
Ditën e djeshme në Lushnje një qendër tregtare është shkruambuar nga flakët, ndërsa të bllokuar kanë mbetur disa persona, mes të cilëve edhe zjarrfikës...
Kanë qenë dramatike momentet për qytetarët dje në Lushnjë, ku qendra tregtare ‘Metropol’ u përfshi nga flakët e më pas zjarri u përhap edhe në banesat në pallatet ngjitur.
Prej më shumë se 10 orësh, forcat zjarrfikëse, të Lushnjës, Fierit, Tiranës, Elbasanit, Vlorës e Beratit, luftuan për të shuar flakët dhe për të bërë të mundur evakuimin e qytetarëve, ku disa prej tyre përfunduan në spital.
Mësohet se ditën e sotme asnjë person nuk ndodhet në spital. Një ditë më parë rreth 42 persona u shtruan në spital pasi kishin probleme me frymëmarrjen mes tyre dhe 8 persona personel zjarrfikës.
Ndërkohë zona është rrethuar me shiritin e sigurisë dhe pritet që të kryhet ekspertiza për të caktuar shkaqet e zjarrit si dhe dëmet e shkaktuara nga flakët.
Banorët po ashtu nuk janë lejuar që të shkojnë në banesat e tyre për të parë se çfarë ka lënë pas zjarri, që shpërtheu në mënyrë të papritur në të gjithë godinën.
Qendra Tregtare është ndërtuar në qendër të qytetit dhe ndodhet mes dy godinave 12 katëshe, katet e sipërme të të cilave funksiononin si apartamente banimi.
Flakët u riaktivizuan në orët e vona të natës në katin e katërt ku ndodhej dhe një lokal veror me strukturë druri si dhe disa zyra të administratës. Mungesa e një autoshkalle e bënte të vështirë shuarjen e zjarrit, ndërsa zjarrfikësit hodhën ujë nga kati i parë për në katin e katërt të qendrës që ishte duke u shkrumbuar. Flakët përpinë dhe katin e tretë të ndërtesës.
Lini një Përgjigje