
Sot në orën 07:00 janë hapur qendrat e votimit në Shqipëri. Qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit nga ky moment e deri në orën 19:00 kur mbyllet ky proces dhe më pas nis procesi inumërimit të votave.
Mbi 3 milionë e 650 mijë shqiptarë janë thirrur sot të votojnë në zgjedhjet e nënta vendore të historisë së Shqipërisë postkomuniste.
Në Kamëz janë shfaqur problemet e para me votimin elektronik, ku në një nga qendrat e votimit, kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi nuk mundi të hedhë votën e tij. Ai duhet të presë që të sjellin një tjetër pajisje.
Ndërkohë që sot votohet edhe për 61 Këshillat bashkiakë, ku konkurrojnë 40 parti dhe koalicione.
Por procesi ka nisur me probleme. Në plot 531 qendra nuk po votohet për shkak se ka probleme me pajisjen e indentifikimit elektronik. Arsyeja është mos paraqitja e operatorëve, mungesa e njohurive prej tyre, por dhe problemet teknike.
Falë paktit PD-PS u ra dakord që karta e identitetit të verifikohet përmes një pajisje elektronike, por duket se sistemi ka dështuar dhe po vijohet me kontroll manual.
“Në lidhje me ecurinë e procesit të ditës së sotme. Të informoheni mbi problematikat në lidhej me përdorimin e pajisjeve të identifikimit. Në momentin që ne flasim janë 4464 qendra votimi që funksionojnë normalisht në kuptim të pajisjes elektronike të identifikimit. Janë 206 qendra votimi që sipas informacionit në kohë reale që marrim nëpërmjet sistemit na tregojnë që këto 205 qendra votimi pajisja është e konfiguruar por nuk mund të marrim informacion në kohë reale prej tyre. Janë 533 qendra votimi për të cilat nuk kemi informacion, që do të thotë ose të gjitha këto qendra votimi nuk funksionin PEI, funksionoi pjesërisht plotësisht por ne këtë të dhënë nuk e kemi nëpërmjet sistemit. Jemi duke komunikuar me këto qendra komunikimi për të ditur nëse ty procesi është duke u zhvilluar nëpërmjet PEI apo manualisht. Janë 532 qendra votimi për të cilat presupozohet në rastin më të keq që identifikimi s’po bëhet nëpërmjet pajisjes së identifikimit", tha Celibashi.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e sotëm mbetet e ulët. Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, deri në orën 18.00 kanë votuar 695 mijë qytetarë, ose e përkthyer në përqindje 36.3 për qind. Shifra është shumë më e ulët se në vitin 2021, ku në të njëjtën orë kishin votuar 45 për qind e qytetarëve.
Kukësi, Dibra dhe Tirana janë 3 bashkitë me pjesëmarrjen më të madhe në votime. Në Kukës, pjesëmarrja është në shifrat e 51.96%, në Dibër 43.5% dhe në Tiranë 40.24%.
Pak minuta më parë është shënuar fluks i madh qytetarësh në Luz të Vogël, njësia administrative e bashkisë Kavajë. Qytetarët po presin në radhë për të votuar dhe siç shihet edhe në foto pjesëmarrja është e madhe, kjo për shkak edhe të problemeve teknike të hasura në mëngjes në qendrat e votimit dhe problemet me gjetjen e emrin në lista.
Më herët kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, firmosi urdhërin për vijimin e procesit me identifikim manual, për shkak të problemeve me pajisjet PEI të identifikimit elektronik.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duket se është në kaos total. Që në mëngjes sistemi elektronik dështoi ndërkohë që së fundi është konstatuar se ka kakofoni mbi shifrat e pjesëmarrjes.
Në faqen zyrtare të KQZ, raportohet se deri në orën 17.00 pjesëmarrja është 34.5 për qind. Po ashtu thuhet se të dhënat bazohen në raportimet e 2688 qendrave të votimit nga 5213 në total. Sipas databazës deri në orën 17.00 kanë votuar 661.257 qytetarë.
Por kreu i KQZ, në një konferencë për mediat doli me shifra ndryshe.
“Janë 4497 qendra votimi. Nuk janë gjysma, të cilat në kohë reale përcjellin informacion dhe për këto qendra kemi numrin e votuesve. Janë 998.633 votues. Janë të dhëna që vijnë nga pajisja e identifikimit elektronik. Përqindja në pjesëmarrje për këtë numër është 31.42 për qind”, tha Celibashi.
