Presight AI, degë e G42 Group, lidhet me operacione të mbyllura të survejimit si 'Project Raven', ku ish-agjentë të inteligjencës amerikane përdorën platforma të ngjashme për të përgjuar gazetarë, diplomatë dhe kritikë të regjimit në Abu Dhabi; tani i njëjti grup merr kontrollin e rrjetit të kamerave të Shqipërisë...
Qeveria shqiptare prezanton projektin “Smart City” si revolucion digjital, por dokumentet dhe faktet ndërkombëtare tregojnë diçka krejt tjetër, një kontratë pa garë me Presight AI, degë e grupit G42 në Abu Dhabi, me kosto të dyfishuar në heshtje nga 60 në 118.5 milionë dollarë përmes një huaje nga Abu Dhabi Fund for Development, pa asnjë shpjegim teknik në raportin shoqërues për Parlamentin dhe pa asnjë analizë publike të rrezikut për privatësinë dhe sigurinë kombëtare.
Shteti shqiptar e shpall projektin “me rëndësi kombëtare” dhe ia dorëzon një kompanie të vetme, pa tender ndërkombëtar, ngritjen e një rrjeti kamerash, radarësh, sensorësh dhe qendre komanduese me inteligjencë artificiale, ndërkohë që e njëjta kompani, përmes grupit G42, gjendet në qendër të një debati të ashpër në SHBA për lidhje me Kinën, teknologji të përdorshme për spiunazh dhe abuzim me të dhënat personale.
Politika në Tiranë fshihet pas frazës “modernizim i policisë”, ndërsa në Washington komisioni i posaçëm për Partinë Komuniste Kineze i dërgon Sekretares së Tregtisë Gina Raimondo një letër ku kërkon që G42 të futet në Entity List, listën e zezë tregtare që i ndalon kompanive qasje në teknologji amerikane për shkak të rrezikut për sigurinë kombëtare.
G42 nuk është firmë e thjeshtë softuerësh, por një konglomerat teknologjie i lidhur direkt me aparatin e sigurisë së Emirateve, që e drejton Sheikh Tahnoun bin Zayed, këshilltar i Sigurisë Kombëtare i EBA dhe figurë kyçe e inteligjencës së vendit, ashtu siç e përshkruajnë analiza të detajuara nga Washington Institute dhe raportime të mediave perëndimore.
CEO-ja Peng Xiao, ka drejtuar më parë Pegasus LLC brenda DarkMatter, kompanisë së sigurisë kibernetike që operonte njësinë famëkeqe “Project Raven”, e cila rekrutoi ish agjentë të NSA për të hakuar telefona dhe llogari të aktivistëve, gazetarëve dhe kundërshtarëve politikë në emër të shërbimeve të Emirateve, siç doli në hetimet e Reuters dhe analizat e ekspertëve të pavarur. Shqipëria pra po i beson mbikëqyrjen e rrugëve, shkollave, institucioneve publike dhe lëvizjes së qytetarëve një grupi që ndërkombëtarisht lidhet me spyware, operacione të fshehta dhe shkelje të privatësisë, ndërsa ndaj qytetarëve shqiptarë nuk ekziston as një dokument zyrtar që shpjegon rrezikun.
Konflikti i interesit bëhet edhe më i qartë kur shikon se G42 ka shërbyer për vite si urë teknologjike mes Emirateve dhe kompanive kryesore kineze. Komisioni i Kongresit amerikan liston konkretisht marrëdhëniet e G42 me Huawei, Beijing Genomics Institute dhe Tencent dhe paralajmëron se përmes këtyre lidhjeve G42 mund të kanalizojë teknologji dhe të dhëna sensitive drejt konglomeratit ushtarak civil të Kinës, në kundërshtim me kufizimet e eksportit. Pikërisht këto raporte e detyruan G42 të deklarojë publikisht se do të shesë investimet kineze, përfshirë pjesën në ByteDance, dhe të premtojë se do të braktisë furnitorët kinezë, jo si akt vullnetar transparence, por si kusht për të ruajtur aksesin në teknologjinë amerikane dhe për të shmangur sanksionet.
