
Drejtori i “Postës Shqiptare” mbyll mandatin me 21 tenderë në minutat e fundit, mes tyre dy kontrata luksoze për marrje makinash me qira nga kompania e bashkëshortit të kryebashkiakes së Durrësit.
Në buletinin e datës 27 tetor 2025, “Posta Shqiptare” ka publikuar tenderët e fundit të Ardit Demirit, përpara shkarkimit nga detyra. Dy prej tyre, me vlerë mbi 1.1 milionë euro, i janë dhënë kompanisë “Eurocar Rentals Sh.p.k.”, që zotërohet de facto nga bashkëshorti dhe kunati i kryebashkiakes Emiriana Sako, përmes një skeme të ricikluar me kompani fiktive “rivale”.

Në orët e fundit të qëndrimit në detyrë, drejtori i përgjithshëm i “Postës Shqiptare”, Ardit Demiri, ka firmosur 21 tenderë publikë – një “valixhe” kontratash për klientët e pushtetit dhe përfituesit politikë që e kanë mbajtur në post.
Ndër ta, dy tenderë për marrje makinash me qira, me vlerë të përbashkët 1 milion e 160 mijë euro, janë dhënë përmes një skeme që përfshin familjarët më të afërt të kryetares së Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako.
Sipas dokumenteve të publikuara në Buletinin e Prokurimeve Publike më 27 tetor 2025, kompania “Eurocar Rentals Sh.p.k.” është shpallur fituese në dy tenderë:
Tenderi i parë: “Marrje automjetesh furgonçina me qira”, me fond limit 970 mijë euro me TVSH, fituar me ofertë 950 mijë euro – ose 98% të fondit limit.
Tenderi i dytë: “Marrje me qira të autoveturave tip SUV”, me fond limit 220 mijë euro, fituar me ofertë 210 mijë euro – ose 95% të fondit limit.
Në të dyja rastet, fituesja është e njëjta kompani: “Eurocar Rentals”, që sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) është pronë familjare e bashkëshortit dhe kunatit të Emiriana Sakos.
Kompania u krijua në mars 2017 nga Edmond Shahini, vëllai i bashkëshortit të Sakos, dhe më vonë u “shitur” për 1 milion lekë te Indrit Lama, një familjar tjetër që shërben si administrator formal, ndërsa kontrolli real mbetet në duart e familjes Shahini.
Pas publikimeve të para për konflikt interesi dhe 17 milionë euro tenderë të përbashkët midis “Eurocar Rentals” dhe “Mektrin Motors” – kompania tjetër e bashkëshortit të Sakos, Landi Shahini – familja ka tentuar të maskojë pronësinë, duke përdorur emra të rinj për garë dhe kompani “rivale” të vetat.
Në tenderët e fundit të “Postës Shqiptare”, si pjesëmarrëse “konkurrente” është futur edhe kompania “Antigone Rentals Sh.p.k.”, që ka bërë ofertë vetëm 2% më të lartë, për të krijuar pamjen e konkurrencës, ndërsa faktikisht është filial i të njëjtit grup familjar, me të njëjtën adresë dhe staf operativ.

Burime nga brenda “Postës Shqiptare” konfirmojnë se këta tenderë janë nënshkruar ditët e fundit përpara shkarkimit të Ardit Demirit, në mënyrë që të mos bllokoheshin nga drejtori i ri.
Në total, vetëm për transportin dhe qiratë e makinave, institucioni publik ka shpenzuar afro 2 milionë euro, ndërkohë që vetë Posta është në humbje dhe pa investime reale në infrastrukturë.
Kjo nuk është hera e parë që kompanitë e lidhura me familjen e kryebashkiakes së Durrësit përfitojnë fonde publike nëpërmjet institucioneve shtetërore dhe bashkive.
Që nga viti 2021, “Mektrin Motors” dhe “Eurocar Rentals” kanë marrë mbi 25 milionë euro tenderë për automjete, mirëmbajtje, karburante dhe qira makinash nga ministritë, bashkitë dhe ndërmarrjet publike.
Megjithatë, as SPAK dhe as Agjencia e Prokurimeve Publike nuk kanë hapur procedurë hetimore për konflikt interesi, edhe pse lidhjet mes përfituesve dhe funksionarëve publikë janë të dokumentuara zyrtarisht.
Në thelb, kjo është një tjetër skemë tipike e pushtetit vendor të rilindjes: zyrtarët e lartë, bashkëshortët dhe familjarët e tyre kontrollojnë tenderët publikë, ndërsa “Posta Shqiptare” dhe institucionet e tjera shtetërore përdoren si kasaforta private për shpërndarje kontratash në prag ndryshimesh drejtuese.
Të gjitha provat tregojnë se tenderët e fundit të Ardit Demirit nuk ishin administrativë, por politikë – një mbyllje llogarish dhe shpërblim i miqve të sistemit përpara se drejtoria të ndryshojë duar.
Dhe, si gjithmonë, fituesi përfundimtar është i njëjti rreth pushteti që lidh Tiranën me Durrësin, aty ku qarkullojnë makinat pa garë, tenderët pa transparencë dhe drejtuesit pa përgjegjësi./Pamfleti
vetem keta e dine ca duhet vetem miqt e tyre i kane fiks keto qe duhen se nuk ka planifikim vjetor per prokurimet se ca do duhet. u cuan katramanet langaraq bejne gango marrin tere tenderat.. Po ca u duhet diploma qe i cojne kalamaqt ne shkolle