
BE dhe SHBA pranë një marrëveshjeje tregtare me tarifa 15% për importet europiane
Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara janë pranë arritjes së një marrëveshjeje tregtare që do të vendoste tarifa 15% mbi importet europiane, të ngjashme me marrëveshjen që presidenti amerikan Donald Trump arriti këtë javë me Japoninë.
Sipas tre burimeve të njohura me çështjen, Brukseli mund të pranojë të ashtuquajturat tarifa “reciproke”, për të shmangur kërcënimin e Trump-it për rritjen e tyre në 30% nga 1 gushti.
“Marrëveshja me Japoninë e bëri të qarta kushtet e këtij shantazhi,” tha një diplomat i BE-së. “Shumica e shteteve anëtare po e pranojnë me përbuzje, por ka gjasa ta miratojnë këtë marrëveshje.”
Marrëveshja do të parashikonte heqjen e tarifave për disa produkte, përfshirë aeroplanët, pijet alkoolike dhe pajisjet mjekësore. Komisioni Europian, i cili udhëheq politikën tregtare të BE-së, ka informuar ambasadorët e vendeve anëtare pas bisedimeve me homologët amerikanë.
Lajmi për marrëveshjen e mundshme ngriti vlerën e euros, e cila rikuperoi humbjet e mëparshme, ndërsa bursat amerikane u rritën – S&P 500 u ngjit me 0,6%.
Tarifat aktuale dhe ndryshimi që pritet
Eksportuesit europianë po paguajnë një tarifë shtesë 10% për mallrat që dërgojnë në SHBA që nga prilli, përveç detyrimeve ekzistuese mesatarisht 4,8%. Marrëveshja e re do ta standardizonte tarifën minimale në 15%, duke përfshirë edhe detyrimet aktuale. Për këtë arsye, Brukseli e sheh marrëveshjen si një konfirmim të status quo-së, ndërsa tarifat për automjetet, që aktualisht janë 27,5%, do të uleshin në 15%.
Kancelari gjerman Friedrich Merz shpreson që marrëveshja për t’i dhënë fund konfliktit tregtar të përfundojë së shpejti:
“Shpresojmë që në çdo moment të ketë një vendim,” tha Merz gjatë një takimi me presidentin francez Emmanuel Macron në Berlin.
Trump kishte vendosur më herët këtë vit tarifa më të larta për sektorin e makinave dhe pjesëve të këmbimit, duke u mbështetur në ligjet e sigurisë kombëtare. Zyrtarët e BE-së kanë kërkuar përjashtime për prodhuesit europianë të makinave.
Presion nga marrëveshja me Japoninë
Dy nga burimet thanë se marrëveshja e SHBA me Japoninë e shtyu Brukselin drejt pranimit të një norme më të lartë tarifash, për të shmangur një luftë të dëmshme tregtare. Megjithatë, BE-ja paralajmëron se mund të hakmerret nëse Trump përpiqet të shkojë më tej ose zbaton kërcënimin për ta rritur normën në 30%.
Në këtë rast, BE mund të përdorë instrumentin kundër shantazhit (ACI) – të ashtuquajturën “bazuka tregtare” që do t’i lejonte Brukselit të ndalonte kompanitë amerikane nga tenderët publikë, të revokonte mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe të kufizonte import-eksportet.
Blloku do të vazhdojë gjithashtu përgatitjen e një pakete kundërpërgjigjeje me vlerë deri në 93 miliardë euro, me tarifa deri në 30%, në rast se nuk arrihet marrëveshja deri më 1 gusht.
Një zyrtar amerikan deklaroi se situata mbetet e lëvizshme dhe mund të ndryshojë. /Financial Times
Lini një Përgjigje