TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Tetor 2024, 17:53

Autokracitë e lindjes nuk do të bëhen asnjëherë joshëse për njerëzit sa modeli që ofron Perëndimi

Shkruar nga Janet Daley

Kemi një vend bosh për një forcë politike që përqafon pa turp idealet e lirisë personale, dhe që e hedh poshtë plotësisht idenë se demokracia perëndimore ka marrë fund. Kjo është ajo që besojnë vërtet shumica e njerëzve që jetojnë mes nesh...

Autokracitë e lindjes nuk do të bëhen asnjëherë

Gjykuar nga shprehjet e fytyrës së Vladimir Putin gjatë samitit të tij triumfal të BRICS-it pak ditë më parë, ne duhet të supozojmë se ai beson vërtet se është duke filluar një epokë e re e fuqisë globale. Grimasa zakonisht kërcënuese e fytyrës së presidentit rus, ia la vendin shfaqjes së një lumturie jo tipike për një udhëheqës si ai.

Nuk më kujtohet që ta kem parë ndonjëherë atë të buzëqeshë me një ekstazë kaq të pafrenueshme, thuajse fëminore. Iu duk se po merr komandën e atij që po bëhej boshti dominues ndërkombëtar në skenën botërore, pasi ia doli që ta nxirrte më në fund vendin e tij nga poshtërimi i madh i humbjes së Luftës së Ftohtë.

Krahas aleatit të tij kryesor, Kinës, dhe i rrethuar nga ato që ai e sheh si ndihmës të Rendit të tij të Ri Botëror, Putin ishte qartazi në parajsën e tij personale. Por të pranishmit treguan se ishin më pak të përshtatshëm për t’u anëtarësuar zyrtarisht në klubin e tij, sesa mund të kishte shpresuar shefi i Kremlinit.

Por kjo s’ka shumë rëndësi. Për këtë do të ketë kohë të mjaftueshme, dhe më e rëndësishme është që Perëndimi ka hyrë në rënien e tij përfundimtare të pashmangshme. Sipas ndjekësve të tij, ne duhet të biem dakord me epërsinë e aleancës reformatore anti-perëndimore.

Popujt e botës që dëshirojnë të ndajnë pasurinë dhe sigurinë që ofron vetëm vizioni i Putinit, do të dëshirojnë tani të pranohen në perandorinë e madhe perandorake që po ndërton ai.

Duke qenë se nuk ka mbetur kurrfarë optimizmi për modelin e vjetër perëndimor dekadent, të lodhurit dhe të varfrit - masat që dëshirojnë të marrin frymë të lirë - do të nxitojnë të dalin prej kësaj strukture. Ndërkohë me rënien e modelit kapitalist, do të degradojë edhe popullsia e atyre vendeve që këmbëngulin për ta ruajtur atë.

Por gjërat nuk po ecin realisht në këtë drejtim. Nuk po shohim turma njerëzish të dëshpëruar e të përgatitur për të rrezikuar gjithçka - madje edhe jetën e tyre - për të hyrë në Federatën Ruse, Republikën Popullore Kineze apo Korenë e Veriut. Vërshimi i madh i emigrantëve po vazhdon njëlloj si dikur, drejt Perëndimit.

Pavarësisht se çfarë janë duke ofruar Putin dhe Xi, sa i përket fuqisë dhe dominimit ekonomik për kombet e tyre, ata nuk e kanë kuptuar se çfarë është ajo që e bën jetën me vlerë për njerëzit e vërtetë. Dhe kjo është e çuditshme kur e mendon, pasi përgjigja ka qenë e dukshme prej të paktën një shekulli.

Kombinimi i qeverisë liberale demokratike dhe ekonomisë së tregut të lirë, është formula e pamposhtshme, absolutisht e papërmbajtshme për maksimizimin e përmbushjes personale, zhvillimit masiv dhe drejtësisë sociale. Këtë e dinë edhe miliona emigrantët dhe refugjatët e ardhur në vendet perëndimore, pasi shpeshherë ata kanë pasur përvoja të drejtpërdrejta të alternativave.

Mjerisht, ka shumë zëdhënës të gënjeshtrës së madhe të kolapsit të pashmangshëm të Perëndimit, të cilët nuk kanë pasur ndonjë përvojë personale të këtyre alternativave. Madje në mesin tonë, dhe shpesh në pozicione me një ndikim të konsiderueshëm, ka nga ata që janë të dorëzuar tashmë ndaj rishfaqjes së totalitarizmit.

