Biznesmeni Bashkim Ulaj ka marrë disa 'dhurata' miliona euro këtë fundvit nga qeveria e Edi Ramës.
Një ditë nga mbyllja e 2024, qeveria e kryeministrit Edi Rama miratoi pasditen e 30 dhjetorit, kontratën koncesionare 44,6 milionë euro pa TVSH për projektimin dhe ndërtimin e segmentit rrugor Milot-Thumanë, 13,5 km i gjatë, pjesë e korridorit blu.
zje të Këshillit të Ministrave biznesmeni Bashkim Ulaj, botues dhe pronar i stacionit televiziv A2 së bashku me dy vëllezërit e tij Astrit dhe Ahmet Ulaj morën statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” për ndërtimin e resortit turistik Blue -Borgo” në bregdetin e Velipojës.
Biznesmeni Bashkim Ulaj, ka lidhje të ngushta me Sali Berishën, çka i ka mundësuar të fitojë vazhdimisht tendera dhe koncesione publike pa pasur pengesa as akuzat e opozitës. Dhe kryetari i PD-së, Berisha as këtë herë nuk do të kundërshtojë dy vendimet që qeveria firmosi në mbledhjen e saj të fundit për këtë vit’
Koncesioni për Milot - Thumanë
Qeveria miratoi kontratën e koncesionit me bashkimin e operatorëve ekonomikë “Gener 2”, “Illyrian Consulting Engineers”, dhe “I.D.K – Konstruksion”, për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen, rehabilitimin dhe transferimin e segmentit rrugor Milot-Thumanë, 13,5 km i gjatë.
Koncesioni do të kushtojë 44,6 milionë euro pa TVSH. Kohëzgjatja e kontratës koncesionare/PPP do të jetë 35 (tridhjetë e pesë) vjet nga hyrja në fuqi e saj.
Gjurma e kësaj rruge fillon pranë nyjës së Milotit dhe përfundon pranë rrethrrotullimit të Thumanës. Ky segment ekzistues është një karrexhatë me dy korsi dhe me dy sense lëvizjeje 2×2 (A1), me një trafikndarëse dhe korsi emergjence. Kjo rrugë do të përmirësohet në një autostradë të plotë të Kategorisë A, së bashku me rrugët e shërbimit dhe sistemet e nevojshme ITS.
Pak ditë më parë, qeveria miratoi një tjetër kontratë me Bashkim Ulajn. Më 18 dhjetori zv/kryeministrja dha lejen për ndërtimin e një termocentrali të ri me kapacitet të instaluar prej 170 Mega në Roskovec, Qarku Fier. Ky projekt do të realizohet nga shoqëria greko-shqiptare “Fier Thermoelectric” sh.a e cila aksionerë ka kompaninë greke DEPA COMMERCIAL S.A. 35% dhe kompaninë tjetër greke GEK TERNA Holdings 35% ndërkohë që GENER 2 zotëron 30% të aksioneve. Ndërkohë banorët e zonës protestojnë dhe e kundërshtojnë ndërtimin e saj pasi shkakton ndotjen mjedisore.
Korridori blu me pagesë
Në mbledhjen e qeverisë u miratuan dhe dy kontrata koncesionare për ndërtimin e dy segmenteve të tjera pjesë e të quajturës Korridori Blu. Kontratën Koncesionare për ndërtimin e Kashar-Pezë-Lekaj dhe Kontratën koncesionare për Lekaj - Fier
Kalimi në të gjithë autostradën adriatiko-joniane, quajtur ndryshe Korridori Blu, do të jetë me pagesë nga Balldreni në Lezhë e deri në Fier. Tre kontratat koncesionare të këtij korridori që nisin ndërtimin vitin e ardhshëm dhe arrijnë në vlerën 100.1 miliardë lekë, 1 miliardë euro.
Vendimi:
Miratimin e kontratës së koncesionit/partneritet publik privat, për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen, rehabilitimin dhe transferimin e segmentit rrugor Milot-Thumanë, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë “Gener 2”, sh.p.k., “Illyrian Consulting Engineers”, sh.p.k., dhe “I.D.K – Konstruksion”, sh.p.k.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 26, pika 9, e 41, pika 2, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kontratës së koncesionit/partneritet publik privat, për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen, rehabilitimin dhe transferimin e segmentit rrugor Milot-Thumanë, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë “Gener 2”, sh.p.k., “Illyrian Consulting Engineers”, sh.p.k., dhe “I.D.K – Konstruksion”, sh.p.k., që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Kryeministri
Edi Rama
Në mungesë dhe me porosi
Zevendëskryeministri
Belinda Balluku
Resorti në Velipojë
Subjekti “Aba Blue Borgo”, sh.p.k', me pronar përfitues vëllezërit, Bashkim Astrit dhe Ahmet Ulaj do të ndërtojë “Resorti Turistik Blue -Borgo”,i konceptuar si fshat turistik ndodhet 2.2km larg fshatit Baks Rrjoll të komunës Velipojë në rrethin e Shkodrës. Ka një sipërfaqe prej 147.2 ha. Rruga kryesore në afersi të pojektit është rruga Velipojë – Shëngjin. Statusi special parashikon lehtësira fiskale.
Vendim për:
Dhënien e statusit të veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” aplikuesit “Aba Blue Borgo”, sh.p.k.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 33/1, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” aplikuesit “ABA BLUE BORGO”, sh.p.k.
2. Ngarkohet ministria përgjegjëse për turizmin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Lini një Përgjigje