
Greqia ka vendosur t’i japë shtetësinë greke të nderit emigrantit shqiptar Levian Goga, i cili u hodh në lumë për të shpëtuar dy fëmijë të mitur. Lajmi është konfirmuar nga autoritetet greke, të cilat e kanë quajtur veprimin e tij si një akt të pastër trimërie dhe humanizmi.
Ngjarja ndodhi javën e kaluar në lumin Arakhtos, ku Goga, pa hezituar, la gjithçka dhe u hodh në ujë për të shpëtuar dy fëmijë që po mbyteshin. Fatkeqësisht, pavarësisht përpjekjes së tij, fëmijët ndërruan jetë më vonë në spital. Pas ngjarjes, Goga është shtruar në spital për shkak të problemeve me frymëmarrjen dhe kollës së fortë, por gjendja e tij shëndetësore raportohet të jetë e stabilizuar.
Ministri grek i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, ka dhënë personalisht urdhër për transportimin e Gogës me ambulancë në spital për ekzaminime të mëtejshme. Veprimi i tij ka marrë vëmendje të gjerë në mediat greke dhe shqiptare, duke nxjerrë në pah jo vetëm trimërinë, por edhe sakrificat që bëjnë çdo ditë emigrantët për të ndërtuar një jetë të ndershme.
Levian Goga është me origjinë nga Berati dhe jeton prej 24 vitesh në Greqi. Ai është vendosur në qytetin e Artës me gruan dhe dy fëmijët e tij, duke ndërtuar një jetë të thjeshtë e të ndershme. Heroizmi i tij pritet të kurorëzohet zyrtarisht me dhënien e pasaportës greke, si një njohje e kontributit dhe sakrificës së tij për jetën e të tjerëve.
Lini një Përgjigje