Kreu i KQZ, Ilirian Celibashi ka dalë në një konferencë për mediat, për të folur mbi ecurinë e procesit zgjedhor në vend. Ai u shpreh se ka pasur 29 denoncime në KQZ, ndërkohë tha se falë sistemit elektronik janë ndalur 270 raste të votimit të dyfishtë.
“29 denoncime në KQZ. PS ka dy denoncime për kandidatët e Bashkisë në Elbasan të Bashkë fitojmë në Tiranë. Komiteti i Helsinkit ka bërë denoncim për parregullsi gjatë shpërndarjes së bazës materiale. Janë 24 qytetarë nga qytetarë të ndryshëm. Bashkitë që janë me problem janë Tiranë, Elbasani, Durrësi, Kamza, Lezha, Peshkopia dhe Tropoja. Në referim të këtyre denoncimeve, lidhen me parregullsi të detyrës nga komisionerët, korrupsion në procesin e votimit. Në Dropull lidhet me prishjen e pajisjes BEI. Ka denoncime për intimidim të votuesve. Denoncime lidhen dhe me postime në rrjetet sociale me përmbajtje elektorale. Po ashtu ka denoncime për votimin familjar në disa qendra votimi.
Kemi verifikuar 927 tentativa për votim të dyfishtë. Janë 927 raste. Janë 56 mijë e 554 votues të cilët kërkimi i të dhënave të tyre është bërë manualisht jo nëpërmjet kartës së identiteti”, tha Celibashi.
Edhe në Elbasan ka pasur disa incidente sporadike. Policia ka ndërhyrë në 3 qendra votimi, pasi ka pasur persona të paautorizuar dhe po ashtu ka pasur dyshime për intimdim të votuesve.
Qytetarët vijojnë të mos marrin pjesë në votime. Shifrat e orës 16.00 tregojnë se kanë votuar 619 mijë qytetarë, ose 32 për qind. Shifër shumë më e ulët krahasuar me zgjedhjet e viteve të tjera. Duke qenë se jemi pak orë para mbylljes së qendrave të votimit duket se shifrat nuk janë optimist. Mbetet të shihet deri në fund kur të dalë rezultati final nëse kemi një irritim të qytetarëve, apo ka ndikuar problemi me identifikimin elektronik dhe të dhënat nuk janë të sakta.
Partia Socialiste i ka kërkuar KQZ-së të marrë masa ndaj kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Tiranën, Belind Këlliçit dhe të atij të Elbasanit, Luçiano Boçit me argumentin se gjatë konferencave për shtyp kanë bërë fushatë elektorale gjatë ditës së zgjedhjeve.
“Në deklaratën për shtyp, të bërë drejtpërdrejtë gjate ditës së sotme, datë 14 maj 2023, rreth orës
15:30, konstatojmë se kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në zgjedhjet vendore z. Belind Kelliçi ka shkelur nenin 77 te Kodit Zgjedhor duke lidhur apelin për pjesëmarrje ne votim me premtimet elektorale të bëra edhe gjate fushatës. Nisur nga sa më sipër, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt zgjedhor në përputhje me standardet e legjslacionit ne fuqi, lutemi të merren masat në zbatim te nenit 174 te Kodit Zgjedhor për të dënuar këtë shkelje dhe për te garantuar mospërsëritjen e saj në vijim”, shkruhet në ankesën e PS.
Një incident është shënuar në qendrën e votimit në Krujë. Sipas policisë B.T ka marrë 2 fletë votimi (të veten dhetë nënës) dhe ka dalë nga Qendra e Votimit, i ka dëmtuar fletët e votimit dhe i ka hedhur ato në koshin e mbeturinave.
44-vjeçari, banues në Tapizë, është arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”. Policia ka sekuestruar 2 fletët e votimit që ky shtetas mori nga Qendra e Votimit. Në drejtimin e Prokurorisë po vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Një situatë paksa tensionuese është raportuar në qytetin e Vorës. KZAZ ka kërkuar largimin e tyre nga qendrat e votimit. Policia ndodhet jashtë godinës, ku po zhvillohet procesi i votimit për të shmangur pjesëmarrjen e personave pa autorizim.
Në Vorë deri më tani ka pasur një pjesëmarrje prej 29.33% dhe kanë votuar 4770 persona nga 16261 gjithsej.
Ndryshe nga vendet e tjera në tri bashki, përkatësisht Kamza, Vora dhe Elbasani, po zhvillojnë një proces votimi dhe numërimi në mënyrë elektronike.
