TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Qershor 2026, 14:45

Autokracitë nuk kanë nevojë për gjenij

Shkruar nga Mariella Palazzolo

Autokracitë nuk kanë nevojë për gjenij

Regjimet autoritare nuk kërkojnë liderë karizmatikë, por individë pa talent që bëjnë përpara përmes bindjes së verbër. Kur sistemi shpërblen oportunizmin në vend të meritës, shtypja shndërrohet në një mundësi të artë karriere për të dështuarit. Ky mekanizëm i fshehtë minon si diktaturat klasike, ashtu edhe demokracitë e sotme...

Ato kanë nevojë për njerëz mediokër. Kur mendojmë për diktaturat, imagjinojmë burra të fortë, liderë karizmatikë dhe aparate shtypëse të mëdha. Mendojmë për Vladimir Putinin, Viktor Orbánin apo ajatollahët iranianë.

Por më rrallë ndalemi te një pyetje themelore: kush e bën punën e përditshme që i lejon këto sisteme të konsolidohen dhe të mbijetojnë? Për një kohë të gjatë është menduar se bashkëpunëtorët e regjimeve autoritare shtyheshin kryesisht nga ideologjia ose nga frika. Por një kërkim i fundit sugjeron një shpjegim shumë më prozaik, dhe ndoshta për këtë arsye, edhe më shqetësues: ambicien profesionale.

Në librin e tyre “Making a Career in Dictatorship” (Si të bësh karrierë në diktaturë), politologët gjermanë Adam Scharpf dhe Christian Glässel tregojnë se si, në shumë sisteme autoritare, shtypja mund të shndërrohet në një mundësi të jashtëzakonshme karriere.

Nuk janë domosdoshmërisht më fanatikët ata që vihen në dispozicion për të bërë punët e pista. Shpesh bëhet fjalë për individë të cilët, duke mos arritur të dallohen për meritë, shohin te bindja ndaj pushtetit një rrugë alternative për t’u ngritur profesionalisht.

Studiuesit analizuan të dhënat e Argjentinës së viteve 1970-1980, gjatë së ashtuquajturës “Lufta e Pistë” - programi i shtypjes dhe terrorit shtetëror i zbatuar nga diktatura ushtarake midis viteve 1976-1983.

Në atë periudhë, Batalioni 601, një strukturë përgjegjëse për tortura, rrëmbime dhe vrasje jashtëgjyqësore, u ofronte oficerëve më pak premtues një mundësi për t’u hakmarrë profesionalisht. Kush hynte aty, përfitonte ngritje më të shpejta në detyrë, paga më të larta dhe pensione më të mira në krahasim me kolegët që qëndronin në njësitë tradicionale.

E dhëna më befasuese, është se oficerët me rezultatet më të dobëta ishin gjithashtu ata më të prirur për të pranuar detyra në sektoret më brutale. Kështu shtypja kthehej në një rrugë të shkurtër për të rikuperuar terren në një karrierë që ndryshe do të ishte e dënuar të ndalej në vend.

Për të përshkruar këtë mekanizëm, Scharpf dhe Glässel flasin për një lloj “shkalle dytësore” për ecjen përpara në karrierë. Kur rrugët e zakonshme nuk garantojnë më lëvizshmëri sociale ose njohje meritash, pushteti ofron një rrugë alternative.

Besnikëria kthehet në monedhë shkëmbimi dhe në disa raste, në një burim më të vlefshëm se vetë kompetenca. Autorët identifikojnë dinamika të ngjashme edhe në Gjermaninë Naziste, ku disa njësi përgjegjëse për masakrat ngrinin në detyrë burra me precedentë disiplinorë ose me një ecuri të dobët në fushën ushtarake.

Edhe policia politike e Stalinit, NKVD-ja, shpesh favorizonte individë me arsimim të kufizuar dhe me pak perspektivë profesionale. Politologja Erica Frantz i përcakton ata si loyal losers, si humbës besnikë.

Janë njerëz që kanë pak alternativa dhe që pikërisht për këtë arsye bëhen veçanërisht të besueshëm në sytë e pushtetit. Kush nuk ka shumë mundësi, priret të jetë më i gatshëm të dëshmojë një besnikëri absolute.

Aspekti më shqetësues i kësaj teorie është se ajo nuk prek vetëm regjimet haptazi shtypëse. Ky mekanizëm mund të rishfaqet edhe në sistemet që ruajnë procedura formale demokratike, por që gradualisht zbrazin nga funksioni balancat institucionale.

Për shembull, në Hungarinë e Viktor Orbánit, disa studiues vunë re se si një pjesë e magjistraturës zgjodhi të rreshtohej në krah të pushtetit, jo aq për bindje ideologjike, sesa për leverdi profesionale. Nuk bëhet fjalë domosdoshmërisht për shumicën.

Mjafton një pakicë mjaftueshëm e motivuar për të kryer punën që të tjerët e refuzojnë. Tek e fundit autokracitë nuk ndërtohen vetëm nga lart. Ato kanë nevojë për një rrjet njerëzish të gatshëm të zbatojnë urdhra, të mbyllin një sy, të anashkalojnë një rregull, të nënshkruajnë një vendim të dyshimtë ose të përdorin pozicionin e tyre për t'i bërë qejfin pushtetit.

Teza e Scharpf dhe Glässel është provokuese edhe për një arsye tjetër. Ajo vë në dyshim idenë se meritokracia përbën gjithmonë një antidot ndaj rreziqeve autoritare. Në mjedise shumë konkurruese, kush mbetet pas mund të tundohet të kërkojë rrugë alternative për të ecur përpara.

Kur sistemi shpërblen besnikërinë më shumë se kompetencën, bindja kthehet në një strategji racionale për të ecur përpara. Mësimi më i rëndësishëm i këtij kërkimi, është se degradimi i institucioneve nuk vjen gjithmonë nga fanatikët apo ideologët.

Ndonjëherë ai buron nga stimuj profesionalë të shtrembëruar. Kur besnikëria shpërblehet më shumë se merita, mediokriteti pushon së qeni një kufizim dhe kthehet në një burim politik.

Hannah Arendt fliste për “banalitetin e së keqes”, për të përshkruar se si njerëz krejtësisht të zakonshëm mund t’u shërbejnë sistemeve kriminale pa qenë domosdoshmërisht të shtyrë nga bindje ekstremiste.

Sot, ndoshta mund të flasim edhe për një mediokritet të së keqes: ajo e atyre që nuk veprojnë për besim politik apo për urrejtje, por thjesht për të marrë një ngritje në detyrë, një pagë më të mirë, apo një pozicion prestigjioz.

Autokracitë nuk lulëzojnë vetëm falë fanatikëve. Më shpesh ato ushqehen nga diçka shumë më e rëndomtë: frika për të mos mbetur pas, dëshira për të bërë karrierë dhe ambicia për të gjetur një vend në sistem. Dhe është pikërisht ky “normalitet”, ai që i bën ato aq të vështira për t’u dalluar kur fillojnë të marrin formë./ Përshtati "Pamfleti" nga “Huffington Post Italia”

Lini një Përgjigje