Para pak javësh agjentët e BKH kanë zbarkuar në zyrat e KQZ. Ata kanë nxjerrë jashtë punonjësit dhe për disa orë kanë kryer verifikime dokumentesh...
Zgjedhjet e 11 majit, pritet të jenë më të shtrenjtat në historinë e vendit. Futja në lojë e votimit nga Diaspora, duket se ka sjellë me vete dhe kostot financiare. Në dorë të Ilirjan Celibashit janë vendosur miliarda e miliarda lekë, të cilat duket se po shkojnë në duar të caktuara.
Nëse i marrim me detaje, Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e 6 nëntorit 2024, vendimin për një shtesë fondi në buxhetin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me qëllim mbulimin e shpenzimeve përgatitore për zgjedhjet e 11 majit, fondi shkon në shifrën e 20.9 milionë lekë.
Më 22 janar të vitit 2025, u mor një tjetër vendim i ngjashëm. KQZ-së ju shtua në buxhet fondi prej 2 500 000 000 (dy miliardë e pesëqind milionë) lekësh, për organizimin e zgjedhjeve për Kuvendin të datës 11 maj 2025.
2.460.000.000 lekë duhet të përdoren në zërin “Shpenzime korrente”, në programin buxhetor “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale” dhe 40 000 000 lekë, në zërin “Shpenzime kapitale”, në programin buxhetor: “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”.
Por qeveria mori dhe një vendim të tretë. Më 11 mars qeveria miratoi një vendim duke dhënë 9.3 milionë euro fond shtesë që do të shkojë për votën e Diasporës. Ndërkohë sot ka dalë në media se Ilirjan Celibashi ka hapur disa tenderë pa garë mbi postën që do të bëjë të mundur votën nga Diaspora, por jo vetëm.
Pa garë është tenderi për blerjen e materialeve zgjedhore me vlerë 600 mijë euro. Po ashtu tenderi për blerje materiale kutish zgjedhore me vlerë 192 mijë euro. 1 mln euro kanë shkuar pa garë për shërbime të suportit dhe përditësime për Votimin Elektronik që do të kryhet në njësinë 10 në Tiranë, dhe në Bashkinë Vorë.
Ndërkohë duhet theksuar se KQZ është në lupën e SPAK. Grupi që do të hetojë zgjedhjet do jetë sy e veshë dhe tek Ilirjan Celibahsi, i cili po hetohet nga SPAK. Një vit më parë ka nisur një hetim mbi 2 tenderë për votimin dhe numërimin elektronik. Mësohet se hetimet vijojnë dhe para pak javësh agjentët e BKH kanë zbarkuar në zyrat e KQZ. Sipas burimeve të "Pamfletit", ata kanë nxjerrë jashtë punonjësit dhe për disa orë kanë kryer verifikime dokumentesh. Kjo i ka trembur punonjësit, të cilët prej asaj dite kanë ndërprerë komunikimet në celular për çështje pune, nga frika e përgjimit. /Pamfleti
Lini një Përgjigje