
Irani është shumë i interesuar për Amerikën Latine, një zonë disa kilometra larg “Satanit të Madh”, siç i quan regjimi teokratik Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në qershorin e vitit 2023, presidenti Ebrahim Raisi vizitoi 3 vende të Amerikës Latine, përfshirë njërin që ndodhet vetëm 90 milje nga kufiri i SHBA.
Objektivi kryesor i atij turi vizitash, ishte forcimi i lidhjeve strategjike dhe ekonomike të Iranit në Hemisferën Perëndimore duke sfiduar hapur Shtetet e Bashkuara. Gjatë vizitave zyrtare në Venezuelë, Nikaragua dhe Kubë, presidenti iranian i vlerësoi këto vende “për rezistencën e tyre ndaj presionit të SHBA-së, si dhe për ndarjen e vlerave të përbashkëta në kundërshtim me rendin ndërkombëtar aktual” bazuar në parimet demokratike.
Gjatë atij turi Raisi e vuri theksin tek evolucioni i Amerikës Latine, nga ajo që dikur cilësohej si “oborri i shtëpisë së amerikanëve”, drejt pavarësimit real të secilit prej vendeve të rajonit. Por përpjekjet iraniane për të depërtuar në rajon nuk kufizohen vetëm tek marrëdhëniet diplomatike.
Sipas një studimi të kryer nga Instituti Ndërkombëtar për Kundër-Terrorizmin (ICT), Irani merr mbështetje nga organizatat terroriste dhe grupet pro-iraniane për të zgjeruar ndikimin e tij ideologjik në Amerikën Latine. Hezbollahu është shumë i përfshirë në operacionet e mbledhjes së fondeve, propagandës dhe trafiqeve të paligjshme.
Ndërsa organizata të tjera si Al-Tajammu luajnë një rol të rëndësishëm në zgjerimin e ndikimit iranian përmes internetit dhe mediave sociale. Ndikimi mediatik i Hezbollahut është i dukshëm në media. Përmes stacionit të tij televiziv Al-Manar dhe platformave të tjera si HispanTV dhe Al-Mayadeen, Hezbollahu promovon ideologjinë e tij dhe vlerat e revolucionit islamik iranian, duke arritur tek një audiencë e madhe ndërkombëtare, duke përfshirë ato të Amerikës Latine.
Irani zhvillon një “luftë psikologjike në shkallë të gjerë” përmes rrjeteve sociale, satelitëve dhe mediave në gjuhën spanjolle, për të promovuar interesat iraniane dhe për të sulmuar Perëndimin dhe Amerikën Latine. Jorge Serrano, anëtar i ekipit këshillues mbi Iranin në Komisionin e Shërbimeve të Inteligjencës në Kongresin Peruan, theksoi rolin kyç të Ministrisë iraniane të Inteligjencës (VEVAK) prapa këtyre aktiviteteve.
Krahasuar me ambiciet iraniane në Amerikën Latine, të diskutuara tashmë në të njëjtën gazetë në vitin 2018 në artikullin Narcos dhe Xhihadi, gënjeshtrat për ekstremizmin në Brazil, aktualisht theksohen lidhjet midis Iranit, përfaqësuesve të tij Hezbollahut dhe Hamasit, dhe aktiviteteve destabilizuese në Amerikën Qendrore dhe Jugore.
Në mënyrë të veçantë bie në sy përfshirja e Hezbollahut në aktivitete të paligjshme, si trafikimi i drogës dhe lidhjet me organizata kriminale si Primeiro Comando da Capital në Brazil, organizata më e madhe kriminale në vend, me rreth 11.000 anëtarë, të pranishëm kryesisht në zonat e San Paolos.
Por edhe me dhe Triple Frontera: zona kufitare midis Argjentinës, Brazilit dhe Paraguait, e identifikuar prej kohësh si një qendër nevralgjike me një game të gjerë aktivitetesh kriminale, duke filluar nga trafiku i drogës dhe armëve, deri tek kontrabanda e mallrave, vjedhja e pronësisë intelektuale, falsifikimit të dokumenteve dhe pastrimit të parave.
Kjo zonë njihet si një qendër e rëndësishme për pastrimin e kapitalit, dhe synon të mbështesë aktivitetet e krimit të organizuar dhe rrjeteve terroriste, me pasoja financiare të rëndësishme dhe një ndikim të madh në sigurinë rajonale, duke gjeneruar rreth 43 miliardë dollarë në vit.
