
Nuk është aspak çudi që të nisin arrestet në Tiranë për llogari të Prokurorisë Antikorrupsion të Bashkimit Europian. Njësoj siç ndodhi me ish-kryeministrin e Bullgarisë Boris Borisov...
Dy muaj më parë, nuk pati shumë zhurmë në një takim që zhvilloi kreu i SPAK, Altin Dumani me kryeprokuroren e BE-së për korrupsionin, rumunen e hekurt Laura Kovesi.
Në njoftimin zyrtar që shpërndau atëherë SPAK, bëri të ditur se ndërmjet Prokurorisë Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Shqipërisë dhe asaj të BE-së, ishte firmosur edhe një marrëveshje zyrtare.
“Në datën 29 Qershor, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, z. Altin Dumani nënshkroi një Marrëveshje Pune me Drejtuesen e Zyrës së Prokurorit Publik Evropian, znj. Laura Codruța Kövesi. Marrëveshja konsiston në vendosjen e urave të bashkëpunimit në hetimin financiar për veprat penale të korrupsionit të zyrtarëve të lartë publik.
Përfaqësuesit e dy institucioneve diskutuan gjithashtu mundësinë e bashkëpunimit edhe në kuadrin e rritjes së kapaciteteve njerëzore, kryesisht në trajnimet që ekspertët e Zyrës së Prokurorit Publik Evropian mund të ofrojnë për Seksionin e Hetimit Financiar në Prokurorinë e Posaçme dhe shkëmbimin e eksperiencave të mira midis prokurorëve evropianë dhe prokurorëve të posaçëm në hetimin e keqpërdorimit të fondeve publike”, thuhej në njoftim.
E pikërisht pas firmosjes së kësaj marrëveshjeje, impakti i parë ishte bllokimi i fondeve të Bashkimit Europian për bujqësinë shqiptare, njëherë nga auditi i Brukselit OLAF, i cili sipas të gjitha gjasave, pasi edhe se është praktikë pune, i ka dërguar gjetjet edhe në zyrën e kryeprokurores Kovesi.
E pikërisht në këtë kohë, ndodhi një largim i ambasadores së Bashkimit Europian në Tiranë, e cila nuk kishte as një vit që ishte emëruar.
Diplomatja gjermane Christiane Hohmann, e cila mori një propozim të rëndësishëm nga ministrja e Jashtme e Gjermanisë, la mandatin komunitar për tu kthyer në forcë të qeverisë së vendit të saj.
Pas vendit vakant të krijuar, Brukseli nuk vonoi por risolli në Tiranë sërish Luigi Soreca-n, ish-prokurorin e njohur italian, i cili ka shërbyer për një mandat të plotë në Tiranë.
Rikthimi i Soreca-s, mësohet se ka një arsye mjaft të rëndësishme, si praktike, por edhe politike. Siç mësohet, BE ashtu si SHBA, investimin kryesor në Shqipëri e ka në vijimin e aksionit antikorrupsion, ku mbështet fort SPAK dhe drejtësinë e re. E cila monitorohet nga ONM, që drejtohet nga një zyrtar i lartë i Brukselit si Reinard Priebe.
Ish-prokurori i antimafias italiane, duket se është rikthyer pikërisht në kohën e nisjes së dosjeve për fondet e bujqësisë, e cila siç mësohet do të jetë shumë përvëluese. Përveç mandatit të Frida Krifcës, ministres së Bujqësisë që largoi Edi Rama, dosjet e fondeve të BE, përfshijnë edhe kohën para saj, madje që në vitin 2013. Kohë kur për një mandat u menaxhuan nga partia e Ilir Metës, e më pas me Peleshin.
Auditi i Brukselit ka përgatitur një raport të plotë që flet për keqpërdorimin skandaloz të fondeve europiane nga qeveritarët shqiptare. E sipas marrëveshjes që firmosën në Bruksel Kovesi dhe Dumani, bëhet fjalë se përveç bashkëpunimit të ngushtë, është folur edhe për ekstradimin e personave që kërkohen nga BE, apo nga SPAK në vendet e BE.
Nuk është aspak çudi që të nisin arrestet në Tiranë për llogari të Prokurorisë Antikorrupsion të Bashkimit Europian. Njësoj siç ndodhi me ish-kryeministrin e Bullgarisë Boris Borisov, i cili u arrestua, e tani po hetohet në gjendje të lirë, pikërisht për menaxhimin e fondeve europiane.
Ambasadori Soreca, duket është sjellë me mision specifik për të ndjekur nga afër një furtunë dosjesh, qoftë për krimin e organizuar e antitrafikun e lidhur me politikën, por edhe korrupsionin me fondet komunitare. /Pamfleti
Lini një Përgjigje