Vëllezërve të drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dyshohet se u është gjetur një bllok shënimesh në momentin e arrestimit...
Aksioni i policisë dhe SPAK në Elbasan, dëshmoi se ky qark është i mbërthyer kokë e këmbë nga krimi. Dihej që në institucione ligjin e bënin bandat, por tani e kemi e zeza mbi të bardhë se si banda e Suel Çelës ndërhynte për leje ndërtimi, tenderë, koncesione dhe punësime në institucionet e zonës.
Mes 21 emrave të akuzuar janë dhe Marsel dhe Xhino Roka. Në fakt ata janë vëllezërit e drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka. Po ashtu, i ati i tyre ka qenë drejtor burgu në Bradashesh.
Por duket se ndërhyrjet e tyre kanë qenë më të thella. Si duket ata ishin personat që merreshin me “kapjen e shtetit”. Sipas raportimeve mediatike, në momentin që ata janë ndaluar u është gjetur një bllok shënimesh, ku ka emra, listë pagesash dhe detaje mbi leje ndërtimi, tenderë, koncesione apo punësime. Deklarata është dhënë nga gazetarja Klodiana Lala në një emision.
“Në momentin që dy vëllezërit janë arrestuar, u është bllokuar një bllok i detajuar në lidhje me të gjitha paratë, lejet, tenderat, koncesionet, nuk e di çfarë mund t’i quaj se mbase s’po gjej dot termin e duhur dhe në këtë aspekt… Dhe në këtë aspekt mendoj që po të hetohet kjo linjë nisur nga ky blloku që u është bllokuar vëllezërve në momentin e arrestimit afër Kodër Kamzës, unë mendoj që SPAK e ka shumë të lehtë të shkojë te politika”, tha Lala.
Nëse kjo është e vërtetë, atëherë jemi fiks si në Palermon e dikurshme. Banda e Suel Çelës ka marrë trajtën e një organizate tipike mafioze, e cila ka kapur shtetin, policinë, gjykatat, mediat dhe gjithçka tjetër.
Në dosje dalin dhe episode të tjera, ku Suel Çela dhe Klaus Matishi ndërhyjnë për të vënë njerëzit e tyre në krye të Spitalit të Elbasanit dhe te sektori i Antidrogës në policinë e Elbasanit. Spitalin e donin sepse ka tenderë, ndërsa kreun e Antidrogës që të kontrollonin kollaj territorin.
“Më datë 20.04.2020 Klaus Matishi komunikon me Megi Fetah, të cilës i tregon që ishte duke komunikuar me "shokun" (Marjus Lulaj) me të cilin kishin diskutuar dhe kishin ndarë disa detyra. Klaus i shprehet që sapo të mbarojmë gjyqet shokut i ka kërkuar spitalin e Elbasanit për të vënë "Luanin" drejtor. Spitali më duhet se punësoj njerëz dhe ka lek se ka tendera dhe "Luani" e njef mirë atë vend. Gjithashtu do të kërkoj edhe shefin e antidrogës që ta vendosi vetë Klausi me qëllim që "Toni" të shesë lëndë narkotike në të gjithë zonën e 5-majit dhe në të gjithë qytetin. Pozitive në shitjen e lëndës narkotike është përfitimi, por gjithashtu kontrollojnë qytetin sepse shitja e lëndës narkotike ka thashetheme dhe mësojnë të reja”, thuhet në dosje. /Pamfleti
Lini një Përgjigje