Tregjet financiare në Shtetet e Bashkuara u mbyllën në rritje të ndjeshme, të mbështetura nga rënia e çmimeve të naftës dhe shpresat për një ulje të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Sipas të dhënave zyrtare të tregut, indeksi industrial Dow Jones u rrit me 631 pikë, ose 1.38%, duke arritur në 46,208.47 pikë. Në të njëjtën linjë, indeksi Nasdaq, i dominuar nga kompanitë e teknologjisë, u rrit me 299.14 pikë (+1.38%), duke u mbyllur në 21,946.76 pikë.
Ndërkohë, indeksi më i gjerë S&P 500, që konsiderohet tregues i përgjithshëm i tregut, shënoi rritje prej 74.52 pikësh, ose 1.15%, duke arritur në 6,581 pikë.
Rritja e tregjeve lidhet kryesisht me zhvillimet gjeopolitike. Investitorët reaguan pozitivisht ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për mundësinë e negociatave me Iranin, çka ka ndikuar në uljen e çmimeve të naftës dhe në zbutjen e shqetësimeve për furnizimin global me energji.
Rënia e çmimeve të energjisë ka lehtësuar presionin mbi tregjet dhe ka nxitur pritshmëri për stabilizim ekonomik, në një moment kur tensionet në rajon kishin rritur pasigurinë ndërkombëtare.
Megjithatë, analistët vlerësojnë se reagimi pozitiv mbetet i ndjeshëm ndaj zhvillimeve të mëtejshme diplomatike, ndërsa çdo përshkallëzim i ri mund të ndikojë sërish në luhatjet e tregjeve globale.
Lini një Përgjigje