Fakti që Trump bisedoi në telefon me Putinin, para se të konsultohej me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, sinjalizon gatishmërinë e dukshme të presidentit amerikan për të mos u koordinuar paraprakisht me qeverinë ukrainase, dhe për rrjedhojë për të zvogëluar kapacitetin negociues të kësaj të fundit...
Biseda telefonike midis Donald Trump dhe Vladimir Putin, gjatë së cilës thuhet se udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, ranë dakord të nisin menjëherë kontaktet diplomatike për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, e kombinuar me deklaratat e Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-së Pete Hegseth, për ripërcaktimin e interesave amerikane në luftë dhe ndaj NATO-s, çel skenarë shumë shqetësues për Ukrainën dhe sigurinë evropiane.
Ndërsa është e parakohshme të nxirren përfundime afatgjata, është e mundshme të identifikohen arsyet kryesore për këtë shqetësim. Në të njëjtën kohë, ka disa elementë që sugjerojnë një vlerësim më pak pesimist mbi negociatat që duket se po marrin formë.
Deklaratat e Trump dhe Hegseth
Duke njoftuar mbi bisedën e tij me Putinin në Truth Social, platforma e mediave sociale e ndërtuar nga ai sipas modelit Twitter, Trump shkroi se shpreson se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia mund t’i rikthehen marrëdhënies miqësore midis tyre, dhe që lufta në Ukrainë mund të përfundojë shpejt.
Gati në të njëjtën kohë, Hegseth e përshkroi më qartë pozicionin e administratës amerikane gjatë një takimi me ministrat e mbrojtjes të vendeve të NATO-s në Bruksel. Hegseth tha se është jo realiste të mendohet se Ukraina mund të rivendosë kufijtë e saj të vitit 1991 (kur ato përfshinin ende Krimenë, të cilën Rusia e aneksoi në vitin 2014).
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk synojnë ta zgjerojnë më tej NATO-n. Dhe arriti në përfundimin se çdo marrëveshje paqeje në Ukrainë, do të duhej të sigurohet nga forcat evropiane dhe jo-evropiane, por pa pjesëmarrjen e amerikanëve, dhe duke vepruar nën një mandat jashtë nenit 5 të NATO-s.
Në këtë mënyrë, shmanget klauzola e mbrojtjes kolektive që përcakton aleanca veri-atlantike. Hegseth përsëriti gjithashtu se ndërsa mbetet e përkushtuara ndaj Aleancës Atlantike, Shtetet e Bashkuara do t’i japin gjithnjë e më shumë përparësi rajonit të Indo-Paqësorit.
Pikat kritike të negociatave
Një nga shqetësimet kryesore, është mënyra se si duket se po marrin formë negociatat, me Ukrainën që është mënjanuar që në fazat e hershme. Fakti që Trump bisedoi në telefon me Putinin, para se të konsultohej me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, sinjalizon gatishmërinë e dukshme të presidentit amerikan për të mos u koordinuar paraprakisht me qeverinë ukrainase, dhe për rrjedhojë për të zvogëluar kapacitetin negociues të kësaj të fundit.
Kësaj i shtohet edhe mungesa e përfshirjes së aleatëve evropianë, Ndonëse sipas Hegseth, u takon këtyre të fundit të marrin përgjegjësinë për stabilitetin e pasluftës në Ukrainë. Po aq problematik është fakti, që Shtetet e Bashkuara shfaqen të gatshme të bëjnë lëshime të rëndësishme ndaj Rusisë, pa marrë më parë asgjë në këmbim.
Fundi i politikës së “dyerve të hapura” të NATO-s, transferimi i përgjegjësisë për sigurinë e Ukrainës tek evropianët, dhe zvogëlimi i rolit amerikan në Evropë, janë të gjitha pozicione që pasqyrojnë një gatishmëri për kompromis nga ana e Uashingtonit, por pa asnjë shenjë hapjeje reciproke nga ana e Moskës.
