përjetshëm. Gjatë procesit gjyqësor 6-vjeçar që çoi në dënimin e Taghit, 3 persona të lidhur me dëshmitarin kryesor u qëlluan për vdekje në rrugët e Amsterdamit:vëllai, avokati i tij dhe një gazetar i njohur i kronikës së zezë që i ishte bashkuar palës mbrojtëse të dëshmitarit.
“Ne kemi pasur vrasje edhe më parë. Por Taghi po shënjestron edhe njerëz që nuk janë pjesë e botës së krimit”, shprehet Robby Roks, profesor i asociuar i kriminologjisë në Shkollën Juridike Erasmus në Roterdam. Ky rast ngre pikëpyetjen se çfarë mund të bëjnë edhe nga qelia e burgut këta kriminelë me burime në dukje të pakufizuara.
Në fund të muajit të kaluar, djali 23-vjeçar i Taghit, Faissal, u ekstradua nga Emiratet e Bashkuara Arabe me kërkesë të autoriteteve holandeze, për shkak të dyshimit për pjesëmarrje në një organizatë kriminale të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës, pastrim parash dhe përgatitjen e krimeve të dhunshme. Tani gjendet në të njëjtin burg të sigurisë maksimale si i ati.
Ellian, një deputet i ri i parlamentit holandez, po ushtron presion që të burgosurit e rrezikshëm të ndahen nga të burgosurit e tjerë dhe njerëzit jashtë. Pa veprime të shpejta ne rrezikojmë shumë thotë ai. Një raport i fundit nga Europol dhe EMCDDA, agjencia e BE-së për drogën, tregon se disa vende evropiane po përjetojnë “nivele të paprecedenta të dhunës të lidhura me trafikun e drogës, përfshirë vrasjet, torturat, rrëmbimet dhe frikësimet”.
Raporti identifikoi 821 rrjete të rënda kriminale aktive në BE, me më shumë se 25.000 anëtarë.
Tani Brukseli e konsideron krimin e organizuar si një kërcënim po aq të madh për shoqëritë evropiane sa edhe terrorizmi.
“Dhuna po destabilizon shoqërinë dhe kontratën sociale që ne kemi njohur. Dikur ajo ndodhte më shumë në pikat e tranzitit, si aeroportet, dhe midis grupeve specifike. Tani po përhapet gjithnjë e më shumë në rrugë, me rrezikun e dëmtimit të civilëve të pafajshëm”, shprehet zëdhënësja e Europol, Claire Georges.
Europol e shpjegon këtë nivel të lartë dhune me globalizimit të trafikut të drogës, shtimin e kultivimit të kokas në Kolumbi dhe fragmentimin e zinxhirit të furnizimit. Bandat kanë krijuar një terren më të fortë në portet e mëdha evropiane, përfshirë Roterdamin në Holandë dhe Antëerp-Bruges në Belgjikë.
Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, në vitin 2019, sekuestrimet e kokainës në Evropë i tejkaluan për herë të parë ato të Amerikës së Veriut. Në 2021-in, viti më i fundit për të cilin ka të dhëna, autoritetet e BE-së kapën më shumë se 300 ton kokainë, një shifër rekord.
Taghi, 46 vjeç, lindi në Marok dhe mbërriti në Holandë qëkur ishte fëmijë. Që adoleshent, iu bashkua një bande që vepronte në qendrat tregtare lokale. Në fillim të viteve 2000, jetonte midis midis Dubait dhe Marokut, duke futur kanabis në Holandë.
Rritja e konsumit të kokainës në Evropë, i nxiti kartelet e Amerikës së Jugut të fillonin të lëviznin në këtë treg rreth vitit 2008. Kështu Taghi u përfshi në trafikun global të kokainës. Në një moment, banda e tij arriti të importonte rreth 1/3 e të gjithë kokainës që hynte në Holandë.
Ekonomia holandeze është e varur prej kohësh nga tregtia ndërkombëtare, dhe Porti i Roterdamit është më i madhi në Evropë. “Gjithçka që e bën Holandën tërheqëse për ekonominë legale, e bën po aq tërheqëse edhe për ekonominë e paligjshme”- thotë Pieter Tops, profesor në Universitetin e Leiden, autor i disa librave mbi efektet sociale të krimit të organizuar.
Që nga vitet 1970, ligjet e dobëta dhe kontradiktore të drogës, kanë nxitur ndërtimin e botës së krimit. Përdorimi rekreativ i kanabisit është i ligjshëm, por jo prodhimi i tij. Dhe kjo krijoi hapësirë për grupet e krimit të organizuar. Më pas bandat e zgjeruan aktivitetin e tyre në trafikimin e kokainës dhe prodhimin e drogave sintetike si ekstazi.
Prokurorët holandezë flasin përmendin vrasjet për të cilat Taghi u dënua filluan në vitin 2015. Ai urdhëroi vrasjen e një pronari dyqani, që i kishte dhënë policisë të dhëna mbi transaksionet e tij. Një gazetar i kronikës së zezë që kishte publikuar emrin e Taghit, u qëllua për vdekje jashtë një klubi në veri të Amsterdamit.
Në vitin 2016, Taghi u zhvendos me banim në Dubai, ku përdorte një pasaportë holandeze me një emër të rremë dhe vazhdonte aktivitetin kriminal. Por në vitin 2017, vrasësit e tij eleminuan personin e gabuar, dhe ndërmjetësi që organizoi vrasjen iu dorëzua policisë holandeze dhe u ofrua si dëshmitar kundër Taghit.
Në vitin 2019, policia e Dubait e arrestoi Taghi-n dhe e dërgoi në Holandë. Gjatë gjyqit, autoritetet holandeze morën masa sigurie ekstreme. Vetë kryeministri holandez Mark Rutte ndaloi së shkuari me biçikletë për në punë, teksa princesha holandeze Amalia e anuloi shkuarjen në vitin parë në universitet, për shkak të kërcënimeve të rrëmbimit nga njerëzit e Taghi-t.
Një sondazh i vitit të kaluar, tregoi se gjysma e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve holandezë, ndiheshin më pak të sigurt në punën e tyre për shkak të kërcënimeve ose frikësimeve, dhe gati 1/3 e tyre kishin ndryshuar rutinat e tyre të punës, përfshirë zëvendësimin e emrit në dosjet e çështjes me një kod shifror./Përshtati "Pamfleti" nga “Wall Street Journal”
Lini një Përgjigje