TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Shtator 2025, 11:35

RTSH, ‘gropa e zezë’ e korrupsionit që u përlan shqiptarëve 28 milionë euro në vit

Shkruar nga Pamfleti

RTSH, ‘gropa e zezë’ e korrupsionit që u përlan

Pa auditime të brendshme dhe me raporte të shpërfillura, televizioni publik ka humbur të drejtat e transmetimeve, është zhytur në borxhe dhe nuk shlyen dot as pagat, ndërsa SPAK ende nuk lëviz...

Radio Televizioni Shqiptar rezulton një ndër “gropat e zeza” të korrupsionit me fondet publike, duke shpërdoruar financimin që merr nga shteti, të ardhurat nga taksa e aparatit televiziv, si dhe kontratat e tarifat që paguajnë subjektet private e publike.

Parlamenti nuk i ka kërkuar asnjëherë Ministrisë së Financave të auditojë përdorimin e fondeve në RTSH. As vetë ministria nuk ka kryer auditimet vjetore, megjithëse e detyron ligji. Edhe raportet e KLSH-së që kanë zbuluar abuzimet gjatë viteve 2010–2024 janë shpërfillur.

Drejtoresha Eni Vasili, e emëruar gjashtë muaj më parë, nuk ka përgjegjësi për gjendjen e rënduar financiare të RTSH-së, e cila sot është në vështirësi deri në pamundësinë për të shlyer pagat e gazetarëve dhe punonjësve. Pas marrjes së detyrës, ajo i kërkoi qeverisë një shtesë emergjente prej 2 milionë eurosh, deklaroi pamundësinë e shlyerjes së kontratave të jashtme e të brendshme dhe kërkoi auditim për fondet e RTSH-së, pasi sipas saj ka konstatuar abuzime të mëdha financiare.

Megjithëse ka kaluar një muaj nga deklarata e saj dhe akuzat për korrupsion, Ministria e Financave nuk ka nisur auditimin. Po ashtu, SPAK nuk e ka thirrur drejtoreshën Vasili për të dëshmuar mbi faktet abuzive që ajo ka zbuluar në dosjet e financave, dhe as nuk ka marrë dokumentacionin për të filluar hetimin.

Gjatë viteve 2023–2025, në SPAK janë depozituar disa denoncime nga media, gazetarë dhe zyrtarë të RTSH-së për korrupsion, paga të trefishta për drejtuesit, pagesa për persona që nuk ndodhen në Shqipëri, programe dhe dieta fiktive etj.

Realisht, Eni Vasili nuk mban përgjegjësi për batërdinë financiare të trashëguar në RTSH. Por, për shkak të detyrës, ajo duhet të pyetet nga SPAK dhe t’i kërkohen dokumentet për të qartësuar se ku kanë shkuar 28 milionë eurot që RTSH përfiton çdo vit, ndërkohë që institucioni është zhytur në borxhe dhe nuk paguan as detyrimet bazë.

RTSH merr çdo vit:

-6.7 milionë euro financim nga shteti;
-15 milionë euro të ardhura nga taksa e televizorit;
-2.4 milionë euro nga shërbimi satelitor për diasporën;
-3.9 milionë euro të ardhura nga reklamat, njoftimet, orkestrat simfonike dhe tarifat e shërbimeve monopol të antenave për mediat private dhe institucionet shtetërore.
Në total, rreth 28 milionë euro në vit. Por për çfarë janë shpenzuar këto para, kur RTSH nuk ka paguar detyrimet ndaj “Eurovision”-it për vitet 2024–2025, ka miliona euro borxhe të brendshme e të jashtme dhe ka humbur të drejtat e transmetimeve?

Dosjet e shpenzimeve të RTSH-së ndodhen në zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm, në Drejtorinë e Financës, në Bordin e Administrimit dhe në Këshillin Mbikëqyrës. SPAK ka detyrimin dhe fuqinë ligjore të thërrasë drejtoreshën Vasili dhe të marrë provat e vjedhjeve./Pamfleti

rtsh gropa e zezë e korrupsionit 28 milionë euro në vit

Lini një Përgjigje