Të keqen nuk ka kush ta ndalë. Ne s’kemi forcë, dhe në realitet nuk e kemi pasur kurrë. Por as bota nuk di si t’i bëjë ballë të keqes...
Vetëm pas vrasjes së Alexei Navalny u bë e qartë se sa shumë po jetonim me shpresën e një të ardhmeje “normale”. Ne donim të besonim se gjithçka që po ndodhte rreth nesh ishte një lloj gabimi i përkohshëm. Pavarësisht zërit të arsyes në kokën tonë, në mendje kishim ende një imazh të turbullt të një të ardhmeje më të mirë.
Dhe ishte ai që po e diktonte sjelljen tonë. Navalny e vendosi jetën e tij në këtë të ardhme dhe në këtë mënyrë e bëri atë të ndjehet e prekshme për ne. Tani Putin na e ka treguar hapur se kjo e ardhme nuk ekziston. Besoj se është e rëndësishme që të mos zhytemi sërish në atë iluzion.
Në realitet, e keqja me të cilën po përballemi është më e tmerrshme sesa ne jemi në gjendje ta kuptojmë. Homazhet me lule dhe postimi i fotove të Yulia Navalnaya në rrjetet sociale, nuk do të bëjë të duket në horizont kjo e ardhme. Por vetëm do të na ngushëllojë.
Në videon ku Navalny u thotë rusëve të mos dorëzohen, ai flet për forcën që supozohet se e kemi. Unë nuk jam dhe aq e sigurt për këtë. Ndoshta ai vetë ndjeu forcën e tij dhe po e projektonte atë tek ne të tjerët. Mendoj se është e rëndësishme ta ndiejmë dobësinë tonë.
Për të parë qartazi se nuk kemi të ardhme dhe se jemi shumë të dobët. Për të parë se sa të ndarë jemi, dhe sa pak mund të bëjmë për të ndihmuar njëri-tjetrin. Të shpresosh se diçka krejtësisht normale do të ndodhë me Rusinë në të ardhmen e parashikueshme, është e rrezikshme.
Sepse po flasim për një proces shumë të lig që nuk do të përfundojë shumë shpejti. Dhe sepse Rusia është një vend i madh me një fuqi po aq të madhe. Mendoj se kjo vrasje ishte një mesazh për Perëndimin. Por besoj se mesazhin e dëgjoi edhe vetë Rusia. Për rusët mesazhi ishte: “Tradhtarët do të vriten!”.
Putin e kishte thënë këtë edhe më parë, por në ato raste tradhtarët ishin njerëz që kishin tradhtuar bandën e tij personale. Këtë herë ai nënkupton tradhtarët e atdheut. Dhe kjo nuk është një lloj porosie. Ajo funksionon ndryshe: të gjithë në të gjitha nivelet e kanë marrë mesazhin se janë mprehur thikat.
Mos harroni: kaluan vetëm 3 vjet nga vrasja e Sergei Kirov tek Spastrimi i Madh që nisi Stalini në vitin 1937. Në një tubim në Tbilisi në nderim të figurës së Navalny, disa gra të reja filluan të brohoritnin “Ne nuk kemi frikë!”. Unë do të doja t'u thosha: “Duhet të keni”. Sepse jemi të mbyllur në një qeli me një psikopat dhe duhet të kemi frikë prej tij. Ne duhet të jemi të qartë për faktin se gjërat do të shkojnë keq, dhe jo vetëm në Rusi. Me shumë gjasa lufta do të përshkallëzohet. Kur dëgjova për vrasjen e Navalny, mendimi im i menjëhershëm ishte se rusët do të pushtojnë edhe Gjeorgjinë.
Sepse ata nuk mund të ndalen më. Papritur e kuptova se lituanezët, letonët dhe gjeorgjianët, të cilët ishin tashmë në panik nga kërcënimi që përbënte Rusia, kishin parë gjithçka shumë qartë, ashtu si edhe unë. Sepse ne po e shikonim subjektivisht, nga brenda vetes, ndërsa ata objektivisht, nga jashtë.
Në thelb, Putin është i shqetësuar vetëm tani për grindjet me Perëndimin imagjinar. Është e qartë se ai e urrente dhe i frikësohej Navalny-t. Por ai po i zgjidh problemet e tij me Perëndimin në kokën e tij, brenda iluzioneve të tij. Ai ndihet mirë tani. Në front gjithçka po ecën mirë për trupat ruse.
Ndaj ai po u thotë atyre në Perëndim: “Hej ju budallenj, mendoni se ka ndonjë Rusi tjetër, një Navalny tjetër? Mendonit se do të negocionit me të më pas? Jo, jam unë me të cilin duhet të flisni, e kuptoni?”. Ai ka nevojë që ata të nënshtrohen dhe ta respektojnë, ndaj do ta përshkallëzojë situatën.
Nuk ka kush ta ndalë. Ne s’kemi forcë, dhe në realitet nuk e kemi pasur kurrë. Por as bota nuk di si t’i bëjë ballë të keqes. Çmenduria e Putinit, është vetëm një nga manifestimet e saj. Lufta po zgjerohet nga të gjitha drejtimet, dhe ne mund të gëlltitemi lehtësisht prej saj.
