Vodhën për vite me radhë dhe kanë pasuri ‘sheikësh’, sot të ngelurit në veting janë avokatë, pedagogë dhe shijojnë milionat...
Gjyqtarët dhe Prokurorët e ngelur në veting vijojnë të shijojnë plaçkën që u kanë grabitur qytetarëve.
Falë procesit të rivlerësimit, u larguan nga sistemi i drejtësisë afro 400 magjistratë. Më saktë 268 u shkarkuan, 105 u dorëhoqën gjatë procesit dhe 49 u larguan para nisjes së vettingut.
Por edhe pse shumica ikën sepse nuk justifikonin pasuritë, pasi ka nga ata që kanë prona dhe pasuri me vlerë miliona euro, nuk pati asnjë masë ndëshkimore ndaj tyre.
Kreu i SPAK, Altin Dumani pak muaj më parë paralajmëroi se SPAK do të godasë ata që kanë ngelur në vetting.
“Jemi përpjekur që aktet në procesin administrativ t'i përdorim në procesin penal për të gjetur prova. Është një bazë e mirë, rezultatet e hetimit administrativ janë një bazë e mirë për të gjetur prova. Ne kemi në kompetencë gjyqtarë të GJK, GJL, Prokurorin e Përgjithshëm, anëtarë të KLGJ dhe KLD. Kemi numër të vogël subjektesh. E kemi cekur pak atje, nuk kemi qenë të verbër në raport me vendimet e organeve të vettingut. Kemi regjistruar procedime penale, për veprën penale të korrupsionit”, shprehej Dumani.
Por deri më sot SPAK ka dërguar për gjykim vetëm 3 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese: Bashkim Dedjen, Fatos Lulon dhe Shkëlzen Selimin. Që të tre ja kanë hedhur paq, pasi nuk kanë bërë asnjë ditë burg. Përveç kësaj, nuk ka pasur asnjë tjetër të dërguar në gjykatë. Fjala vjen, te Gjykata e Lartë ka pasur gjyqtarë me pasuri “sheikësh”, por të gjithë ja kanë hedhur paq.
Elementi tjetër është se në SPAK ka pasur 19 padi gjatë vitit që lamë pas për njerëz që kanë ngelur në vetting. Por SPAK ka shpallur moskompetencën. Këtë gjë e pranon vetë SPAK në raportin vjetor.
“Gjatë vitit 2024, pranë Prokurorisë së Posaçme janë referuar nga organet e rivlerësimit kalimtar 19 kallëzime për subjektet e rivlerësimit kalimtar. Pas verifikimit të këtyre kallëzimeve, është vendosur shpallja e mos kompetencës dhe dërgimi pranë prokurorive të rretheve të gjykatave të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm. Këto kallëzime penale kanë qenë për ish prokurorë dhe ish gjyqtarë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Apelit, që nuk janë subjekte në kompetencën e Prokurorisë së Posaçme. Njëkohësisht, nga kallëzimet penale kishte dyshime për veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurisë, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal, vepër penale e cila nuk është në kompetencën lëndore të Prokurorisë së Posaçme”, shprehet SPAK.
Sot të gjithë ata që kanë ngelur në vetting janë avokatë, mësues të Shkollës së Magjistraturës apo në universitetet private. Një pjesë pastrojnë paratë e korrupsionit, një pjesë shijojnë milionat. /Pamfleti
Lini një Përgjigje