
Rusia ka sulmuar sërish rajonin Sumi në Ukrainë me raketa balistike, ndërsa ka bombarduar edhe zona të tjera. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski, ka shkarkuar nga detyra shefin e administratës rajonale në Sumi, pas sulmit të ushtrisë së Moskës ku mbetën të vrarë 35 persona dhe u palgosën qindra të tjera.
Zelensky tha se bombardimi rus erdhi si pasojë e oreksit të Moskës për gjak, por edhe nga neglizhenca e zyrtarëve ukrainas.
Sipas një kryebashkiaku në rajonin Sumi, rusët kanë shfrytëzuar rastin për të goditur një objektiv ushtarak pasi në një prej zyrave shefi i administratës rajonale ka mbajtur një ceremoni të dorëzimit të medaljeve për ushtarët e brigadës së 117-ë.
Nga ana tjetër, Moska zyrtare pretendon rrëzimin e 115 dronëve të lëshuar nga Kievi në orët e fundit. Kremlini ka sqaruar ecurinë e bisedimeve të paqes duke konfirmuar se nuk do të ketë rezultate të menjëhershme.
Zëdhënësi, Dmitry Peskov, theksoi gjithashtu se nuk pritet që së shpejti të zhvillohet ndonjë telefonatë mes presidentit Vladimir Putin dhe homologut të tij amerikan, Donald Trump. Më i ashpër ka qenë ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, i cili tha se Europa dëshiron të gjejë një “gjysëm Hitler të ri” në vend të Volodymyr Zelenskit, i cili do të jetë më pak i varur nga palë të ndryshme.
“Të gjitha këto skema paqeruajtëse që Macron dhe Starmers po hartojnë, bazohen në faktin se kjo është e nevojshme për të ruajtur të paktën një copë tokë në të cilën do të qëndrojë regjimi nazist, haptazi rusofobik, i mprehur për përgatitjen e ardhshme të një lufte tjetër kundër Rusisë”, pretendoi Lavrov.
Teksa pranoi se “nuk është e lehtë të biesh dakord mbi elementët kryesorë të një marrëveshjeje” për Ukrainën, ai vlerësoi Uashingtonin për zgjidhjen e këtij problemi.
Lini një Përgjigje