Madje, Rusia e ka bërë të qartë se i sheh negociatat si një mundësi për të vazhduar ndjekjen e objektivave të vendosura në fillim të pushtimit: reduktimin e ndikimit të NATO-s dhe bllokimin e zgjerimit të saj; detyrimin e Kievit për të njohur aneksimin nga Rusia të rajoneve të pushtuara nga forcat e Moskës; imponimin e neutralitetin dhe “çmilitarizimit” të Ukrainës (pra reduktimin e forcave të saj të armatosura në një numër që është i pamjaftueshëm për mbrojtjen e territorit); dhe promovimin e një ndryshim pro-rus të qeverisë në Kiev.
Së fundi, është turbulluese logjika me të cilën Shtetet e Bashkuara po e lidhin mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Ukrainën. Garancia e vetme e ndihmës ushtarake, duket se është e lidhur me interesat ekonomike të kompanive amerikane në sektorin e lëndëve të para, dhe aspak me konsideratat strategjike dhe parimore. Në një kontekst kaq të pasigurt, rreziku është që Kievi ta gjejë veten më të izoluar dhe më të prekshëm ndaj ekspansionizmit imperialist rus.
Pasiguritë e negociatave
Gjithsesi, ka shenja se Ukraina nuk është domosdoshmërisht e destinuar të pranojë pasivisht një marrëveshje, e cila është e pafavorshme për të. Një marrëveshje, që do të zhvendoste barrën e sigurisë së Ukrainës tërësisht tek evropianët, duket e vështirë për t’u zbatuar.
Dhe kjo si për shkak të aftësive të kufizuara ushtarake dhe financiare të shteteve evropiane, ashtu edhe për shkak të ngurrimit të tyre për të marrë një angazhim të tillë pa mbështetjen e qartë të Amerikës.
Për më tepër, një marrëveshje që reflekton fuqimisht interesat ruse, pa ofruar garanci të besueshme për Ukrainën kundër një pushtimi të ri, dhe që sjell një NATO më të dobësuar, i ka të gjitha gjasat që të prodhojë efektin e kundërt.
Administrata Trump mund të akuzohet nga opinioni publik vendas për një disfatë jo aq të ndryshme nga ajo e Joe Biden me Afganistanin, me pasoja serioze për prestigjin politik të presidentit. Së fundi, dhe më e rëndësishmja, natyra maksimaliste e kërkesave ruse mund të jetë paradoksalisht në dobi të Ukrainës.
Nëse Moska vazhdon të kërkojë një fitore totale - që do të nënkuptonte jo vetëm njohjen e aneksimeve territoriale, por edhe nënshtrimin politik të Kievit - Trump mund ta gjejë veten të detyruar të ruajë presionin ndaj Moskës, qoftë nëpërmjet sanksioneve ose duke vazhduar, ndoshta nëpërmjet huave dhe jo transferimeve, furnizimin me armë në Ukrainë.
Ambicia e shfrenuar e Putinit, mund të jetë pengesa kryesore për një marrëveshje që do ta transformonte Ukrainën në një protektorat rus, duke lënë të hapur mundësinë që Kievi të vazhdojë të marrë mbështetjen që i nevojitet nga vendet e NATO-s dhe partnerët e tyre, për të rezistuar dhe për të pasur kushte më të favorshme në bisedime.
Por këto konsiderata mbeten tërësisht paraprake. Detajet që do të dalin në javët e ardhshme, do të konfirmojnë ose mohojnë frikën e përshkruar, si dhe besueshmërinë e një marrëveshjeje sipas linjave të përshkruara nga Hegseth. Megjithatë, distancimi i SHBA-së nga siguria evropiane aq shpesh i paralajmëruar, duket se po merr formë tashmë.
Përballë këtij realiteti, përgjigja më e mirë për evropianët nuk është as një rreshtim jo kritik me Shtetet e Bashkuara, dhe as një politikë qetësuese ndaj Rusisë, por një forcimi i koordinuar i aftësive të tyre ushtarake, financiare dhe diplomatike për të fituar kontroll më të madh mbi fatin e kontinentit./Pamfleti nga “Affari Internazionali”
Lini një Përgjigje