
Kryeministri Edi Rama në një intervistë për median franceze ka folur edhe për ishullin e Sazanit, për të cilin po negociohet me Jared Kushnerin, dhëndrin e Presidentit amerikan, Donald Trump.
Rama madje shprehet se nuk bëhet fjalë vetëm për ishullin, për të cilin tha se do të jetë një risi për të gjithë Mesdheun, por edhe për një pjesë të territorit përpara tij.
“Jo ende, por jemi duke punuar, duke negociuar për ishullin, por edhe për projektin në tërësi, që përfshin jo vetëm ishullin, por edhe një pjesë të territorit përballë tij. Dhe mund t’ju them se projekti po përmirësohet dita-ditës. Nëse arrijmë ta zbatojmë ashtu siç e kemi parashikuar, do të jetë një risi absolute në Mesdhe dhe një model për t’u ndjekur nga pikëpamja e qëndrueshmërisë”, shprehet Rama.
Projekti i Kushner ka ngritur shumë pikëpyetje, ndërsa jo vetëm në Shqipëri, por edhe në SHBA janë ngritur dyshime lidhur me procedurat, kjo për faktin se bëhet fjalë për dhëndrin e Presidentit të SHBA. Dyshimet e ngritura kanë të bëjnë me atë që Kryeministri Rama mund të përkthejë këtë ‘qokë’ në një mbështetje politike nga administrata Trump.
Në intervistën për TV5 Monde, Rama ka folur për çështjet e integrimit, zhvillimet ndërkombëtare, por edhe për ministren Diella.
I pyetur për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, Rama tha se jemi në një fazë shumë të avancuar dhe optimiste.
“Jemi në negociata të plota dhe kemi hapur 5 nga 6 grupet kryesore të kapitujve. Shpresojmë të hapim edhe të gjashtin, që do të ishte një rekord absolut në shpejtësi. Kjo lidhet edhe me faktin që Evropa, nga pikëpamja e zgjerimit, që unë e quaj ‘ripunifikim’, është zgjuar. Dhe kjo, në një farë mënyre, falë edhe luftës në Ukrainë, e cila tregoi nevojën për një Evropë më të bashkuar dhe më të fortë”, shprehet Rama.
Gazetari francez e pyeti kryeministrin Rama edhe për inteligjencën artificiale dhe për ministren Diella.
“Sa për ministren, ajo po punon, është shumë mirë. Ajo është ‘shtatzënë’ me 83 djem e vajza të ardhshëm, të cilët do të jenë ‘asistentë’ të grupit tonë parlamentar për inteligjencën artificiale. Pra, 83 persona që do të kenë për detyrë t’u ndihmojnë deputetëve, t’i asistojnë kur janë mungues në seancat parlamentare, për shembull”, theksoi Rama.
Gjatë intervistës në studion e televizionit francez, Edi Rama tha se diplomacia botërore po përballet me krizë të thellë, ashtu sikurse Evropa, dhe bëri thirrje për një “rilindje të diplomacisë”.
Gazetari: Z. Kryeministër, ju e dini, qoftë për klimën apo për luftërat në Ukrainë dhe Gaza. Ka gjithnjë e më pak hapësirë për multilateralizëm, dhe është ligji i forcës. Si ta përmbysim këtë trend?
Kryeministri Rama: Ky është problemi. Dhe nëse po flasim për paqen, dhe nëse po mbajmë një forum kushtuar paqes këtu në Paris, atëherë duhet të reflektojmë mbi një fakt shumë të thjeshtë, dhe sipas mendimit tim, një fakt shumë të rëndësishëm: se vetë Evropa nuk ka ende planin e saj të paqes për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Kjo nuk do të thotë se ajo që po bëjmë me fondin e ndihmës për Ukrainën, ose me fondin që mbështet forcën ushtarake të Evropës, nuk është e drejtë, por do të thotë që nuk mund të shkojë vetëm në këtë drejtim, sepse duket sikur diplomacia ka vdekur, dhe tani mbetet vetëm tamburi i luftës. Kjo është e papranueshme.
Gazetari: Për të dalë vërtet nga ky konflikt që zgjat tashmë prej katër vitesh, nevojitet një qasje diplomatike. Shqipëria ka dorëzuar kandidaturën për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Megjithatë, statusi zyrtar i vendit kandidat u rekomandua vetëm në tetor 2012, pasi në atë kohë demokracia konsiderohej ende e paqëndrueshme. Shqipëria ka bërë progres që atëherë, si qëndron situata aktualisht?
Kryeministri Rama: Po ne jemi në një fazë shumë të avancuar për sa i përket asaj që sapo përmendët. Jemi në negociata. Kemi hapur 5 nga 6 grup-kapitujt dhe shpresojmë të hapim edhe të gjashtin, që do të ishte një rekord absolut sa i takon shpejtësisë. Kjo lidhet gjithashtu me faktin që Europa, nga pikëpamja e zgjerimit, unë preferoj ta quaj ‘bashkim’, po përjeton një zgjim. Lufta në Ukrainë tregoi, ndër të tjera, nevojën për një Europë më të bashkuar dhe më të fortë.
Gazetari: Koha po na mbaron, kështu që vetëm një pyetje e fundit, ndoshta pak delikate. Dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, dëshiron të ndërtojë një kompleks turistik luksoz në një nga ishujt më të bukur të Mesdheut, në vendit tuaj, me bimësi të gjelbër dhe të pasur – një nga pasuritë tuaja natyrore më të çmuara. A e ka marrë ai lejen nga qeveria juaj?
Kryeministri Rama: Jo ende, por ne po negociojmë për këtë. Po punojmë gjithashtu mbi projektin që nuk përfshin vetëm ishullin, por edhe një pjesë të territorit përpara tij. Mund t’ju them se projekti po përmirësohet çdo ditë, dhe nëse arrijmë ta zbatojmë ashtu siç ne e kemi parashikur, do të jetë një risi absolute për Mesdheun dhe një model për t’u ndjekur për sa i përket qëndrueshmërisë.
Lini një Përgjigje