
Apartamenti ka qenë me qira dikur nga Beqaj, por ka dyshime se në fakt ai është pronar i fshehtë...
Oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kryer afro 3 orë kontroll në një apartament në Vlorë që dyshohet se është i Ilir Beqajt. Rreth orës 15:00 agjentët dhe policia mësynë në apartament me urdhër të SPAK dhe vetëm pas orës 18.00 ka përfunduar kontrolli. Agjentët kanë dalë me dosje dhe dokumente në duar.
Beqaj është në burg për aferat me fondet e BE dhe SPAK ka pasur dyshime se ai kishte fshehur prova me rëndësi për hetimin, në një apartament në Vlorë. Apartamenti është deklaruar nga Beqaj si i marrë me qira, por duket se ka dyshime se ajo pronë është e tij dhe ai nuk e ka deklaruar. Apartamenti ndodhet në Lungomare.
Para se të arrestohej, Beqaj çdo fundjavë së bashku me familjen e tij, shkonin në Vlorë tek kjo banesë. Banesa e Beqajt ndodhet në katin e 7 të një pallati në këtë zonë. Sipas informacioneve, në kontrollet e mëparshme në sendet e Beqajt janë gjetur foto të apartamentit me të njëjtin arredim dhe pas verifikimeve apartamenti është gjetur. Gjithashtu, burime bëjnë me dije se oficerët e BKH-së kanë ushtruar kontrolle edhe në garazhet e pallatit të apartamentit në Vlorë në kërkim të një makine, por nuk kanë gjetur gjë.
Ai që ka treguar detaje është vetë avokati i Beqajt, i cili duket se ka rënë brenda, pasi tregon dyshimet e SPAK. Agjentët i kanë kërkuar atij çelësin e banesës, por, pasi ai ka refuzuar me argumentin se Beqaj nuk ka lidhje me atë banesë, policia dhe BKH kanë marrë forcat zjarrfikëse dhe kanë hyrë me forcë.
“Sot më datë 24.07.2024, rreth orës 14:00, unë si avokat i z. Ilir Beqaj jam kontaktuar në telefon nga oficerët përkatës të SPAK, të cilët më kërkuan të isha prezent në kontrollin që do t'i bëhej (sipas tyre) shtëpisë në pronësi të z. Ilir Beqaj në Vlorë, duke më kërkuar gjithashtu që t'u sillja nga Tirana dhe çelësin e kësaj shtëpie, pasi në rast të kundërt do të shpërthenin derën. Pasi e sqarova oficerin përkatës të SPAK, që z. Ilir Beqaj nuk ka asnjë apartament në pronësi në Vlorë ai kërkoi ndjesë se ishte shprehur gabim dhe sqaroi që bëhet fjalë për një banesë që z. Beqaj nuk e ka në pronësi, por e ka pasur me qira sipas një kontrate qiraje të vitit 2020. Përgjigja ime ishte që nëse bëhet fjalë për shtëpinë që z. Beqaj ka patur me qira dhe që e ka deklaruar dhe në ILDKPKI, kjo kontratë qiraje e 2020 ka kohë që nuk është më në fuqi dhe z. Ilir Beqaj ka kohë që nuk e përdor më këtë shtëpi me qira, prandaj unë si avokat nuk kisha përse të nisesha nga Tirana për në Vlorë për të marrë pjesë në kontrollin e një banese që ishte në pronësi dhe në përdorim të dikujt tjetër, dhe madje një kërkesë e tillë ishte dhe tërësisht e paligjshme”, shkruan avokati Ermal Yzeiraj.
Madje ai pretendon se Ilir Beqaj nuk është as qiramarrës dhe as posedues i këtij apartamenti. Por atëherë pse SPAK ka mësyrë aty? Pse zgjati 3 orë kontrolli, nëse apartamenti nuk është i Beqajt. Pse SPAK do hynte për 3 orë në shtëpinë e dikujt tjetër?
Sipas informacioneve, SPAK ka nisur hetim pasuror ndaj Beqajt dhe duket se kanë dalë prona të fshehura gjatë hetimit. Një ndër to është dhe apartamenti në Vlorë. Duhet theksuar se po sot SPAK dërgoi për gjykim për fshehje pasurie ish-kryebashkiakuan Fatos Tushe, i cili po ashtu kishte fshehur një apartament në Lungomare. /Pamfleti
Lini një Përgjigje