TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota29 Tetor 2025, 11:15

50 mln $ shpërblim/ Operacioni sekret si u përpoq SHBA të joshte pilotin e Maduros për ta dorëzuar te autoritetet amerikane

Shkruar nga Pamfleti
50 mln $ shpërblim/ Operacioni sekret si u përpoq SHBA të joshte
Nicolás Maduro me gjeneralin Bitner Villegas

Një hetim i ri i agjencisë Associated Press ka zbuluar se agjenti i Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, Edwin Lopez, një ish-ushtar i forcave speciale amerikane ka tentuar për 16 muaj të rekrutojë pilotin personal të presidentit venezuelian Nicolás Maduro, gjeneralin Bitner Villegas.

Kjo, për të devijuar avionin presidencial në mënyrë që autoritetet amerikane të mund ta kapnin atë.

Sipas AP, operacioni i fshehtë përfshinte takime sekrete, komunikime të koduara dhe plane për konfiskimin e avionëve të përfshirë në fluturimet e presidentit.

Plani u rrëzua pasi gjenerali Villegas refuzoi bashkëpunimin dhe deklaroi besnikëri ndaj Maduros.

Edhe pas daljes në pension, Lopez vazhdoi përpjekjet për ta bindur pilotin deri në vitin 2025, por Villegas, në një dalje publike në televizionin shtetëror venezuelian, ritheksoi besnikërinë ndaj presidentit Maduro.

Hetimi i AP ka ngjallur reagime ndërkombëtare, duke ngritur pyetje mbi ndërhyrjet e mundshme të paligjshme të autoriteteve amerikane kundër një udhëheqësi të huaj në detyrë.

SHBA e ka akuzuar Presidentin venezuelian se është një nga trafikantët kryesorë të drogës në botë, duke e lidhur atë me kartele të fuqishme që dyshohet se kanë përfshirë fentanil në dërgesat e kokainës të destinuara për tregun amerikan.

Washingtoni ka dyfishuar shpërblimin për informacionin që çon në arrestimin e Presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, në 50 milionë dollarë, duke e akuzuar atë si “një nga trafikantët më të mëdhenj të drogës në botë”.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është një kritik i hershëm i Maduros, i cili u rikthye në detyrë në janar pas zgjedhjeve të shoqëruara me akuza për manipulim votash. Rezultatet u refuzuan gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare.

Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi tha se SHBA-të do të dyfishojnë shpërblimin e tyre prej 25 milionë dollarësh të shpallur tashmë dhe tha se Maduro ishte i lidhur drejtpërdrejt me operacionet e kontrabandës së drogës.

Gjatë mandatit të parë të Trump, qeveria amerikane akuzoi Maduron dhe zyrtarë të tjerë të lartë venezuelianë për një sërë veprash penale, duke përfshirë narkoterrorizmin, korrupsionin dhe trafikimin e drogës.

Në atë kohë, Departamenti Amerikan i Drejtësisë pretendoi se Maduro kishte bashkëpunuar me grupin rebel kolumbian Farc për të “përdorur kokainën si armë për të ‘përmbytur’ Shtetet e Bashkuara”.

 

50 mln $ shpërblim shba të joshte pilotin e maduros

Lini një Përgjigje