TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 1 Maj 2024, 17:47

Falsifikator serial, ndërtime pa leje dhe pastrim parash, kush është Arben Reli që fshihet pas portaleve për kulla te Kopshti Zoologjik?

Shkruar nga Pamfleti
Falsifikator serial, ndërtime pa leje dhe pastrim parash, kush
Arben Reli dhe vendimi i Gjykatës

Arben Reli është kreu i një grupi që vepron nga Korça në Tiranë, ndërsa paratë e përfituara nga veprimtaria kriminale investohen në ndërtim...

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj bëri dje një deklaratë të fortë, ku u shpreh se disa pronarë mediash dhe analistë po i bëjnë presion e shantazh duke kërkuar leje ndërtimi dhe benefite të tjera.

Ai përmendi Baton Haxhiun, duke deklaruar se atë nuk e duan në Kosovë dhe jo më në Shqipëri. Po ashtu përmendi dhe disa pronarë portalesh, teksa gjithashtu deklaroi se mes gjobaxhinjve është edhe Ben Reli, pasi i kërkon leje ndërtimi te Kopshti Zoologjik për një portal.

Mjafton të shikoje dje emisionet e lajmeve dhe ti kupton se një nga meritat tona është se kemi mbledhur si armiq bashkë të gjithë llumin. Secili prej analistëve, ka kërkuar diçka në Bashkinë e Tiranës. E di ai çfarë ka kërkuar Ben Reli për atë portalin që nuk jepet leje në kopshtin zoologjik. E di ai tjetri çfarë ka kërkuar për sondazhet që nuk i bën dhe faturon shifra të panevojshme dhe kur nuk e duan në Kosovë, në Shqipëri e shohim akoma më me përbuzje”, tha ai.

Por kush është Arben Reli?

Referuar një sage dosjesh në polici, prokurori dhe gjykata, Arben Reli është një personazh me aktivitet të theksuar dhe të larmishëm kriminal, kryesisht në fushën e falsifikimit të dokumenteve, pastrimit të parave, ndërtimeve pa leje, zhvatje, mashtrim me pasoja të rënda, krime mjedisore etj.

Arben Reli është kreu i një bande kriminale, e cila vepron nga Korça në Tiranë, ndërsa paratë e përfituara nga veprimtaria kriminale investohen në ndërtim.

Në 10 mars 2021, Gjykata e Tiranës ka dënuar me 9 muaj burg Arben Relin për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve në lidhje me legalizimin korruptiv të disa objekteve në Tiranë.

Nga verifikimi i të gjithë procedurës administrative të ndjekur për kryerjen e legalizimit të disa objekteve të vetëdeklaruara nga shtetasit Esli dhe Anri Reli (dy djemtë) ka rezultuar se nga autidimi i zhvilluar mbi praktikën e ndjekur janë verifikuar një tërësi shkeljesh të rënda ligjore”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Tiranës.

Në shkurt të vitit 2016, Arben Reli u arrestua nga policia pasi konstatoi se në kompleksin e vilave të ndërtuar prej tij, po vijonin punimet, pavarësisht se nga komuna e Farkës i ishte pezulluar e drejta për të vazhduar punën.

Me datë 19.02.2016, u arrestua shtetasi: – Arben Reli, 51 vjeç, banues në Tiranë. Në zonën e Farkës, tek lagja e Çollakve, shtetasi Arben Reli, administrator i firmës “Hydrosistem”, u konstatua se në kompleksin e vilave të ndërtuar prej tij, po bëheshin punime, ndërkohë që me datë 16.07.2015 nga komuna e Farkës i është pezulluar e drejta për të vazhduar punime në kompleksin e vilave dhe akoma nuk ka marrë një aprovim për rifillim të punimeve”, thuhej në njoftim.

Në vitin 2019, u arrestua Afrim Ismailit, ish-drejtor i ALUIZNI Tirana-Rurale, i cili kishte legalizuar në mënyrë të paligjshme tre vilave të pa ndërtuara në zonën e Farkës nga Arben Reli.

I ashtuquajturi biznesmen Arben Reli ka ndërtuar edhe një lokal pa leje në zonën e ish-Bllokut, duke e legalizuar para se ta ndërtonte.

Në vitin 2020, Arben Reli u shpall në kërkim nga Prokuroria e Korçës për ndërtim pa leje, shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.

Sipas dosjes, Arben Reli kishte nisur nga viti 2017 duke ndërtuar pa leje dhe në tokën e dikujt tjetër resortin “Montrelux”, në Moravë, një nga zonat më të bukura të Shqipërisë.

Krimi është i shumëfishtë, pasi krahas ndërtimit pa leje, janë rrafshuar pyje, janë hapur rrugë dhe krijuar sheshe për parkingje në një zonë turistike.

Kryeprokurorja e Korçës, Dhorina Theodhori mori të pandehur Arben Relin për ndërtim të paligjshëm dhe prerje pyjesh.

Në mars të vitit 2022, Prokuroria e Korçës referoi në gjykatë një dosje për resortin “Montrelux”, ndërtuar nga Morava Resort e Arben Relit.

“Pasi u shkua tek kompleksi ‘Morava’ apo ‘Montrelux’ është dokumentuar këqyrja e vendit objekt hetimi. Nga këqyrja rezulton se në të ka pasur punime të freskëta ndërtimore, shtesa, magazinë vendosje impiant gazi, prerje të pishave dhe sipër tyre hedhje betoni”, thuhet në dosjen 664 për Arben Relin.

Më tej, organi i prokurorisë shkruan se u konstatua edhe hapje rrugësh si edhe mur në distancë të konsiderueshme. “Në këtë vend janë konstatuar edhe skela metalike, të cilat janë vendosur për të punuar, skara hekuri etj”, shkruan Prokuroria e Korçës.

Arben Reli ka disa procedime penale të hapura në Prokurorinë e Tiranës dhe të Korçës. Ndonjë dosje e mbyll me lekë. Ndonjë tjetër e zvarrit. Në ndonjë rast pranon gjykim të shkurtuar, për të ulur dëninim.

Arben Reli ka edhe disa kallëzime penale në SPAK.

Fakti që ndërton pa leje vila, lokale dhe resorte nga Korça në Tiranë ngre dyshime të forta për pastrim parash në ndërtim.

I ashtuquajturi biznesmen kontrollon një kartel kompanish me aktivitet të dyshimtë, duke përfshirë; HydroSystem, Morava Resort, RELI-KONSTRUKSION, EURO-ESLI-2006, ANRESL-KONSTRUKSION si dhe biznese të tjera si rrobaqepsi, tregtim veprash arti, kopshte dhe çerdhe, lokale etj.

Me paratë e pista, Arben Reli mban një bandë në sistemimin e drejtësisë dhe jashtë saj, me qëllim për t’i shpëtuar veprimit ligjor. /Pamfleti

Lini një Përgjigje