Teksa na ndajnë dhe afro 3 orë nga mbyllja e procesit të votimit, pjesëmarrja në zgjedhje duket e ulët. Sipas të dhënave të KQZ për orën 15.00, kanë votuar 550 mijë qytetarë, ose 29.5 për qind e votuesve në total. Krahasuar me vitin 2021, pjesëmarrja është më e ulët. Në të njëjtën orë në 2021 votuan 38.6 për qind e qytetarëve.
Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim ka dalë në terren për të monitoruar procesin e zgjedhjeve. Ajo ishte në Vlorë, ku pa nga afër procesin në një qendër votimi.
Ambasadorja deklaroi se ka dalë në cilësinë e vëzhgueses, si shumë përfaqësues të tjerë të ambasadës. Ajo kërkoi të ndalen presionet ndaj votuesve dhe shitblerja e votës.
“Kam vizituar disa qytete. Kam qenë në Nivicë, Selenicë, këtu. Jam duke ndjekur edhe situatën në Himarë. Dhe do të jem e pranishme në shume qytete të tjera. Natyrisht që jam një nga vëzhgueset e shumta në këto zgjedhje. Nuk duhet të ushtrohet presion mbi asnjë votues, është e rëndësishme që secili të ushtrojë të drejtë, asnjë s’duhet të shesë apo blejë votën. Është përgjegjësia e autoriteteve që t’i zbatojnë ligjet në mënyrë të barabartë”, tha Yuri Kim.

Pjesëmarrja në zgjedhje vijon të jetë e ulët. Sipas të dhënave të KQZ, pjesëmarrja deri në orën 14.00 ka qenë 26 për qind. Më saktë kanë votuar 503 mijë qytetarë. Kjo shifër është shumë më e ulët krahasuar me zgjedhjet e 2021 të së njëjtës orë. Në 2021 në orën 14.00 votuan 35.6 për qind e qytetarëve. Pra kanë votuar 10 për qind më pak. Si duket në këto të dhëna ka ndikuar dhe mungesa e funksionimit të sistemit elektronik.

Partia Socialiste ka sulmuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për dështimin me identifikimin elektronik. Problemet me sistemin bënë që shumë qytetarë të mos votojnë në mëngjes dhe tani puna po bëhet manualisht.
Në emër të Partisë Socialiste, ministrja Bora Muzhaqi ka bërë thirrje KQZ t’i kërkojë ndjesë publike të gjithë qytetarëve të cilët nuk kanë mundur të votojnë për shkak të problematikave
“KQZ duhet ti kërkoj ndjesë qytetarëve që nuk votuan në fillim. Partia Socialiste ju lutet të gjithë atyre që nuk votuan në orët e para të mëngjesit që të rikthehen gjatë ditës. Të bëjnë detyrën e tyre qytetare duke votuar. Kushdo prej nesh që voton, voton dhe për ata që nuk e kanë të mundur të votojnë”, tha ajo.
Ka shkaktuar në 23 për qind numri pjesëmarrjes në zgjedhje. Deri në orën 13.00 kanë votuar 440 mijë qytetarë në rang vendi. Krahasuar me vitin 2021 pjesëmarrja për të njëjtën periudhë kohore është më e ulët. Në 2021 pjesëmarrja ishte 27 për qind.

Një prej qytetarëve në qendrën e votimit të Zvezdës ka pohuar se ka pasur përplasje fizike me deputetin e Rithemelimit Edmond Spaho.
Qytetari deklaron se është tërhequr zvarrë nga Spaho i cili e kishte pyetur përse rrinte në rradhë.
“Vjen Edmond Spaho na merr zvarrë dhe na nxjerr jashtë, mua dhe ca të tjerë. Na thoshte pse rrini këtu, ndërsa ne rrinim këtu në radhë për të votuar. Çfarë duan deputetët që vijnë këtu dhe na kërcënojnë. Më hoqi zvarrë. Unë quhem Mondi, na turpëroi edhe emrin”, u shpreh qytetari.
Ka shkuar në afro 19 për qind numri i pjesëmarrjes në votime. KQZ ka publikuar të dhënat për orën 12.00 dhe bëhet me dije se kanë votuar 365 mijë qytetarë, një shifër që është e ulët duke qenë se ka kaluar gjysma e afati për të votuar.
Ndërkohë absurdi është se KQZ jep të dhëna për 2678 qendra votimi nga 5213 në total. Pra për 2500 qendra nuk raportohet pjesëmarrja. Procesi këtë herë ka pasur shumë probleme. Identifikimi elektronik krijoi shumë vonesa, ndërkohë që KQZ lan duart dhe nuk mban përgjegjësi.

