TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet12 Janar 2026, 12:10

UPDATE/ Edicioni i lajmeve ora 12:00, zhvillimet kryesore në pak minuta

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni i lajmeve ora 12:00, zhvillimet kryesore në pak minuta

Në edicionin e mesditës, ndër lajmet më kryesore do të ndiqni:

Moti i keq “godet” fort/ Korça e Dibra në emergjencë, rrugë të pakalueshme

Moti i acartë dhe reshjet e dendura të borës po krijojnë probleme serioze në juglindje dhe verilindje të vendit.
Qarku i Korçës vijon të përballet me temperatura të ulëta, borë dhe rrëshqitje dherash, duke sjellë bllokime në disa rrugë rurale. Familje janë evakuuar në fshatrat Cërravë dhe Dardhas, në Bashkinë Pogradec, ndërsa rrugët Dunicë–Trebinjë dhe Zall–Torra në Proptisht mbeten ende të pakalueshme.

Në akset nacionale, qarkullimi lejohet vetëm me goma dimërore. Autoritetet po punojnë për pastrimin dhe kriposjen e segmenteve Boboshticë–Dardhë, Maliq–Kufi Gramsh dhe Korçë–Ersekë, por problematikat vijojnë për shkak të aluvioneve dhe baltës nga skarpatat, veçanërisht në zonën e Lozhanit.

Ndërkohë, situata paraqitet e rënduar edhe në qarkun Dibër. Akset Zallë–Dardhë dhe Zallë–Reç janë bllokuar nga rrëshqitja e shpatit të malit në njësinë administrative Zallë–Reç, duke izoluar zonën për disa orë.

Bashkia Dibër ka punuar gjatë gjithë natës për hapjen e rrugës që lidh zonën me Peshkopinë, ndërsa vijon puna edhe në njësinë administrative Sllovë. Reshjet e dendura të borës kanë sjellë vështirësi të mëdha në fshatrat e thella, ku trashësia e borës në disa zona ka kaluar mbi 40 centimetra.

Brukselit 'sos durimi', i nxjerr kartonin e kuq qeverisë Rama/ Dosjet po mbytin drejtësinë, mungojnë gjyqtarët

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato në një konferencë për mediat sot në 12 janar, foli për drejtësinë në Shqipëri dhe sfidat e saj.Gonzato bëri apel që të rritet cilësia e drejtësisë në vend, pa rritur personelin. Sipas tij, Shqipërisë i duhen më shumë gjyqtarë, prokurorë dhe asistentë ligjorë, për drejtësi më efikase. Ai  kërkoi edhe harmonizimin e ligjeve me ato të BE-së.

"Na duhen më shumë gjyqtarë e prokurorë, të mbështetur nga asistentë ligjorë. Të gjitha vendet bosh duhet të plotësohen. Nuk kemi kohë për të humbur. Këshilltarët ligjorë janë tepër të rëndësishëm që drejtësia të jetë më cilësore. Kjo është thelbësore për reformën në drejtësi.”, tha Gonzato.

Gonzato deklaroi gjthashtu se duhet garanci për qytetarët e vendeve të BE që duan të investojnë në Shqipëri.
Po në këtë konferencë, më herët foli edhe kreu i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi.

Gjatë fjalës së tij, Sadushi u shpreh se shpejtësia pa koherencë dhe pa arsyetim të qëndrueshëm përbën rrezik për sigurinë juridike dhe besimin e publikut.

Sadushi tha se cilësia e drejtësisë matet edhe me forcën e arsyetimit, qartësinë dhe parashikueshmërinë e vendimmarrjes.

Lëvizje të reja në Policinë e Shtetit/ Ndryshime në Korçë, Lezhë dhe Durrës

Kreu i Policisë Shtetit, ka firmosur disa ndryshime dhe emërime të reja në drejtimin e disa Drejtorive Vendore të Policisë.

Mësohet se Vilson Bala është emëruar Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, ndërkohë, Islor Islami është caktuar përkohësisht në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë. Një tjetër emërim i rëndësishëm është ai i Drejtuesit Afrim Tafa, i cili është emëruar përkohësisht Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.

Ndërkohë, në Elbasan, Drejtori aktual i Drejtorisë Vendore të Policisë, Drejtuesi Fatmir Hoxha, ka rifituar detyrën pas rezultateve të larta të arritura gjatë fundvitit 2025. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i ka revokuar dorëheqjen dhe e ka konfirmuar vazhdimin e tij në drejtimin e DVP Elbasan. Për rrjedhojë, Drejtues Fatmir Hoxha do të vijojë detyrën si Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.

Rasti i rëndë me fëmijët, nënës në Durrës do i hiqet kujdestaria/ 3 të miturit të infektuar me zgjebe

Nënës në Durrës, së cilës iu gjetën 3 fëmijët brenda në banesë në kushte aspak higjenike, do t’i hiqet kujdestaria për 3 fëmijët. Kështu thonë burime nga Shërbimi Social për Report Tv, ndërkohë që mësohet se fëmijët nuk shkonin prej 1 muaji në shkollë pasi ishin të infektuar me zgjebe. Shkolla ka qenë në dijeni për “karantinimin“ e fëmijëve.

3 të miturit janë në spital bashkë me nënën e tyre. Sipas burimeve, fëmijët kishin rreth tre ditë pa ushqim.
Ndërkohë ka ardhur edhe reagimi i 33-vjeçares, që është shprehur se kurrë nuk do t’i braktiste apo keqtrajtonte fëmijët e saj.

Ajo sqaroi se gjatë ditës është në punë dhe detyrohet që t’i lërë fëmijët vetëm. E reja pretendon se denoncimi në Polici është një kurth që i ka bërë ish-vjehrra, e cila sipas saj, ka mësuar edhe fëmijët që të flasin keq për të.
Duke u ankuar për gjendjen e rëndë ekonomike, 33-vjeçarja është shprehur se ish-burri ka qenë në burg në Itali për 5 vite dhe pasi ka dalë, paguan vetëm 180 mijë lekë të vjetra në muaj për fëmijët.

Për këto dhe të tjera, ju ftojmë të klikoni tek lajmet e orës 12.00

 

edicioni informativ pamfleti

Lini një Përgjigje