
Detaje të mëtejshme bëhen me dije nga ngjarja e shënuar mbrëmjen e djeshme, kur tre trafikantë të cilët kishin sasi kokaine në makinë, kanë tentuar t’i ikin policisë dhe janë përplasur me efektivët.
Lënda narkotike ishte e llojit të pastër dhe nëse do shitej, trafikantët do fitonin një shumë monetare, e cila përllogaritej në rreth 25 mijë euro. Paraprakisht dyshohet se lënda narkotike do të shpërndahej te grupe të tjera kriminale, që operojnë në kryeqytet.
Tre persona u arrestuan mbrëmjen e djeshme, pasi kanë tentuar t’i ikin policisë dhe më pas iu është gjetur kokainë në makinë. Agjentët anti-drogë në kryeqytet ndërhynë duke ndaluar automjetit tip “Tiguan”, i cili drejtohej nga kryetari i shoqatës së Transportit Ndërqytetas, 30-vjeçari, Enea Sulejmanaj.
Në këto momente, drejtuesi i automjetit ka tentuar të largohet duke vënë në rrezik jetën e tre agjentëve të policisë. Në kushtet e vetëmbrojtjes, efektivët e kanë qëlluar me armë zjarri në gjymtyrë dhe sipas mjekëve Sulejmanaj ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Bashkë me të ishin dhe dy të rinj të tjerë, të cilët menjëherë u vunë në pranga. Bëhet fjalë për Shkëlqim Ostreni dhe Igli Begaj.
Lini një Përgjigje