TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Janar 2026, 11:34

UPDATE/ Edicioni Informativ Ora 12:00

Shkruar nga Pamfleti
UPDATE/ Edicioni Informativ Ora 12:00
Edicioni Informativ Ora 12:00

Lexues të ‘Pamfleti’, duke ju uruar një 2026-të të mbarë, ju ftojmë të ndiqni edicionin e mesditës:

Incident gjatë përplasjes së aktivistëve të ‘Shqipëria Bëhet’ me Policinë, pak minuta pas mesnate. Kreu i Lëvizjes nuk dorëzohet: Do kthehem!

Drejtuesi i ‘Shqipëria Bëhet’, Adriatik Lapaj ka përfunduar në spital pas një incidenti të ndodhur gjatë natës para Kryeministrisë, ku ai dhe mbështetës të tjerë po protestojnë prej disa ditësh. Nga spitali i Traumës ku po merr mjekim, Lapaj ka rrëfyer dinamikën e ngjarjes, duke pretenduar se gjithçka nisi pas një ndërhyrjeje të befasishme të policisë.

Sipas rrëfimit të tij, rreth orës 12:30 të mesnatës, rreth 50-60 punonjës policie janë afruar në vendin ku po qëndronin protestuesit dhe kanë tërhequr mbulesën plastike që ata përdornin për t’u mbrojtur nga i ftohti.

Ky veprim, sipas Lapajt, ka shkaktuar një efekt zinxhir, duke rrëzuar disa nga ngrohëset me gaz që ndodheshin aty. Njëra prej tyre e ka goditur aktivistin në kokë, duke i shkaktuar lëndime që kërkuan transportimin e tij në spital.

Gjithsesi, protesta nuk ka kaluar pa pasoja: Policia e Prodës procedon Lapajn, arrestohen katër aktivistë

Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj është proceduar penalisht pas incidenteve dhe përplasjeve gjatë protestës së djeshme para Kryeministrisë.

Sipas njoftimit, policia ka arrestuar 4 persona ndërsa ka nisur procedime penale ndaj Adriatik Lapajt dhe të tjerëve. Ndërkohë, Lapaj ndodhet në spitalin e Traumës pasi mori dëmtime në kokë pas rrëzimit të një bombole gazi.

Ai akuzohet për zaptim të hapësirës publike përpara godinës së Kryeministrisë, duke vendosur çadër dhe objekte të tjera pa leje, në kundërshtim me urdhrat e efektivëve të rendit.

Mësohet se në pranga kanë rënë shtetesit Edison Haklaj, Alfred Matoshi, Eligert Hima dhe Ergjys Llanaj, ndërsa ka nisur procedimi penal për 6 shtetas të tjerë me iniciale V. H., A. Sh., E. L., A. B., A. Sh. dhe M. Xh., pasi dyshohet se gjatë zhvillimit të protestës, kanë hedhur sende të forta ndaj punonjësve të Policisë.

Kreu demokrat Sali Berisha paraqitet në SPAK dhe la një mesazh për Altin Dumanin, edhe pse ky i fundit nuk është më në krye të Prokurorisë së Posaçme

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” për dosjen “Partizani”.

Kryedemokrati u prit nga mbështetësit e tij jashtë godinës së Prokurorisë së Posaçme, ku pasi i përshëndeti, u fut brenda ambienteve të SPAK. Pasi kreu detyrimin e tij ligjor, Berisha lexoi mesazhin që la në SPAK.

"Së pari njëherë të gjithë atyre që na ndjekin, u uroj gëzuar Vitin e Ri 2026. Një vit me më të mirat për ata dhe më të dashurit e tyre.

Këtu në Skap lashë këtë shënim: Altin Troplinit, Pajës së Skapit (i mbeti atij, nuk ia vura unë, që kur e fali atë Elvis Doçin, ai mbeti Paja i Skapit) armikut të pluralizmit politik dhe avokatit të McGonigalit, me garanci se krimet e tij nuk do mbeten pa ndëshkimin e merituar ligjor", deklaroi Sali Berisha.
Vajtja e tij në SPAK nuk ka qenë pa pasoja. Prokuroria e Posaçme, i ka shtuar një akuzë të re për korrupsion, por sipas Berishës fëmijët e tij kanë përfituan nga ligji i privatizimeve:

SPAK i ka shtuar një tjetër akuzë ish-kryeministrit Sali Berisha lidhur me korrupsionin. Kjo u bë e ditur nga vetë kreu demokrat, i cili u paraqit në SPAK në respektim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” që e detyron ish-Kryeministrin që të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji të paraqitet në Prokurorinë Speciale.

Në deklaratën e tij, Berisha tha se akuza e re që i është shtuar është politike, ndërsa ajo ka lidhje me përfitimet e fëmijëve të tij nga ligji i privatizimeve.

Për më shumë ndiqni lajmet e orës 12.00

 

edicioni informativ pamfleti

Lini një Përgjigje