Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është paraqitur në gjykatë në kuadër të procesit për dosjen e njohur si “Sterilizimi”, ku ka kundërshtuar procedurat e ndjekura ndaj tij.
Gjatë seancës, Beqaj ka lexuar disa nene të Kushtetutës, Konventës dhe Kodit të Procedurës Penale, duke pretenduar se ato nuk janë zbatuar në rastin e tij.
“Mua ende s’më është komunikuar akuza e re, as me shkrim, as me gojë, po të doni hapim audion e seancës”, raportohet të ketë thënë ai në gjykatë. “Mesa duket qëllimi i prokurorëve është të dënohet Ilir Beqaj, s’ka rëndësi për çfarë akuze”, tha Beqaj.
Nga ana tjetër, avokatët e tij kanë pretenduar se SPAK nuk ka bërë ende saktësimin e veprës penale, pas sugjerimit të dhënë nga gjyqtarja e seancës paraprake. Sipas tyre, ndaj Beqajt është ndryshuar akuza nga “shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim” në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, pa u formalizuar siç duhet.
Ilir Beqaj u arrestua më 4 korrik 2024 me urdhër të SPAK dhe vendim të GJKKO-së, në kuadër të hetimeve për fondet e SASPAC. Përveç kësaj çështjeje, ai është nën akuzë edhe për koncesionin e sterilizimit në sistemin shëndetësor.
Prej më shumë se një viti, ish-ministri ndodhet në paraburgimin e Durrësit. Ndërkohë, disa ditë më parë, GJKKO përfundoi shqyrtimin gjyqësor për tetë të pandehurit e tjerë në këtë dosje dhe ka njoftuar se vendimi do të shpallet më 4 mars, në orën 15:00.
Lini një Përgjigje