
Fondi Shqiptar i Zhvillimit heq Bashkinë nga investimi me justifikimin e shpronësimeve, ndërsa precedenti i Karavastas ngre dyshime për kalim te privatët...
Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, ka anuluar tenderin 6 milionë euro për fermën e dijes dhe agroturizmit në Divjakë, duke argumentuar pamundësinë financiare të Bashkisë për shpronësime. Vendimi vjen ndërsa Agolli është nën hetim nga SPAK për një tjetër tender 480 milionë lekë dhe mes denoncimeve për projekte fantazmë në skemën “100 fshatra turistikë”. Kritikat theksojnë se shpronësimet financohen nga qeveria qendrore dhe se anulimi hap rrugën për kalimin e projektit në administrim privat, si në rastin e 866 hektarëve në Karavasta që iu dhanë Ilir Trebickës dhe Oleg Deripaskës.
Megjithëse Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, është nën hetim nga SPAK që prej muajit shkurt 2022, për një tender 480 milionë lekë të dhënë restorantit të të birit në Lalëz dhe është denoncuar për shumë afera me fondet publike, ndaj tij nuk ka filluar ende një procedim penal.
Paprekshmëria i ka lënë Dritan Agollit dorë të lirë për të vazhduar pazaret me tenderët, shumica të sajuar për projekte fantazmë me skemën “100 fshatra turistikë”, që nuk kryhen ose kryhen pjesërisht dhe më pas plotësohen dokumentet.
Ai përdor edhe marifete, me shpallje tenderësh për investime që duhen kryer nga pushteti lokal, të cilët i anulon dhe i kalon te subjektet private, me justifikimin e mungesës së kapaciteteve.
Kështu ka vepruar drejtori Dritan Agolli me projektin publik: “Ndërtimi i infrastrukturës së modeleve të integruara në zonën me potencial zhvillimi të Divjakës, për fermën e dijes dhe agroturizmit të ullishteve”, me fond limit rreth 6 milionë euro me TVSH.
Sipas njoftimit në Buletinin e Prokurimeve Publike të datës 2 mars 2026, Fondi Shqiptar i Zhvillimit e ka anuluar këtë tender, me justifikimin se Bashkia e Divjakës nuk ka mundësi financiare për të përballuar vlerën e shpronësimeve të pjesës së tokës që është pronë private.

Anulimi, sipas informacionit, është skenar i kalkuluar edhe me drejtuesit e Bashkisë së Divjakës, për t’ia hequr pushtetit lokal këtë investim dhe administrimin e fermës së përvojës së ullishteve dhe për t’ia dhënë privatit, siç vepruan me projektin e fermës me 866 hektarë tokë shteti në Karavasta, që ia dhanë Ilir Trebickës dhe oligarkut rus Oleg Deripaska.
Sipas Drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, pamundësia financiare për shpronësimin e një pjese të tokës i ka hequr Bashkisë së Divjakës pjesëmarrjen në projektin e investimit të fermës.
Por realisht, kjo bie ndesh me procedurën, sepse sipas rregullave, fillimisht garantohet fondi i shpronësimit, pastaj shpallet tenderi për zbatimin e projektit, procedurë që nuk është ndjekur dhe nuk mund të bëhet nga Bashkia e Divjakës, sepse shpronësimet financohen nga pushteti qendror me vendim qeverie nga buxheti i shtetit./Pamfleti
Ore a njifet ligji te ne më??Apo vetëm për popllin hallexhi