Ekspertët e zgjedhjeve ngurrojnë të bëjnë parashikime të guximshme, përveçse ta pranojnë se gara ka të ngjarë të mbetet deri në fund shumë e ngushtë...
Blerësit e një supermarketi në Mint Hill, një periferi e qytetit Charlotte në Karolinën e Veriut, ishin javën e kaluar të përçarë mbi mënyrën se si mendojnë të votojnë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Mësuesja 26-vjeçare Kaitlyn Lackey, thotë se e mbështet kandidaten demokrate, zv/presidenten aktuale të SHBA-së Kamala Harris.
“Kur e ndoqa debatin disa javë më parë, mendova se ai ishte absolutisht i çmendur. Unë jam gati ta ndëshkoj me votë Donald Trumpin!”- u shpreh ajo. Ndërkohë Shane Hartis, 50 vjeçe, që punon në një zyrë kontabiliteti, është një mbështetës e zjarrtë e ish-presidentit republikan.
Ajo e kujton me nostalgji mandatin e tij të parë. “Trump nuk po kërkon asgjë tjetër, veçse të na bëjë sërish një komb të madh. Dhe kjo është ajo që unë mendoj se bëri gjatë mandatit të parë. Katër vitet e fundit, demokratët i zhbënë ato arritje”- deklaron ekonomistja.
Lackey dhe Hartis, janë vetëm 2 nga miliona votuesit që do të votojnë në Karolinën e Veriut në fillim të nëntorit. Megjithatë, pikëpamjet e tyre shumë të ndryshme, janë një shembull i përsosur i vijave ndarëse të palëvizshme që e përshkojnë elektoratin amerikan. Kur ka mbetur gati një muaj nga dita e votimit, kandidatët janë shumë pranë njëri-tjetrit sa i përket preferencës së publikut.
Karolina e Veriut, është një nga 7 shtetet e lëkundura, për të cilat ekspertët thonë se do të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, kjo edhe falë ë veçorive të sistemit zgjedhor në SHBA. Por pavarësisht nga një verë shumë e trazuar, që u shoqërua më një paraqitje të turpshme në debat të presidentit aktual Joe Biden, atentatit ndaj Trump dhe vendimit të Biden për t’ia lënë vendin në garë zëvendëses së tij Harris, sondazhet i renditin ata shumë pranë.
Pas një rritjeje fillestare të mbështetjes për Harris, sondazhi më i fundit i Financial Times tregon se ajo kryeson ndaj Trump në mbarë vendin me vetëm 3 për qind më shumë. Ajo është përpara në 4 nga shtetet e lëkundura, Nevada, Pensilvania, Wisconsin dhe Michigan, por vetëm me një diferencë të vogël.
Ndërkohë Trump është përpara në shtetet e tjera kyçe: Georgia, Arizona dhe Karolina e Veriut. Gati të gjitha sondazhet kryesore, tregojnë se diferenca midis niveleve të mbështetjes ndaj 2 kandidatëve është brenda kufirit të gabimit. “Harris mund të fitojë në cilindo nga 7 shtetet e lëkundura. Po ashtu edhe Trump. Gara është shumë e ngushtë”- thotë Whit Ayres, një anketuese republikane me shumë përvojë.
Duke pasur parasysh natyrën tejet të polarizuar të elektoratit amerikan, Ayres paralajmëron se secili nga kandidatët ka mundësi të bëjë shumë pak nga tani deri në nëntor për të ndryshuar panoramën. “Debati i fundit nuk e ndryshoi balancat në mënyrë thelbësore, edhe pse pikëpamja e shumicës ishte se Kamala Harris u paraqit më mirë”- thotë Ayres, duke iu referuar debatit presidencial të këtij muaji, kur më shumë se 60 milionë amerikanë panë teksa zëvendëspresidentja e nervozonte vazhdimisht Trumpin me akuzat e saj, duke e vendosur në pozita mbrojtëse.
“Gjithçka që duhet është ndryshimi i qëndrimit të mijërave votues në secilin prej 7 shteteve të lëkundura”-thotë ajo. Ndërsa që të dyja shtabet elektorale synojnë të përçojnë mesazhin edhe tek elektorati gri, pak simpatizantë politikë e kundërshtojnë skenarin që zgjedhjet ka të ngjarë të prodhojnë një rezultat shumë të ngushtë.
“Ne zhvilluam një konventë shumë të mirë. Mbi emrin e Harris pati goxha debate. Por gara do të mbetet ajo që është. Trump ka një bazë shumë të fortë mbështetësish që vazhdon ta përkrahë. Por edhe ne demokratët, kemi një bazë shumë të fortë mbështetësish që po vazhdon të jetë me ne”- thotë konsulenti demokrat Mike Lux.