Ndërkohë Microsoft hyn në lojë dhe njofton investimin prej 1.5 miliardë dollarësh në G42, me kusht që të gjithë shërbimet bazë të grupit të kalojnë në Azure dhe që kompania të pastrohet nga komponentët kinezë, duke i dhënë Presidentit të Microsoft, Brad Smith një vend në bordin e G42 dhe duke e lidhur partneritetin me “standardet botërore të sigurisë dhe kontrollit”. Kjo tregon qartë se edhe për një gjigant si Microsoft, G42 nuk është një partner normal, por një subjekt që kërkon marrëveshje të posaçme të mbikëqyrura nga Departamenti amerikan i Tregtisë, me kushte strikte për eksportin e çipeve Nvidia dhe me garanci se teknologjia nuk do të rrjedhë drejt Kinës. Nëse SHBA dhe Microsoft vendosin mekanizma të posaçëm kontrolli për të punuar me G42, fakti që qeveria shqiptare i jep të njëjtit grup pa asnjë filtër një projekt kombëtar survejimi, vetëm me justifikimin “modernizim i policisë”, shfaq një papërgjegjshmëri politike të pastër dhe një nënshtrim të plotë ndaj aferës së radhës propagandistike.
Presight AI paraqitet nga qeveria si projekt ''modernizimi'', por marrëveshja e klasifikuar sekret, dyfishimi i kostos pa shpjegim dhe mungesa totale e një vlerësimi të ndikimit në privatësi tregojnë se Shqipëria po fut një sistem survejimi pa asnjë garanci ligjore.
Rama ka përdorur edhe atentatin ndaj Gilmando Danit për të kërkuar zbatimin e sistemit të kamerave inteligjente. Ai deklaroi se ndjekja dhe ekzekutimi i Danit në Tiranë do të ishte identifikuar në kohë reale nëse rrugët do të monitoroheshin nga një rrjet i centralizuar kamerash. Rama e paraqiti ngjarjen si provë se vendi “ka nevojë urgjente” për instalimin e teknologjisë së Presight AI, duke e përdorur rastin si argument politik për të mbështetur një projekt që qeveria e ka klasifikuar sekret dhe që nuk ka kaluar në asnjë filtër ligjor për privatësinë dhe proporcionalitetin.
Qeveria shmangu tenderin, shmangu transparencën dhe shmangu çdo konsultim publik, ndërsa projekti parashikon mijëra kamera, radarë, sensorë dhe një qendër komanduese që mund të përpunojë të dhënat e qytetarëve në kohë reale. Në çdo vend të BE-së, një projekt i tillë do të kërkonte studim të detajuar të riskut dhe mbikëqyrje të autoriteteve të pavarura. Shqipëria nuk bëri asnjërën.
Ndërkohë BE ka miratuar Ligjin e Inteligjencës Artificiale që ndalon identifikimin biometrik në kohë reale në hapësira publike, ndalon profilizimin biometrik dhe vendos kufij të rreptë për përdorimin e AI në polici. Shqipëria nuk ka as ligj për AI, as kufizime për biometrinë, as mekanizma kontrolli që garantojnë se sistemi nuk do të përdoret për gjurmim politik ose për mbledhje të dhënash përtej kompetencave të policisë. Qeveria pretendon siguri, por në praktikë po instalon një infrastrukturë që mund të aktivizojë identifikimin e fytyrës dhe monitorimin e popullsisë në çdo moment, pa urdhër gjykate dhe pa transparencë.

Qeveria e shet “Smart City” si modernizim, por në realitet po instalon një sistem survejimi pa garanci ligjore dhe pa asnjë mekanizëm mbrojtës për qytetarët. Presight AI, dega e G42, merr në dorë kamerat, sensorët dhe qendrën komanduese të vendit, ndërsa në Perëndim i njëjti grup përmendet për përgjime dhe teknologji të ndjeshme të inteligjencës... (Vijon) /Pamfleti
mir se erdhet ne komunizem rrofte xhaxhi enveri tani festoni dele edhe ju patronazhistet se sdo hyni me ne pune e bajne kamerat kush shan sistemim qe tia rregullojne samarim shtet kriminal qe te gjitha i lejon vete per te marre shembull se perse duhet te behet njelloj si elitat qe shpikin nje epidemi bejne nje konflikt pastaj kane zgjidhjen shpejt nja dyzet vaksina po o milet idjot ju e keni fajin se ju rre me 5 leksha she shkoni me vrap me e votu ta gezojme.