Përfaqësuesi për çështjet ligjore dhe zgjedhjet në PD, Ivi Kaso, denoncoi një seri problematikash në qendrat zgjedhore, të cilat sipas tij janë shkaktuar nga zyrtarët e kryeministrit Edi Rama.
Në një deklaratë për mediat, Kaso tha këto problematika janë shkaktuar nga drejtorë bashkish, funksionarë të administratës dhe implikime të policisë, me veprime apo mosveprime, ndërsa shtoi se policia është jashtë funksionit.
Deputeti i Rithemelimit, Edmond Spaho është konfliktuar person brenda qendrës së votimit në Zvezde.
Siç shihet edhe nga foto, Spaho ka tërhequr me forcë për krahu një prej personave që ndodhej brenda qendrës së votimit. Denoncimi është bërë nga Gëzim Topçiu, kandidati i PS-së për bashkinë e Maliqit.
Spaho nga ana tjetër ka pretenduar se nuk po lejohet të takohet me komisionerët dhe se është rrethuar nga një grup personash që njihen si “të fortët e zonës”.
Pjesëmarrja në procesin e votimit vijon të mbetet ende e ulët. Sipas të dhënave të KQZ, deri në orën 11.00 kanë votuar 263 mijë persona, ose 13.5 për qind e qytetarëve. Zonat ku pjesëmarrja është më e lartë janë Tirana, Durrësi, Kamza, Devoll, Vaun e Dejës, etj. Ndërsa pjesëmarrja më e ulët është në Vlorë, me 9 për qind.

Shefja e misionit të ODIHR Audrey Glover ka zbritur në terren për të monitoruar procesin e votimit. Përmes një reagimi për mediat, Glover u shpreh se ODIHR ka 200 vëzhgues që po monitorojnë të gjithë procesin.
“Kemi 200 vëzhgues ndërkombëtarë që vëzhgojnë sot. Ne do të vëzhgojmë të gjithë procesin deri në fund të tij dhe më pas do të bëjmë vlerësimet përkatëse. Deri tani situata është e qetë, ndoshta edhe për shkak të motit”, tha ajo.
Glover nuk dha një vlerësim për faktin që koalicion “Bashkë Fitojmë” nuk do të ketë numërues në gjysmën e vendeve të numërimit të votave, duke thënë se në fund të procesit do të japë një vlerësim edhe për këtë rast.
Glover u shpreh gjithashtu se inspektimin e radhës do ta bëjnë në një nga qendrat e votimit ku zhvillohet votimi elektronik për të parë se si po ecën procesi.
Kryeministri dhe kryetari i PS, Edi Rama me bashkëshorten e tij Linda Rama kanë votuar në orën 10:53 në qendrën e votimit në shkollën "Ymer Lala" të fshatit Surrel, Tiranë.
"Tani është momenti i gjithë qytetarëve që të thonë fjalën e tyre. Uroj shumë që situata e KQZ-së të mos ketë ndikuar në votim në ato zona ku nuk punuan aparaturat. Që të gjithë ata që mund të jenë dekurajuar të rikthehen në mënyrë që vullneti i tyre të vendoset i plotë për të gjithë kandidatit.", tha Rama.
Ai tha se ky është momenti kur qytetarët do duhet të thonë fjalën e tyre, e ndërsa shtoi se uron që votuesit të mos dekurajohen për shkak të problemeve të identifikimit elektronik.
Përplasje në Fushë Krujë.
Ilir Hyka, komisioneri i opozitës, është dhunuar dhe është nxjerrë nga qendra e votimit.
Persona ende të paidentifikuar janë futur në këtë qendre votimi dhe kanë nxjerrë me dhunë duke e dhunuar komisionerin e opozitës Ilir Hyka. Momentalisht është pezulluar votimi. Në këtë qendër votimi ka 755 votues.
Nisin incidentet me procesin e votimit. Te shkolla “Neim Bebemeto” në Durrës, ka pasur përplasje mes komisionarëve të PS dhe "Bashkë Fitojmë".
Shkak dyshohet se është bërë prania në qendrën e votimit të Flamur Gjuzit. Ky i fundit edhe pse me detyrë drejtor i Fondit të Detyrueshëm të Sigurimeve Shëndetësore, ka qenë i pranishëm gjë e cila është e ndaluar nga ligji sipas mbështetësve të opozitës.
