
Tre ditë para se t’u hiqeshin licencat e të arrestoheshin, administratorët dhe punonjësit kryesorë që u lanë jashtë hetimit, zhdukën dosjet e ia mbathën jashtë Shqipërisë, fakt që krijon dyshime se janë njoftuar paraprakisht nga xhambazët e drejtësisë e qeverisë...
As arrestimet që bëri Prokuroria e Tiranës dhe as heqja e licencave nga Banka e Shtetit, nuk po i japin fund krimit të dy agjencive “Micro Credit Albania” e “Final”, të cilat në bashkëveprim me njëra-tjetrën, në 8 vitet e fundit, kanë zhvatur 1.3 miliardë Euro nga 150 mijë qytetarë hallexhinj, nëpërmjet mashtrimit me kredi e interesa false.
Më 23 maj 2024, agjencisë “Micro Credit Albania” iu hoq Licenca Nr. 38, datë 9 maj 2016, ndërsa agjencisë “Final” iu hoq Licenca Nr. 11, datë 20 shkurt 2009, duke i urdhëruar të ndërpresin menjëherë aktivitetin e dhënies së kredive, blerjes së kredive të këqija nga bankat dhe ekzekutimin e tyre me zyra përmbarimore.

Por këto dy agjenci, jo vetëm nuk po zbatojnë vendimet e Bankës së Shtetit, duke mos ndaluar aktivitetin kriminal të mashtrimit e zhvatjes së qytetarëve me kreditë false, por nuk po zbatojnë as urdhrin administrativ të Bankës së Shtetit.
Në informacionin që “Pamfleti” ka siguruar nga Ministria Financave, thuhet se agjencitë “Micro Credit Albania” e “Final”, nuk po dorëzojnë dokumentet në këtë ministri dhe në Bankën e Shtetit, duke iu shmangur zbatimit të vendimeve.
Konkretisht, nuk po dorëzojnë regjistrat dhe dosjet e kredive, që kanë blerë nga bankat; kreditë që kanë dhënë vetë si ri-strukturim e mbivendosje të kredive që kanë ekzekutuar me zyra përmbarimi, si dhe kreditë që kanë në proces e nuk i kanë ekzekutuar.
Ministra e Financave dhe Banka e Shtetit, ka kërkuar bilancet e tyre nga Qendra Kombëtare e Biznesit dhe Tatimet, por ato nuk kanë dorëzuar bilance prej 8 vitesh, duke i lejuar të mos raportojnë numrin e kredive të blera nga bankat dhe kreditë që kanë dhënë vetë, të ardhurat, fitimet, numrin dhe vlerat e pasurive të sekuestruara, shpenzimet, qarkullimet Cash e transfertat.
Por “Micro Credit Albania” e “Final”, refuzojnë të dorëzojnë regjistrat dhe dosjet e kredive në Bankën e Shtetit dhe Ministrinë e Financave, ndërkohë që i kanë hequr nga zyrat para e pas masave të arrestit; fakt që dëshmon, se janë njoftuar paraprakisht, ndërsa prokuroria nuk vendosi masa sekuestroje paraprake të tyre.
Kërkesave të Ministrisë Financave e Bankës së Shtetit, ata i janë përgjigjur, me justifikimet se regjistrat dhe dosjet e kredive, i kanë pronarët Elda Ibro që është në arrati e Arben Meskuti që është në burg, por dhe me mashtrimin, se nuk e dinë ku janë dokumentet.
Ministria e Financave dhe Banka e Shtetit, nuk po arrijnë të kontaktojnë dot as me administratorin e “Micro Credit Albania”, Andis Gjoka dhe as me administratoren e agjencisë “Final Sh.p.k”, Majlinda Demko (Gjata), mbasi 3 ditë para arrestimeve e heqjes së licencave janë larguar nga Shqipëria, madje nuk janë marrë nën hetim.
Pas 4 vitesh zvarritje hetimi dhe lënie të lirë nga Prokuroria e Tiranës, tani po vazhdon loja fshehjes së krimit, me mos dorëzimin e regjistrave dhe dosjeve të kredive, me të cilat, me lejen e shtetit kanë mashtruar dhe zhvatur 150 mijë qytetarë./Pamfleti
Lini një Përgjigje