Ervis Shkurta, është efektivi i operacionale që u vu në pranga sot pasi dyshohet si i përfshirë në trafik droge. Shkurta prej kohësh ishte i lidhur me grupet kriminale që merren me trafikun dhe shitjen e lëndëve narkotike.
Mbrëmjen e së enjtes, kur në kuadër të operacionit antidrogë pati dhe një përplasje mes trafikantëve dhe forcave policore, Shkurta ishte afër vendit të ngjarjes dhe sapo ka parë që kolegët e tij ndërhynë, ka njoftuar grupin tjetër kriminal që prisnin për të marrë kokainën që të largohen me shpejtësi.
Emri i tij ka dalë pas zbërthimit të celularëve ku agjentët kanë gjetur biseda mes të arrestuarve me një person që identifikohej me emrin ‘Visi i Pazarit’.
Ky i fundit lidhej me një numër anglez në aplikacionet celulare me të arrestuarit ku komunikonin për mallin dhe shumat e lekëve.
Ndërkohë vijojnë kontrollet për gjetjen e celularit me numër anglez të Ervis Shkurtës. Në kërkim është shpallur edhe një tjetër person si i përfshirë në skemën e trafikut të drogës.
I marrë në pyetje nga grupi hetimor, efektivi ka mohuar që të jetë i lidhur me grupet kriminale, por provat deri tani tregojnë se ai prej kohësh kishte njohje me grupet kriminale dhe ishte i përfshirë në shkëmbimin e drogës duke përfituar shuma të mëdha parash.
Burime nga grupi hetimor thanë se roli i efektivit ishte që të siguronte shkëmbimin e drogës dhe të parave mes grupeve kriminale.
Lini një Përgjigje