TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet31 Korrik 2025, 11:22

Strategjia e SPAK për krimet zgjedhore, Altin Dumani bën bilancin: 193 kallëzime, po hetojmë zyrtarë

Shkruar nga Pamfleti

Strategjia e SPAK për krimet zgjedhore, Altin Dumani bën bilancin: 193

Kreu i SPAK zhvilloi një takim informues me gazetarët ku në fokus ishte krimi zgjedhor dhe ecuria e hetimeve lidhur me shkeljet e raportuara gjatë fushatave elektorale.

Kreu i SPAK Altin Dumani po zhvillon një takim me dyer të mbyllura me gazetarët ditën e sotme. Në fokus të takimit është tema e krimit zgjedhor, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Mësohet se kryeprokurori i posaçëm ka zbuluar se strategjia e SPAK ka dhënë efekt parandalues, ndërsa tha se në total ka pasur 193 materiale të administruara nga prokuroria, nga 56 subjekte kallëzuese.

“Strategjia e hartuar ka patur efekt parandalues, ku pjesë ka qenë KQZ dhe Prokuroria e Pergjithshme”, është shprehur Dumani.

Në këto subjekte përfshihen parti politike, policia e shtetit, si edhe çështje të nisura nga vetë SPAK. Dumani ka zbuluar se ka pasur 43 procedime penale të regjistruara, ndërsa mbeten në hetim 39 procedime.

Ka pasur 17 vendime për kontrolle banesash, zyrash apo kontrolle personale, të cilat sipas Dumanit kanë dhënë rezultate të kënaqshme pasi janë gjetur prova të qenësishme.

Nga 43 vendime mosfillimi, vetëm 3 prej tyre janë ankimuar në gjykatë, por edhe këto të fundit janë rrëzuar nga gjykata duke i dhënë të drejtë SPAK.

Mësohet se pjesa më e madhe e kallëzimeve të bëra nga subjektet politike lidhet me asfaltin elektoral dhe punimet në kundërshtim me ligjin, të cilat janë hetuar dhe janë mosfilluar.

“Strategjia ka pasur efekt parandalues, por edhe bashkëpunim. Lidhur me statistikat dhe të dhënat mund t’i sjell para jush 193 materiale të administruara, 35 nga policia e shtetit, 80 nga qytetarët. Kallëzime nga persona juridikë 16 materiale Nga 43 procedime të regjistruara një është dërguar për gjykim. Mbeten nën hetim 39 procedime penale Janë lëshuar nga gjykata 17 kontrolle banesash personale ku është bërë e mundur të gjenden prova materiale.

Edhe pse periudha zgjedhore ka përfunduar, prokurorët kanë në prioritet këto hetime. Janë 43 materiale mosfillimi që u janë komunikuar denoncuesve. Vetëm tre prej tyre janë ankimuar në gjykatë, ku gjykata ka gjetur të drejta vendimet e mosfillimit nga prokurori. Gjej rastin të falënderoj prokurorët që kanë kryer çdo veprim të mundshëm. Tipologjia e kallëzimeve nga subjektet politike, një nga këto ka qenë shpërdorimi i asfaltit elektoral.

Të gjitha kallëzimet janë verifikuar dhe nuk janë kundërshtuar në gjykatë kur janë mosfilluar. Publikimet në kundërshtim me ligjin, përdorimi i administratës, kallëzimet kanë qenë thjesht vetëm formale dhe nuk kanë plotësuar elementët”, tha Dumani.

Lini një Përgjigje