Ndonjëherë ky kapitullim, merr formën e marksizmit të shkollës së vjetër: kolapsi i pashmangshëm i kapitalizmit, vetëm sa u vonua pak më shumë se sa prisnim. Të tjerët predikojnë një lloj misticizmi histerik: faji i trashëguar dhe urrejtja ndaj vetvetes, na bën të padenjë për dominimin e botës, ndaj duhet ta lëmë ta provojë pala tjetër.

Sigurisht, ka disa të dhëna të vërteta që mbështetin konceptin se kapitalizmi është në rënie, por s’ka nevojë që ai të konsiderohet si një fund i pashmangshëm. Ciklet e zgjerimit dhe tkurrjes ekonomike janë shndërruar në një sistem, sepse në kundërshtim me kritikën marksiste, kapitalizmi nuk është një ideologji.

Ai është thjesht gjendja njerëzore në një formë ekonomike: investitorët bëhen shumë optimistë në kohëra të mira, dhe e zgjerojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të pamatur, gjë që prodhon një tkurrje të nevojshme, por të dhimbshme. Ky është “bumi dhe krisja” që Gordon Brown mendonte se mund ta parandalonte, por është në fakt një funksion i pashmangshëm i psikologjisë së masave.

Kjo është arsyeja pse tregjet e lira janë kaq të famshme: sepse ato pasqyrojnë me saktësi prirjet natyrale njerëzore. Shtypja ose ri-drejtimi i këtyre prirjeve, kërkon një diktaturë shumë të fuqishme dhe breza “riedukimi”. Leksioni: Shumica e njerëzve nuk duan të riedukohen.

Ata duan që t’u jepet mundësia të bëjnë rrugëtimin e tyre, të shfrytëzojnë shanset e tyre në një sektor konkurrues, të zhvillojnë potencialin e tyre të plotë dhe të korrin frytet e përpjekjeve të tyre. Për këtë arsye, vendet që duket se ofrojnë këto mundësi janë kaq shumë tërheqëse për shumëkënd.

Në përgjithësi, tani po pranohet se këto impulse duhet të kufizohen nga konsideratat etike dhe dhembshuria për ata që nuk janë në gjendje të konkurrojnë. Por kjo qasje është e ndryshme nga demonizimi i vetë këtyre prirjeve. Pikërisht në këtë pikë, politika perëndimore duket e vendosur që të hapë vetë varrin e saj.

Kjo përzierje e veçantë patologjike e vetë-dyshimit, fajit historik dhe konfuzionit moral, prodhon një mentalitet politik që e fajëson popullsinë e vet për vetë elementin që e bën atë kaq tërheqëse për të huajt: mundësinë e vetëvendosjes.

Idealet e demokracisë perëndimore, janë shndërruar sot në mëkate. Liria personale po bëhet një rrezik për komunitetin. Aspirata dhe pavarësia, cilësohen si kërcënime për të mirën e përbashkët. Krijimi i pasurisë së re, e cila mund të ofrojë mundësi për të tjerët konsiderohet si një sjellje “egoiste”.

Kjo mendësi ka depërtuar në institucionet tradicionale të vendeve më të përparuara. Por ka prekur shumë pak masën e madhe të vetë popullit, që nuk është lëkundur përballë një presioni social të jashtëzakonshëm. Ata s’kanë dyshim se ato që janë cilësuar gjithmonë si virtyte - mbështetja te vetja, pranimi i përgjegjësisë individuale dhe krenaria për trashëgiminë - janë shtyllat kryesore të një shoqërie të mirë.

Kjo është arsyeja pse ata tërhiqen, edhe pse ndonjëherë me dyshime të mëdha, nga Donald Trump në SHBA apo Nigel Farage në Britani, të cilët duket se janë të vetmet figura në skenën politike që janë të përgatitur t’i mbrojnë ato vlera. Mjerisht kjo tërheqje është e gabuar.

Sepse Trump dhe të ngjashmit e tij në Britani, kanë më shumë gjasa të mos flirtojnë rrezikshëm me boshtin e Putinit, pasi izolacionizmi është pjesë e planit të tyre. Pra, kemi një vend bosh për një forcë politike që përqafon pa turp idealet e lirisë personale, dhe që e hedh poshtë plotësisht idenë se demokracia perëndimore ka marrë fund. Kjo është ajo që besojnë vërtet shumica e njerëzve që jetojnë mes nesh./Përshtati Pamfleti nga “Daily Telegraph”

autokracia lindja perëndimi modelet

Lini një Përgjigje