Veprimtaritë e paligjshme janë dokumentuar aty prej më shumë se 40 vjetësh. Dhe organizatat terroriste si Hezbollahu, kanë gjetur tek Triple Frontera mjedisin e duhur ku falë aleancave me organizatat kriminale, mund të mbështeten tek qasja ndaj burimeve financiare për të subvencionuar sulmet e tyre.
Ajo u garanton pavarësi nga sponsorizimi shtetëror; dhe u jep mundësi të ndërtojnë fuqinë ekonomike duke e kompensuar mungesën e mbështetjes publike; por edhe qasje tek aftësi specifike (pastrim parash, falsifikim dokumentesh); për lehtësimin e lëvizjeve ndërkufitare (përdorimin e rrugëve të trafikimit të qenieve njerëzore); dhe për të rënë në kontakt me një gamë të gjerë rekrutësh të mundshëm që tashmë i përkasin botës së krimit.
Që nga krijimi i tij në vitet 1980, Hezbollahu ka marrë mbështetje të konsiderueshme nga Irani, si ekonomikisht po ashtu edhe ushtarakisht. Krahas kësaj mbështetjeje, ky grup i ka financuar aktivitetet e tij përmes disa aktiviteteve të paligjshme në shkallë globale.
Në Amerikën Latine, disa hetime kanë nxjerrë në pah lidhjet e forta midis Hezbollahut dhe organizatave të trafikut të drogës, duke përfshirë FARC-un kolumbian dhe kartelet meksikane Los Zetas dhe Sinaloa. Këto lidhje kanë lehtësuat shkëmbimin e armëve midis Hezbollahut dhe karteleve meksikane, si dhe mësimin e ndërtimit të tuneleve të ngjashme me ato që përdoren në kufirin midis Libanit dhe Izraelit.
Hezbollahu është përfshirë në disa aktivitete të paligjshme, përfshirë kontrabandën e cigareve, trafikun e drogës dhe tregtinë e paligjshme të diamanteve nga Afrika Perëndimore, sidomos nga Sierra Leone. Me kalimin e viteve është zbuluar se pavarësisht aktiviteteve kriminale të Hezbollahut, në vitin 2017 administrata Obama i pengoi enkas hetimet mbi rrjetin ndërkombëtar të trafikut të drogës të këtij grupimi për të ruajtur marrëveshjen mbi programin bërthamor të Iranit.
Hetimi i njohur si Projekti Kasandra dhe i kryer nga DEA amerikane, zbuloi një rrjet të gjerë trafiku kokaine të drejtuar nga Hezbollah, por kërkesat për urdhër-arreste nga DEA dyshohet se u penguan ose u vonuan në mënyrë që të mos rrezikonin marrëveshjet me Iranin. Nëpërmjet përgjimeve të ndryshme, operacioneve të fshehta dhe informatorëve, dhe me ndihmën e 30 agjencive të tjera të inteligjencës amerikane dhe të huaja, DEA dyshohet se zbuloi një rrjet të gjerë trafiku kokaine të Hezbollahut, që shtrihej nga Amerika e Jugut në Evropë dhe Lindjen e Mesme, por edhe rrugë të tjera që fillonin nga Venezuela dhe Meksika për të përfunduar në Shtetet e Bashkuara.
Sipas hetimeve të DEA-s, Hezbollahu merrte drogë sintetike nga kartelet meksikane të drogës për t’i shitur ato fillimisht kryesisht në Lindjen e Mesme - ku pasi mësoi proceset kimike, ndërtoi vetë laboratorë për prodhimin e amfetaminave - në mënyrë që të financonte operacionet dhe ekonominë e tij.
Në këtë fushë kjo organizatë gjeti një partner tek regjimi i Assadit, sidomos për drogën Captagon. Shqetësimi i veçantë për Amerikën Latine, është i motivuar nga fakti se shumë vende të rajonit nuk e konsiderojnë Hezbollahun një organizatë terroriste, duke e kufizuar kësisoj hapësirën e veprimit për autoritetet lokale. Mbështetja e hapur nga regjimet autoritare lokale të lidhura me Teheranin, si Venezuela e Nicolas Maduros, e ka transformuar këtë zonë në një bazë operative pararojë për Iranin./Përshtati Pamfleti nga La Nuova Bussola Quotidiana
Lini një Përgjigje