
Tre oficerë policie kanë zbarkuar sot në pallatin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Pasi mbaruan me procedurat e sekuestrimit të vilës së Jamarbër Malltezit në Gjirin e Lalësit, ata kanë shkuar te rruga “Mustafa Matohiti”.
Ngjitur me apartamentin ku banon Sali Berisha, rezulton se është dhe një apartament në emër të Jamarbër Malltezit, tashmë i sekuestruar nga gjykata. Mësohet se policët shkuan pikërisht për të bërë zyrtarizmin e sekuestros. Mësohet se policët në apartament nuk kanë gjetur perona dhe janë larguar.
Ndërkohë nga ana tjetër, Berisha ka deklaruar se nuk i njeh këto masa, pasi sipas pretendimeve të tij, ai ka imunitet, të cilin ja garanton kushtetuta si deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Ndërkohë kujtojmë se sipas SPAK, nga shtetasi Sali Berisha, është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin J. M., parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
“Në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi J. M. Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij”, shprehet SPAK.
Më tej prokuroria deklaron se në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij, të strukturave të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.
“Përfitimi i parregullt në favor të shtetasit J. M., në cilësinë e bashkëshortit të vajzës së Kryeministrit, shtetasit S. B., ekziston dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova, se është: Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga shtetasi J. M.
Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë shtetasi J. M.
Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë shtetasi J. M. në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro”, shprehet SPAK./Pamfleti
Lini një Përgjigje