Me shumë mundësi, ne të gjithë duhet ta shpëtojmë veten individualisht. Opozita është e përçarë dhe e pafuqishme. Edhe në liri, atje në mërgim, anëtarët e saj nuk po përpiqen të bëjnë asgjë bashkë. Opozita nuk përpiqet të mbrojë interesat e miliona rusëve që kanë ikur nga vendi vitet e fundit. Dhe nuk mund ta imagjinoj dot një mënyrë për ta ndryshuar këtë gjendje.
Tani për tani, shpresa për të ardhmen na bën më shumë dëm sesa mirë. S'ka kuptim të gënjejmë veten: jemi shumë pak opozitarë dhe jemi shumë, shumë të dobët. E vetmja gjë që kemi është e tashmja, dhe ne jemi në mes të saj. Duhet ta kuptojmë se situata jonë është e keqe, dhe se nuk dimë çfarë të bëjmë.
Kur dëgjova për vdekjen e Navalny-t, doja t'i telefonoja të gjithëve. Tani për tani, kjo është e vetmja gjë në mendjen time: të jemi më pranë njëri-tjetrit. Të bëjmë një përpjekje të qëllimshme për të qenë më afër, për t'i kushtuar më shumë vëmendje njëri-tjetrit. Të analizojmë me kujdes se çfarë mund të ketë nevojë personi pranë jush.
Mendoj se tani është koha për të kaluar në modalitetin e urgjencës dhe për të provuar të veprojmë ndryshe. Ne duhet të përpiqemi me vetëdije t'i bashkojmë njerëzit rreth çdo gjëje të mundshme, edhe nëse është thjesht gatimi i darkës së bashku. Është e rëndësishme të mos mbyllemi, të jemi të hapur ndaj sugjerimeve dhe t'i besojmë njëri-tjetrit.
Kur Rusia nisi të bombardonte Kharkivin, arkëtaret në pak super marketet e mbetura u bënë menjëherë më të vëmendshme dhe më të sjellshme, sepse mund të mendonin se këta njerëz që po qëndronin në radhë mund të goditeshin nga momenti në moment nga ndonjë predhë. Kështu duhet të jemi. Mua më duket se vdekja e Navalny-t nuk është një shenjë se duhet të nxitojmë të hidhemi në betejë (gjithsesi kjo do të ndodhë), por se nuk kemi arritur të bëjmë diçka të rëndësishme gjatë gjithë kohës. Dhe kjo është arsyeja pse jemi katandisur kaq të dobët.
Siç na ndodh gjithmonë. Tani është shumë e rëndësishme të mbështeten nismat e njerëzve të mirë, edhe nëse ata kanë një këndvështrim tjetër. Ne duhet të vendosim një moratorium mbi grindjet brenda opozitës. Nëse nuk duam të vdesim nga ndonjë marrëzi, atëherë duhet të mësojmë.
Është e qartë se jemi mësuar të jetojmë në një jetë normale, ku shoqëria nuk të lë të zhdukesh. Gjykoj se duhet të kuptojmë se situata ka ndryshuar. Kam frikë se brenda pak vitesh do të bëhet e rrezikshme, që shumica e miqve të mi, të cilët nuk po bëjnë asgjë subversive, të qëndrojnë në Rusi.
Kur u vra Navalny, miku dhe kolegu im Andrey shkroi një postim dëshpërues duke u kërkuar të gjithëve që të iknin nëse kishin mundësi. Por thelbi nuk është dëshira për t’u larguar, por se si të jetosh jashtë vendit. Kjo është shumë e vështirë për shumë njerëz; ata kanë nevojë për ndihmë.
Sa kemi ende kohë, duhet të mendojmë seriozisht për këtë. Infrastruktura jonë nuk është e mirë, por të paktën kemi njëfarë mbështetje. Duhet të bëjmë më shumë për të ndihmuar në mënyrë aktive organizatat që po bëjnë diçka. Nuk ka rëndësi se kush, ne duhet të përfshihemi më aktivisht në përpjekjet e përbashkëta.
Dhe organizatat duhet të përpiqen të mos izolohen. Sa më e fortë të bëhet infrastruktura jonë, aq më shumë shanse do të kemi. Është mirë që njerëz si Alexey Navalny dhe Yulia Navalnaya përpiqen të na bashkojnë, por në realitet, mbështetja tek liderët për ta bërë këtë është e dëmshme, është vetëmashtrim.
Infrastruktura është e vetmja gjë që funksionon. Duhet t’u shkruajmë sa më shumë të burgosurve politikë. Është e rëndësishme të rivendosen lidhjet me ukrainasit. Është e vështirë, por duhet të përpiqemi, të shkruajmë, të telefonojmë, të ndihmojmë.
Pas vrasjes, një koleg nga Kievi, të cilin as e njihja, më telefonoi për të më shprehur ngushëllimet e tij, edhe pse nuk e njihja personalisht Navalnin. Ai tha se ka në Kiev ka shumë urrejtje, por për të ishte e rëndësishme të më thoshte se është në krahun tonë. Dhe unë jam jashtëzakonisht mirënjohës ndaj tij. Për mua është e rëndësishme të mos harroj tmerrin që përjetova kur mësova për herë të parë mbi vrasjen. Mendoj se ishte momenti kur pashë gjithçka ashtu siç ishte./Përshtati Pamfleti nga “Meduza”
Lini një Përgjigje