Kjo ka sjellë përplasje dhe konflikt.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat e pjesëmarrjes në votime deri në orën 10.00.
Sipas të dhënave, deri më tani kanë votuar në total 159 mijë persona ose rreth 8 për qind e votuesve në total. Duhet theksuar se në shumë qendra nuk ka nisur votimi për shkak të problemeve me pajisjen e identifikimit elektronik.
Ish-Kryeministri Sali Berisha ka votuar në orën 10:13 në shkollën “Kosova” në kryeqytet.
Berisha ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja, Liria dhe 2 fëmijët, Argita dhe Shkëlzeni.
Pas hedhjes së votës, në një deklaratë për mediat ai e cilësuar këtë ditë si “pranverën e ndryshimit”.
“Një thirrje nga zemra që të flasin sot me votën e tyre për qeverisjen vendore. Të gjithë ata që u ftuan nga armiku i egër së votës, të rrinë në shtëpi, të mos harrojnë që ky është një nxitje një apel i madh që të marrin pjesë në votime, ai që ka frikë votë, ka frikë lirinë dhe është armik i saj. I ftoj zgjedhësit që të mos harrojnë se përsëritja e të njëjtit gabim e bën gabimin edhe më të madh, ndaj le t’u prijë mençuria e tyre, që të votojnë në interesit më të mirë të tyre, të familjes, vendit, kjo është pranvera e ndryshimit, nesër Shqipëria arkivon monizmin e shëmtuar në Shqipëri, kjo është një ditë fitore.”, tha Berisha.
Kryetari i Komanduar i Partisë Demokratike ka ftuar të gjithë qytetarët që të votojnë, pasi sipas tij, kjo është dita e madhe për tu ndarë nga e shkuara dhe për të bërë ndryshimin e kërkuar.
Alibeaj foli gjithashtu edhe për një aleancë kundër PD nga klasa e vjetër politike. Më tej, ai u shpreh i bindur për një sukses për PD dhe demokratët.
“Sot duhet të vijnë, se sot është dita për të bërë një ndarje të madhe me të shkuarën, kjo ndarje do jetë vetëm me pjesëmarrje masive të shqiptare, ftoj këto jo vetëm mbështetës të PD, por çdo shqiptar, të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Ka aleancë të gjithanshme kundër PD, por në situata të tilla mund të dalë shpirti i vërtetë i njerëzve të lirë, të demokratëve. Do jetë sukses për PD dhe demokratët”, u shpreh Alibeaj.
Shqiptarët votojnë sot për të zgjedhur 61 kandidatët për bashkitë e vendit, ndërsa janë hasur edhe problematika gjatë procesit.
Elbasani për herë të parë voton në mënyrë elektronike, ndërsa procesi i votimit ka qenë i vështirë për të moshuarit, të cilët janë ndihmuar nga familjarët.
Janë 224 qendra votimi në qytet e fshat ku sot votohet për kryetarin e ri të bashkisë. Qendrat e votimit janë hapur në orën 7 dhe qytetarët e parë kanë votuar. Ata ndajnë mendime të ndryshme për thjeshtësinë apo vështirësinë e procesit.
“Ishte pak i vështirë, shtyp këtu shtyp aty”, tha një e moshuar.
“E vështirë nuk dija nga ta shtypja, e gjeta më në fund, nuk është për moshën tonë ajo dihet”, tha një tjetër.
Nga 5213 QV gjithsej deri më tani në Komisionin qendror të zgjedhjeve kanë raportuar për pjesëmarrjen 2468 qendra votimi. Pjesëmarrja deri në orën 8:00 ishte 1.29%.
Ndërkohë që nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka një raportim në lidhje me problematikat e pajisjeve të identifikimit dhe për numrin e qendrave të votimit ku procesi ka nisur me vonesë ose s’ka nisur ende!
Ndërkohë votimi ka nisur zyrtarisht në orën 07:00 të ditës së sotme, por pothuajse në të gjitha qarqet janë hasur probleme me pajisjet e identifikimit elektronik.
Deri më tani nuk ka nisur votimi në dhjetëra qendra votimit dhe shkak është bërë problematika në pajisjet e identifikimit.Raportohet për problematika në Vlorë, Fier, Durrës, Berat, Elbasan, Korçë, por edhe në Tiranë. Nëse pajisjet e identifikimit elektronik nuk do të nisin të punojnë, pritet që në disa qendra, votimi i qytetarëve të nisë në mënyrë manuale.
Lini një Përgjigje