“Që të dyja shtabet po luftojnë për çdo centimetër në hartën e Kolegjit Zgjedhor. Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë në fund të ditës së votimeve. Askush nuk ka një avantazh të qartë”- shprehet Ford O’Connell, një personalitet i medias republikan në shtetin e lindjes së Trump, Florida.
Por një garë shumë e ngushtë në këtë fazë të zgjedhjeve presidenciale, nuk është një dukuri e pazakontë. Rezultatet e dy garave të fundit u ndanë me pak vota. Në vitin 2016, Trump e mundi Hillary Clinton në Pensilvani me rreth 44.000 vota, ose më pak se 1 për qind. Katër vjet më vonë, Biden mundi Trumpin në këtë shtet me rreth 80.000 vota, ose pak më shumë se 1 për qind.
Por në zgjedhjet e mëparshme kanë pasur edhe favoritë më të qartë. Kështu Clinton mendohej, edhe pse gabimisht, të fitonte në vitin 2016. Edhe Biden shihej si i avantazhuar në vitin 2020. Por ky vit ka pasur shumë surpriza. “Kur e nisëm këtë garë, njerëzit thanë. . . Këto do të jenë zgjedhjet presidenciale më të mërzitshme që kemi pasur ndonjëherë. Këtë herë, kemi pasur më shumë kthesa në këto zgjedhje se ndoshta në shumë zgjedhje të tjera në historinë moderne”- thotë O’Connell.
Nuk ka të ngjarë që të ketë ndonjë debat tjetër midis Harris dhe Trump, që mund ta ndryshojë rrjedhën e zgjedhjeve. Ndërsa Harris ka pranuar një ftesë nga CNN për një përballje të dytë televizive muajin e ardhshëm, Trump ka thënë se nuk është i gatshëm të marrë pjesë.
Megjithatë, zëvendëspresidentja ka disa avantazhe në javët e fundit të fushatës së saj, veçanërisht sa i përket fondeve që i ka më të mëdha. Në dosjet e depozituara në Komisionin Federal të Zgjedhjeve javën e kaluar, fushata e Harris raportoi se kishte mbledhur gati 190 milionë dollarë vetëm në gusht, më shumë se 4 herë më tepër se 44.5 milionë dollarët e mbledhura nga fushata e Trump gjatë të njëjtës periudhë.
Ky bollëk fondesh, do ta lejojë Harrisin të investojë shumë në reklamat dixhitale dhe fushatat në terren. Megjithatë avantazhi në para, nuk është përkthyer ende në një epërsi vendimtare në sondazhe. Harris ia ka dalë të rrisë vlerësimet javët e fundit, të cilat ishin shumë të dobëta kur u bë kandidate, dhe e ka konsoliduar mbështetjen midis segmenteve kryesore të bazës së Partisë Demokratike, përfshirë votuesit e rinj, pakicat dhe të arsimuarit në universitete.
Por demokratët e pranojnë se e ka ende të vështirë të thotë se si presidenca e saj mund të ndryshojë nga ajo e Biden, duke pasur parasysh mungesën e popullaritetit të këtij të fundit me elektoratin amerikan, sidomos kur flitet për ekonominë. Po ashtu, Harris është kritikuar pse ka ngurruar të japë shumë intervista për mediat apo të marrë pjesë në ngjarje pa fjalime të parapërgatitura, duke nxitur disa aleatë t’i bëjnë thirrje zëvendëspresidentes që të dalë më shumë në media në javët e fundit të fushatës.
Nga ana tjetër, aleatët e Trump këmbëngulin se ai është në krye kur bëhet fjalë për çështjet për të cilat interesohen më shumë votuesit: kostoja e lartë e jetesës dhe fluksi i emigrantëve përtej kufirit SHBA-Meksikë. Megjithatë e pranojnë privatisht, se mund të jetë e vështirë të mbash mend mesazhin e ish-presidentit, pasi ai ka tendencën t’i shmanget fjalimeve të parapërgatitura dhe të nisë sulme personale ndaj kundërshtarëve të tij.
“Trump del më mirë kur nuk është në qendër të vëmendjes. Por atij i pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes”-thotë Kyle Kondik, analist i pavarur në Qendrën për Politikën të Universitetit të Virxhinias. “Kjo ka qenë një fushatë e mundësive të humbura për Trumpin” -thotë Carlos Curbelo, ish kongresmen republikan nga Florida, i cili ka qenë kritik ndaj ish-presidentit.
“Është e vështirë të kuptohet se si dikush mund t’i mbijetojë një atentati, ndoshta dy, dhe të mos arrijë të përfitojë nga simpatia e publikut”- shton Curbelo. Në këto kushte, ekspertët e zgjedhjeve ngurrojnë të bëjnë parashikime të guximshme, përveçse ta pranojnë se gara ka të ngjarë të mbetet deri në fund shumë e ngushtë./Përshtati Pamfleti nga “Financial Times”
Lini një Përgjigje