
Brenda dhjetë ditësh nga sot Gjykata e Posaçme Antikorrupsion duhet të caktojë seancën për të hetuarit.
Pasi Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencë, SPAK ka nisur hetimet për skandalin te Onkologjiku, ku mjekët nuk u jepnin shërbim pacientëve me tumor por i orientonin ata tek klinika private e kirurgut Edmond Gashi.
SPAK kishte 10 ditë afat për të regjistruar ose jo procedimin pas shpalljes së moskompetencës nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa hetimet po ndiqen nga prokurori Elvin Gokaj. Ky i fundit ka çuar një ditë më parë në GJKKO kërkesën për të rivlerësimin e masave të sigurisë për të akuzuarit.
SPAK ka regjistruar hetimet për 3 vepra penale, kontrabandë ilaçesh, shpërdorim detyre dhe korrupsion . Dy veprat e para penale ishin ngritur edhe nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa me kalimin në SPAK është ngritur edhe një tjetër akuzë ajo e korrupsionit.
Më 26 Qershor, Prokuroria e Tiranës zbuloi skemën e mashtrimit dhe zhvatjes së pacientëve të sëmurë me tumor në spitalin e Onkologjikut. Mjeku Edmond Gashi dyshohet se në bashkëpunim me kolegët e tij orientonin pacientët e diagnostikuar me kancer në një klinikë private, e cila rezulton në emër të babait të tij. Për çdo pacient që orientohej për trajtim tek spitali privat, mjekët e Onkologjikut përfitonin shuma të konsiderueshme parash.
Përveç Edmond Gashit, Emiljano Leka, koordinator pranë Spitalit Onkologjik ne QSUNT, Alketa Ymeri(Pere), mjeke, Brikena Qirjazi, Zv/Drejtoreshë në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik, Halil Gashi, Florian Marku, administrator i Flori Farma dhe Drilona Kishta janë personat e vënë nën hetim, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin bënin “pazar” me jetën e pacientëve.
Nga hetimet u zbulua se në Onkologjik u instalua një aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës. Që të përdoret Cobalt Therapy duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vienës.
Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua, por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike.
-Edmond Gashi, mjek onkolog në spitalin e Onkologjikut– “Arrest shtëpie” - Shpërdorim detyre
-Alketa Pere Ymeri mjeke onkolog në spitalin e Onkologjikut – “Detyrim paraqitje” - Shpërdorim detyre
-Brikena Qirjazi Ish zv.drejtoreshë e QSUT - “Detyrim paraqitje” - ''Shpërdorim detyre"
- Emiljano Lela Koordinatori pranë onkologjikut - “Detyrim paraqitje” - Shpërdorim detyre
-Drilona Kishta ish-specialist pranë QSUNT banuese në Amerikë - “Detyrim Paraqitje” - Shpërdorim detyre
-Halil Gashi administrator i klinikës Megis, babai i mjekut Gashi – “Detyrim paraqitje” - Fshehje e te ardhurave
-Florian Marku administrator farmacie – “Arrest shtëpie”
Skema si vepronin mjekët në Spitalin e Onkologjikut në QSUT:
Një hetim i bërë nga Prokuroria e Tiranës zbuloi skemën ku përfshihen mjekë të shërbimit onkologjik dhe stafi i këtij shërbimi të cilët transferonin pacientë nga shërbimi onkologjik drejt klinikave private.
Madje edhe e vetmja aparaturë ajo e kobaltit e cila shërben për radioterapitë për pacientët me tumore mbahej e prishur me qëllim në mënyrë që ky shërbim të mos merrej në QSUT por në klinika private.
Klinika private “Megis”, e mjekut Edmond Gashi që shërbente në Onkologjik është pezulluar deri në një moment të dytë.
Sipas informacioneve, ishte një familjar i një prokurori i cili ka denoncuar rastin e abuzimit dhe ka nisur ky hetim.
Telefonat e mjekëve dhe kordinatorëve të këtij shërbimi janë mbajtur në vëzhgim për një kohë të gjatë nga ku kanë rezultuar biseda dhe pazare të mirëfillta si në shitjen e medikamenteve citostiatike të cilat janë të kushtueshme deri dhe për tarifat që merreshin për ndërhyrje kirurgjikale të cilat varionin nga 4 deri 5 mijë euro.
Këto pazare bëheshin duke llogaritur dhe destinacione të pushimeve luksoze, bazuar në bisedat e tyre me mesazhe.
Lini një Përgjigje