TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Qershor 2026, 17:58

UPDATE/ Edicioni informativ, ora 18:00

Shkruar nga Pamfleti
UPDATE/ Edicioni informativ, ora 18:00
Edicioni informativ

Ju ftojme te ndiqni Edicionin Informativ me zhvillimet kryesore deri ne kete ore te dites, ku nder te tjera vecojme:

Shqipëria u trondit nga vrasja e efektivit të policisë Enea Mekolli gjatë një operacioni në Maliq për kapjen e të shumëkërkuarit Violand Braçellari. Mekolli u shpall “Dëshmor i Atdheut”, ndërsa një tjetër efektiv mbeti i plagosur.

Çështja e Zvërnecit vijon të dominojë debatin publik. Diaspora shqiptare po organizon protesta në disa vende europiane në mbështetje të kauzës për mbrojtjen e Nartës dhe Lagunës së Nartës. Ndërkohë, media britanike Daily Mail i kushtoi vëmendje protestave, duke e cilësuar kryeministrin Edi Rama si “autokrat” dhe duke pasqyruar kundërshtitë ndaj projektit të Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Sazan dhe Zvërnec.

Debati u zhvendos edhe në Kuvend, ku opozita kërkoi praninë e Ramës në seancë plenare dhe kundërshtoi projektin, ndërsa socialistët mbrojtën investimin dhe deklaruan se ai do të realizohet.

Në zhvillime të tjera, Senati amerikan po avancon procedurat për konfirmimin e Eric Wendt si ambasador i ri i SHBA-së në Tiranë. Ai ka premtuar mbështetje për luftën kundër korrupsionit dhe për SPAK.

SPAK sekuestroi një vilë në Dhërmi që dyshohet se lidhet me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Në të njëjtën dosje, ish-futbollisti Igli Tare u mor në pyetje për rreth pesë orë dhe rezulton nën hetim për pastrim parash.

Në GJKKO, biznesmeni Pëllumb Gjoka foli për herë të parë në procesin ku përdoren komunikimet e Sky ECC, ndërsa SPAK kërkoi mbi 100 vite burg në total për të pandehurit e dosjes “Revanshi”.

Po ashtu, GJKKO i ktheu SPAK-ut për plotësim dosjen ndaj Elvis Roshi, duke kërkuar sqarime për ndryshimin e akuzës nga shkelje në tendera në shpërdorim detyre.

Në planin social, Gjykata Kushtetuese la në fuqi ndalimin e monopatinave elektrike në rrugë dhe trotuare, ndërsa të dhënat e INSTAT tregojnë se Shqipëria po plaket me ritme alarmante: mosha mediane ka arritur 45 vjeç, në nivelin mesatar të Bashkimit Europian.

Në rajon, samiti BE–Ballkani Perëndimor në Tivat u shoqërua me tensione sigurie, pasi Mali i Zi dëboi 87 shtetas serbë, ndërsa shërbimet serbe paralajmëruan për rrezik ndaj presidentit Aleksandar Vučić.

Ndërkohë në Lindjen e Mesme, udhëheqja iraniane akuzoi SHBA-në dhe Izraelin për përpjekje destabilizuese, ndërsa u raportua një marrëveshje e re armëpushimi mes Izraelit dhe Libanit, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara.

edicioni informativ

Lini një Përgjigje