
Ish-prokurori Eugen Beci tha se SPAK duhet të hetojë rastet e zyrtarëve të korruptuar të cilët tentojnë t’i shmangen arrestimit apo burgimit, duke sajuar sëmundje të rënda më raporte të falsifikuara.
Ai shprehet se praktikat mjekësore duhet të jenë pjesë e hetimit, në këtë mënyrë edhe mjeket të tregohen të përgjegjshëm për mos t’u dhënë alibi të korruptuarve.
“Këto praktika mjekësore ndonjëherë duhet të bëhen objekt i hetimeve të SPAK që të mos abuzohet me to e mjekët të jenë më të përgjegjshëm. Por, praktika gjyqësore edhe e Gjykatës së Lartë e ka zgjidhur këtë fenomen me procedura strikte të një ekspertimi mjeko-ligjor, që të përcaktojë saktë gjendjen shëndetësore të të arrestuarit dhe mbajtja apo jo në burg e tij vlerësohet me ekspertim”, tha Beci.
Ish-prokurori e shikon problemin edhe te favorizimi që i bëhën të korruptuarve nga sistemi i Burgjeve që është pjesë e ekzekutivit dhe mazhorancës në qeverisje.
“Shumica e zyrtarëve të arrestuar dalin të sëmurë mbase për faktin që Drejtoria e Burgjeve është pjesë e ekzekutivit dhe mazhoranca i merr në “sqetull” anëtarët e vet, meqenëse nuk ka mundësi t’i ndihmojë më shumë. Por ka edhe një arsye tjetër. Meqenëse burgjet shpesh nuk ofrojnë kushte specifike për një zyrtar të arrestuar, gjenden këto artifica me sëmundje”, u shpreh ai për "Panorama TV".
Lini një Përgjigje