
Beteja për shuarjen e zjarreve që kanë përfshirë zonën e Finiqit ka vazhduar deri në orët e mbrëmjes, me forca të shumta zjarrfikëse dhe mbështetje ajrore nga Shqipëria dhe Greqia. Sipas raportimeve, një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes ka kryer gjatë ditës dy fluturime, duke hedhur ujë 10 herë mbi vatrat e zjarrit në një përpjekje intensive për të frenuar përhapjen e flakëve në terrenin e vështirë malor mes fshatrave Grazhdan dhe Malçan.
Pasdite, situata u përforcua me mbërritjen e dy avionëve zjarrfikës “Canadair CL-415” nga Greqia, të cilët u nisën nga Selaniku në orën 16:41, siç njoftoi Ministria e Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile e Greqisë. Kjo ndihmë erdhi si përgjigje e menjëhershme ndaj kërkesës së autoriteteve shqiptare, në kuadër të solidaritetit evropian dhe bashkëpunimit të ngushtë me vendet e Ballkanit.
Misioni grek synon të forcojë kapacitetin operacional të forcave zjarrfikëse shqiptare për të vënë nën kontroll zjarret.Aktualisht, disa vatra zjarri mbeten aktive në zonën e Leshnicës së Poshtme. Forcat zjarrfikëse, të mbështetura nga 30 ushtarë të dërguar nga Ministria e Mbrojtjes, si dhe ekipe nga bashkitë Konispol, Delvinë dhe Himarë, janë pozicionuar në periferitë e fshatit për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt banesave.
Terreni i vështirë malor dhe era kanë komplikuar ndërhyrjen, por forcat në terren po punojnë pa ndërprerje për të izoluar dhe shuar vatrat.Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka bërë thirrje për kujdes maksimal nga qytetarët, duke i ftuar të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, si ndezja e zjarreve në ambiente të hapura apo djegia e mbetjeve, veçanërisht në kushtet e temperaturave të larta që arrijnë deri në 40 gradë Celsius.
Lini një Përgjigje