
Një ngjarje e rëndë ndodhi më 15 dhjetor 2023, në burgun e Peqinit. I dënuari me burgim të përjetshëm, Sokol Mjacaj, vrau me pistoletë një tjetër të burgosur të përjetshëm, Arben Lleshin dhe plagosi të dënuarin Indrit Shaqja.
Pas arrestimit, Sokol Mjacaj deklaroi se motivi kishte të bënte me një zënkë të mëparshme, por hetuesit janë skeptikë dhe kanë dyshime që vrasja është porositur nga jashtë burgut. Mister mbetet edhe fakti se ku e gjeti armën 28-vjeçari Mjavaj dhe si kishte kaluar kontrollet e burgut.
Pas ngjarjes, zyrtarët e burgut të Peqinit u arrestuan. Vetë ministri Ulsi Manja u mjaftua me një deklaratë, por nuk dha dorëheqjen. Ngjela tha se Manja duhet të jepte dorëheqjen nga posti i ministrit të Drejtësisë.
Për këtë temë në studion e "Breaking" me Fiori Dardhën në Top News ishte ftuar sot avokat Spartak Ngjela. Sipas avokat Ngjelës, ngjarja është shumë e rëndë dhe mbart shumë pikëpyetje.
"Është faji i shtetit, responsabilitet shtetëror. Sipas rregullit të ligjeve penitenciare në perëndim pushohet gjithë ekipi i policisë. Ministri nuk mban përgjegjësi, por duhet të kishte dhënë dorëheqjen. Vrasja e një të burgosuri është përgjegjësi e rreptë shtetërore, sepse nuk dihet kush e ka vrarë. E kanë vrarë shërbimet? Pra shteti vetë përmes një skeme të brendshme? Nuk dimë se, cili është personaliteti i atij që është vrarë. Ka ditur gjëra sekrete në lidhje me akuzën që ka?”, u shpreh Ngjela.
Avokat Spartak Ngjela thotë se shteti është i detyruar maksimalisht t’i garantojë ekzistencën çdo të burgosuri.
“Fakti që ka ndodhur është shumë e rëndë. Se si do ta mbajnë përgjegjësinë këta punë e tyre, por këta nuk kanë as koshiencë për shtetin dhe as respekt. Këta e kanë vjedhur shtetin, çfarë do presësh nga këta, por kjo po them se si është norma për policitë penitenciare. Pra të ka marrë shteti në mbrojtje dhe të vret. Si është futur arma në burg? A mund të futet arma në burg nëse burgu ka kontroll? Mund të jemi në korrupsion, ka paguar policin dhe ka futur armën. Ne nuk e përjashtojmë dot korrupsionin nga çdo segment shtetëror në Shqipëri, në një kohë që e dimë që ka qenë fenomen universal. Si është futur arma? Këta nuk e shpjegojnë, fakti që është futur arma tregon që atje është paguar qind për qind", tha ai.
Lini një Përgjigje