TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet28 Maj 2025, 17:59

SPAK aksion anti-kontrabandë, lëshohen rreth 15 urdhër arreste; në pranga doganierë e biznesmenë

Shkruar nga Pamfleti

SPAK aksion anti-kontrabandë, lëshohen rreth 15 urdhër arreste;

Një operacion i SPAK është duke u zhvilluar kundër një skeme të kontrabandës së cigareve.

Mësohet se operacioni që po drejtohet nga prokurorë të SPAK dhe BKH ka çuar në pranga doganierë, biznesmenë dhe shtetas të huaj.

Nga raportimet mësohet se janë lëshuar 15 urdhër-arreste dhe 21 urdhëra ndalimi për dalje jashtë vendit të personave të përfshirë në këtë skemë të kontrabandës.

Hetimi përfshin akuza për korrupsion, kontrabandë në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, evazion fiskal, fshehje të ardhurash, etj.

Masa e sigurisë ”arrest me burg” është ekzekutuar për 5 nga 15 shtetasit në hetim, ndërsa masa e sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” është ekzekutuar për 15 nga 20 shtetasit nën hetim.

Hetimi lidhur me skemën e kontrabandës ka nisur në vitin 2023 kur është kryer edhe regjistrimi i procedimit penal.

Sipas SPAK, personat e dyshuar kanë vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal me qëllim kontrabandimin e cigareve të prodhuara brenda territorit të Shqipërisë për në vendet fqinje e më pas ato të BE-së.

Konkretisht, subjekti tregtar (Fabrika e Cigareve “A.T”) i përfshirë ka aplikuar dhe është pajisur me autorizimin “Regjim Përpunimi Aktiv” (RPA), nga autoritet doganore, me qëllim përjashtimin nga taksat dhe detyrimet doganore si në import të lëndës së parë ashtu dhe në eksport. Subjekti punon me regjim “fason”, duke prodhuar paketa cigare, për të cilat ka markë të regjistruar dhe eskluzivitet, për llogari të firmës porositëse me seli jashtë territorit të Shqipërisë.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri më tani, krijohet dyshimi i arsyeshëm se ky grup i strukturuar kriminal me një veprimtari të shtrirë në një periudhë të gjatë kohore, për qëllim fitimi ekonomik,  ka  sjellë një dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit në vlerën e 366.034.451,000 lekë dhe vendeve të BE-së në një rast në vlerën 2,802,159,90 euro nëse kontrabandimi do të ishte i suksesshëm, dhe në katër raste të tjera e kanë arritur qëllimin duke i humbur BE-së vlerën e taksuar në përafërsisht 10.000.000 Euro.

GJKKO me kërkesë të SPAK ka caktuar masat e sigurisë “arrest në burg”, ndaj personave nën hetim; I.J, (pronar i fabrikës), D.J (administrator i fabrikës), S.D (shtetas i Maqedonisë së Veriut),  L.Q (shtetas kosovar si dhe me shtetësi të Mbretërisë së Bashkuar), Z.S (shtetas serb) dhe M.B (shtetas serb), të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal.

Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasit nën hetim N. G i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”.

Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, ndaj personave nën hetim punonjës të doganave I.H, K.G, I.C, A.T, M.N,  G.T, G.S, E.SH dhe  I.K, si persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal.

Caktimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”, të parashikuara nga nenet 233 dhe 234 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasit nën hetim M.D (punonjëse e doganave), e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” të parashikuara nga nenet 175 e 28/4 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Caktimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”, të parashikuara nga nenet 233 dhe 234 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj personave nën hetim (punonjës të doganave); E.H, Y.K, B.R, I.Ç, I.M, A.S, Y.S, L.Ç, I.Z, F.Z, G.D, N.S, L.M, D.P,  B.Z, A.N, V.G, SH.L dhe L.D, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, i parashikuar nga neni 175 i Kodit Penal.

 

Lini një Përgjigje